Aktualitet

Për shqiptarët nuk është vetëm një shqiponjë. Historia është më e thellë!

               Publikuar në : 23:52 - 02/07/18 |
rel d

Kombëtarja Zvicerane ndeshet të martën kundër Suedisë në Kupën e Botës dhe asnjë lojtar me origjinë shqiptare nuk ka gjasa të festojë më me shenjën e shqiponjës në rast të një goli. Në ndeshjen e 20 qershorit, pati një reagim të madh për gjestin e dy futbollistëve shqiptarë që luajnë për ekipin kombëtar të Zvicrës.

Pse shqiponja? Pse pati një reagim nga FIFA, organizatorja e Kupës së Botës?

Menjëherë pas shënimit të dy golave kundër Serbisë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, dy lojtarë shqiptarë në ekipin kombëtar zviceran të futbollit, festuan me simbolin e shqiponjës. FIFA njoftoi se dy lojtarët shqiptarë dhe kapiteni i ekipit zviceran do të gjobiten me 10.100 dollarë për një sjellje jo sportive gjatë festimit të tyre.

Mirëpo, përgjatë të njëjtës lojë, tifozët serbë mbanin bluza me fotografi të Ratko Mlladiç, ‘Kasapi i Bosnjës’, i cili u dënua për gjenocid nga një gjykatë penale ndërkombëtare. Në një gjykim të veçantë, FIFA dënoi me gjobë Federatën e Futbollit Serb me 54.700 dollarë për shfaqje të banderolave dhe mesazheve diskriminuese.

Ndërsa, imazhi i shfaqjes së Mlladiçit mund të jetë i kuptueshëm, rëndësia më e madhe e shqiponjës, simbol i flamurit shqiptar dhe që nënkupton Shqipërinë, në gjuhën ndërkombëtare të shenjave, kërkon më shumë sqarime.

Po, ka rivalitete politike në Kupën e Botës

Vendimi i marrë nga FIFA mund të duket një çështje tipike ballkanike. Por në vitin 2014, në një ndeshje futbolli midis Serbisë dhe Shqipërisë, shpërtheu një përleshje e fortë, fiks në momentin kur një tifoz lëshoi me dron mbi stadium një flamur që mbarte Shqipërinë e Madhe- e cila përfshinte dhe shqiponjën. Siç vuri në dukje gazetari Aleks Eror loja e kombëtares zvicerane ka shumë realitete historike në lojë dhe të gjitha janë të përfshira në atë ndeshje në Kupën e Botës.

Serbët dhe shqiptarët, me gjasë serbët dhe kosovarët kanë një marrëdhënie të komplikuar dhe një histori të gjatë konflikti, veçanërisht për Kosovën, të cilët serbët e konsiderojnë si djepin e civilizimit serb.

Që nga beteja e Fushë Kosovës në vitin 1389, një konflikt mes Perandorisë Otomane dhe popullsisë Ballkanike, Kosova ka marrë një rol qendror në ndërtimin e identitetit kombëtar serb- veçanërisht përmes miteve dhe më vonë letërsisë së shkruar.

Kjo histori e gjatë u shndërrua në konflikte etnike në Jugosllavi në vitet 1980, pas shumë viteve bashkëjetese paqësore gjatë regjimit të Josip Broz Titos. Sllobodan Millosheviçi e nisi karrierën e tij përmes një platforme nacionaliste që instrumentalizoi mitologjinë e betejës së Fushë-Kosovës për t’i hequr Kosovës statusin autonom. Menjëherë pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në fund të viteve 1990 u shënuan një numër i madh viktimash nga të dy anët, deri në fillim të viteve 2000 që shënon dhe pikën e vlimit të konfliktit. Serbia ende nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, edhe pse Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ishte një hap në normalizimin e marrëdhënieve.

Nga kjo perspektivë, loja midis Serbisë dhe Zvicrës – një ekip me tre shqiptarë në listë – u shënua nga historia e gjatë dhe e ndërlikuar e tensioneve etnike. Historia e traumës dhe e dhunës është e dhimbshme në të dyja anët, por simbolet e shqiponjës shqiptare nuk përputhen fare me vendimin e tifozëve serbë për të veshur bluza me Mlladiçin.

Bëhet fjalë për shqiponjën për Shqipërinë

Shqipëria, një vend i vogël me më shumë se 3 milion banorë, ka ekzistuar si subjekt politik pak më shumë se 100 vjet. Rreth 500 viteve të pushtimit Osman dhe madje edhe tani, shqiponja nuk ishte simbol agresiv apo i dhunës. Ndoshta për një pakicë, shqiponja mund të simbolizojë nacionalizmin radikal apo edhe Shqipërinë e madhe. Mirëpo, gjatë incidentit të dronit në Serbi në 2014-ën, shqiponja ishte vendosur në një sfond të kuq të shtrembër që nënkuptonte Shqipërinë e madhe.

Por për shumicën e shqiptarëve, shqiponja, thjesht përmbledh flamurin dhe identitetin e tyre kombëtar dhe Shqipëria është “toka e shqiponjave”. Shqiptarët e interpretojnë lidhjen si autentike dhe e shohin shqiponjën si një simbol të qëndrueshëm që përfaqëson popullin shqiptar – dhe që daton nga shekulli i 11-të.

Ja një shembull. Kur heroi kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu luftoi kundër Perandorisë Osmane gjatë shekullit të 15-të, ai mbajti një flamur me shqiponjën dykrenare për të bashkuar popullin e tij. Shqiponja me dy krerë, shërben si shenjë e identitetit gjithëpërfshirës për të përfaqësuar një popullatë të larmishme mes myslimanëve dhe të krishterëve, qofshin ata ortodoksë dhe katolikë.

Duke pasur parasysh përbërjen demografike të shumëfishtë të vendit, jo shumë simbole të tjera, mund të shërbenin si unifikues të identitetit. Për shqiptarët Shqiponja tregon krenari, heroizëm dhe forcë. Sigurisht, në fund të fundit, tregon dhe aftësinë e tyre si popull për t’u mbijetuar fatkeqësive historike, të cilat nuk ishin të pakta në numër.

Për shqiptarët, shqiponja është një simbol historik krenar

Kur Italia pushtoi Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, regjimi i Benito Mussolinit vendosi një kurorë në krye të shqiponjës.

Gjatë regjimit komunist 40-vjeçar pas luftës, Enver Hoxha e zbukuroi shqiponjën me një yll. Këto simbole ideologjike dhe politike gjithmonë kanë qenë simbole identifikuese, apo e thënë ndryshe, një përpjekje që shqiptarët kanë bërë për të mbajtur identitetin e tyre – pra shqiponja, përcjellë për ta një mesazh unifikues dhe ideologjik.

Kujtojmë se paqëndrueshmëria politike dhe ekonomike në vitet 1990, çoi në nivele të larta të emigrimit. Afër 20 për qind e Shqipërisë, ka emigruar drejtë Shteteve të Bashkuara. Qindra mijëra shqiptarë u larguan nga Kosova në vitin 1999 për t’u arratisur nga konflikti dhe luftërat etnike, gjithashtu në vitet më vonë këto largime masive janë pasuar nga valët e emigrantëve që kërkonin të shpëtonin nga varfëria.

Për ata jashtë vendit, si Xhaka dhe Shaqiri, të cilët përballen me humbje kulturore përgjatë procesit të integrimit në vendet e adoptuara, shqiponja shpesh mbetet e vetmja gjurmë e dukshme e identitetit të tyre shqiptar.

Nën uniformat zvicerane, duke festuar me shqiponjën shqiptare, të dy lojtarët përfshijnë identitetin e tyre, si dhe shprehin – referencat historike dhe besnikërinë ndaj atdheut./Opinion.al/

 

Pas