Pastrimi i politikës nga krimi, një vendim për nesër – Opinion – Faqja Zyrtare
Aktualitet, Editorial, Te Fundit

Pastrimi i politikës nga krimi, një vendim për nesër

kuvendi

Nga Dritan Laci 

Vendimi i sotëm i Komisionit Zgjedhor për t’i hequr mandatet dy deputetëve të Parlamentit Shqiptar, përkatësisht Dashamir Tahiri nga radhët e Partisë Demokratike dhe Shkëlqim Selami nga radhët e LSI si edhe kryetarit të Bashkisë së Kavajëvs Elvis Roshi, me motivimin se nuk kanë deklaruar dënimet respektive që kanë marrë jashtë vendit, shënon sot jo thjesht një hap institucional të nevojshëm, por një hap drejt një precedenti që do të vlejë edhe më tej për të kthyer edhe njëherë politikën drejt shinave të një vendi që prosperon të jetë pjesë e një sistemi vlerash të përqasshëm me ato të Bashkimit Evropian.

Largimi i Tahirit, Selamit, Roshit por edhe i shumë politikanëve të tjerë, të zgjedhurish vendorë apo nga sistemi i drejtësisë që rekordet e tyre i kanë të mbushura me punë që nuk kanë lidhje me detyrën që janë ngarkuar apo zgjedhur për të përmbushur, nuk është sot thjesht fitorja e Komisionit Zgjedhor por e demokracisë dhe nuk duhet parë si humbje e partive përkatëse ku këta individë jepnin kontributin por si një fitore edhe për to, pasi ky pastrim do t’u bëjë mirë edhe këtyre partive ta shikojnë ardhmërinë e tyre drejt vlerave dhe jo antivlerave. Do tu bëjë mirë të ecin të pavarura nga krimi dhe individë të pashkolluar të cilët deri dje edhe pse njiheshin dhe ishin përzgjedhur me vetëdije si sponsorë që siguronin vota në zonat problematike, u kthyen shpejt dhe pritshëm në problemin më serioz të vetë atyre që i kishin zgjedhur për t’i përfshirë në politikë. Do t’u bëjë mirë për t’i dhënë fund një turpi që nuk ishte parë kurrë në Parlamentin e Shqipërisë, ku kërcënimet prej të forti, grushtat nëpër korridore, plumbat dhe histori krimesh nga vrasja, përdhunimi në grup, trafikimi i qenieve njerëzore, shënuan një nga kapitujt më të shëmtuar të atij që duhet të ishte mediumi më i ndritur i mendimit, por që në fakt të gjithë jemi të bindur që si pasojë e përfaqësimit më mediokër dhe kriminal në historinë e Shqipërisë shtet u kthye në llumin konstitucional ku ligjet bëheshin nga të paligjshmit.

Ndaj ky largim i sotshëm nuk duhet parë si goditje politike, por si një lehtësim për vetë partitë. Duhet parë si domosdoshmëri për t’i dhënë edhe njëherë shansin Shqipërisë, të ardhmes së fëmijëve tanë, për të besuar në vendin e tyre. Për të besuar te politika e saj. Për të besuar te politikanët e saj. Për t’i thënë jo parave të pista për të zgjedhur të zgjedhur vendorë që në rekordet e tyre nuk kanë investime intelektuale por kriminale. Për të besuar se Shqipëria nuk vlen sa një thes miell.

Kjo frymë që përçoi sot Komisioni Zgjedhor duke i hapur rrugën Drejtësisë të hetojë, është një erë e re edhe për vetë Drejtësinë e cila duke hetuar pushtetin do krijojë më shumë siguri në punën e saj. Do krijojë besimin e duhur edhe te vetë njerëzit që sistemi i Drejtësisë ka nisur të funksionojë edhe për pushtetarët dhe jo vetëm për peshqit e vegjël. Ndaj le ta shikojmë këtë ditë të sotme, edhe si një fitore sado e vogël në miniaturë. Duke uruar që të mos pasohet nga zhgënjimi por shkuarja deri në fund e një procesi që duhet të ishte bërë me kohë, por që jemi ende në kohë për t’i thënë Evropës se Shqipëria nuk është një shprehje gjeografike siç na cilësonte Bismarku 150 vite më parë, por një popull që dëshiron të bëhet shtet. Jo një shtet banditësh, por një shtet vlerash…../Opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko