Editorial

Për Asamblenë me një timon, Ramën, Tahirin dhe shokun Gramoz

               Publikuar në : 14:02 - 06/01/18 |
m.b

 

Manjola Bregasi –

Socialistët zhvilluan mëngjesin e së shtunës Asamblenë e parë Kombëtare pas marrjes së timonit në një dorë të vetme. Në një mbledhje që kishte si qëllim edhe bilancin e 100 ditëve qeverisje, ne kuptuam që ujërat në partinë Socialiste janë qetësuar e kthjelluar mjaft.

Asambleja e sotme nuk i ngjante aspak asaj të ca viteve më parë, kur Ben Blushi dilte nga rreshti duke i prishur kryetarit, jo vetëm rendin e ditës, por edhe humorin.

Asambelja e sotme ishte e qetë dhe e shtruar. Socialistët ngrinin dorën të gjithë për të votuar pro dhe ndjeheshin krenarë për çdo arritje të 100 ditëve, të shpallura plot patos nga Kryetari.

Binte në sy herë pas here përdorimi i fjalës shoku, që gjallërohet në një tjetër dimension kuptimor sa herë që socialistët mbajnë Asambletë. Kjo fjalë, spikati këtë radhë e thënë nga Taulant Balla, veçanërisht kur propozoi që pas dorëheqjes nga Sekretar i Përgjithshëm i Partisë, shoku Gramoz të ishte pjesë e Kryesisë, sepse duhej të ishte patjetër. Edhe këtu socialistët ishin të gjithë të të njëjtit mendim, çka automatikisht më kujtoi një kohë, kur fjala shok dhe votimi unanim sinkronizoheshin mjaft mirë.

Në mbledhjen e sotme të Asamblesë pati edhe kritika. Por sigurisht ato i përkisnin opozitës, për qeverinë ka vetëm arritje. E tillë ishte edhe ajo me përmbytjet, e tillë është edhe ajo me shëndetësinë dhe arsimin, e mbi të gjitha me reformën në drejtësi.

Por teksa listoi arritjet, që për hir të së vërtetës përshtaten mjaft mirë me fjalën shoku dhe votimin unanim, na mungoi autoritika. Kjo e fundit do ta bënte më të plotë tablonë e mbledhjeve të Republikës Socialiste të Shqipërisë. Për fat të mirë apo të keq askush nuk guxoi të shkojë deri aty, madje as vetë Rama, paçka se argumentin e kishte. Ish-ministri i tij e njëherazi Kryetar i Partisë së Tiranës, u akuzua drejtpërdrejt për mbështetje të trafikut ndërkombëtar. Megjithatë ky fakt ndoshta nuk ka qenë i rëndësishëm për partinë sot dhe për këtë nuk u tha asnjë fjalë.

Ajo çfarë vlen, janë 200 ditët e ardhshme, e madje edhe premtimet e Ramës për pushtetin që ai do marr në vitin 2021, për të cilin u shpreh i sigurt.

Por deri atëherë, Kryeministri njoftoi se shumë shpejt në të gjithë vendin nuk do të ketë më Drejtori Arsimore, por zyra arsimi. Ai ka vendosur të krijojë vetëm 4 Drejtori të Përgjithshme të Arsimit, ndërkohë që gjithë drejtoritë e tjera do të kthehen në zyra, të cilat mbi të gjitha nuk do të kenë më forcë të emërojnë punonjës dhe mësues. Sigurisht tashmë, zyrat do të varen nga 4 drejtoritë qëndrore që do të prekin edhe sektorin e bujqësisë dhe shëndetësisë.

E pasi nxori nga loja drejtoritë, Rama nuk harroi të kujtojë edhe reformën e madhe të inspektoriatit duke folur për një strukturë të re, ku do të përfshihet e kombinuar Prefektura dhe Ministria e Brendshme, çka nxjerr jashtë loje edhe Ministritë e linjës që tashmë do të kenë akses vetëm implementimin.

E padashur t’i kthehem sërish kohës që para shumë vitesh e kemi lënë pas, ndoshta kur fliste për timonin Rama e kishte të qartë drejtimin, që Shqipëria e tij do të merrte.

 

Pas