Editorial, Te Fundit, Të Gjitha

Peshqit që i “shpëtojnë” rrjetës së drejtësisë

Nga Desada Metaj

Sot nuk është hera e parë që ambasadori amerikan në Tiranë flet për “peshqit e mëdhenj” në botën e krimit dhe të politikës. Në 3 Nëntor  të një viti më parë, në një bashkëbisedim live në FB, Donald Lu deklaroi qartas se “agjencia e antidrogës DEA dhe autoritetet shqiptare po punojnë ngushtas për të arrestuar trafikantët e drogës, peshqit e mëdhenj që trafikojne heroinë dhe kokainë nëpërmjet Shqipërisë”.

Rastësi ose jo, togfjalëshi “peshq të mëdhenj” ka qenë sërish pjesë e një paralajmërimi që diplomati amerikan ka bërë sot në prezencë edhe të drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar. Por me sa duket, dëshira për të bërë krahasime me figura letrare nuk i ka ndihmuar shqiptarët të shohin rezultate konkrete të asaj që presin prej kohësh. Luftës reale kundër krimit të organizuar dhe fijeve tashmë të qarta që e lidhin me politikën.

Përfaqësuesi i vendit me demokracinë më të zhvilluar në botë ka folur disa herë për inkriminimin e politikës shqiptare, madje dhe me emra konkretë që ishin pjesë e parlamentit apo që drejtonin bashki të ndryshme. Por ripërsëritja që i bëri emrave të jep përshtypjen e një retorike të veshur me mesazhe të forta, por që në thelb nuk po shqetësojnë askënd. Të flasësh sot për Elvis Roshin apo Arben Ndoken dhe të heshtësh për denoncimet e përditshme të medias dhe opozitës për skandalin ku është përfshirë ish -Ministri i Brendshëm,  të paralajmërosh për arrestime në Janar kur ende nuk ka asnjë përgjigje zyrtare apo partiake nga Kryeministri për gati 1 milionë euro të gjetura bashkë me patentat e ish -ministrit, është më shumë se gjuhë diplomatike ndoshta një mënyrë për t’iu bashkuar heshtjes që strategjikisht është zgjedhur nga qeveria si mënyrë për të tejkaluar këtë skandal.

Për më tepër që dhe vetë ambasadori ndoshta e ka informacionin që vërtet Arben Ndoka dhe Elvis Roshi nuk jane pjesë e parlamentit apo qeverisjes vendore, por nga ana tjetër disa herë media ka raportuar për pushtetin real që ata kanë në zonat e tyre madje dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë në fushatën zgjedhore në qershor.

Si këta më sipër  ka dhe shumë të tjerë që në një formë apo tjetër janë pjesë e vendimarrjes qëndrore apo lokale,duke patur në dorë dhe jetën e shqiptarëve. Për këtë, paralajmërimet e ambasadorit amerikan janë të mirëpritura në një terren ku është kaq e zakonshme të ndeshesh me të “fortët” me pushtet politik që paralajmërimet nuk i kanë marrë kurrë seriozisht. Ndaj ne Janar apo  me herët, peshq të mëdhenj apo të mesëm, e rëndësishme është të ndodhë që peshqit të bien në rrjetën e drejtësisë pa ndodhur që dikush ta prishë atë e t’i lerë peshqit e lirë. Sic për fat të keq ka ndodhur deri më sot.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko