Te Fundit

Passport/ Ambasadori i Katarit: Mijëra shqiptarë të punësuar për Botërorin 2022

               Publikuar në : 15:43 - 07/02/18 |
d.l

Ambasadori I Qatarit në Tiranë Ibrahim Hashim al Sada në një intervistë për emisionin PASSPORT të gazetarit Arbër Hitaj flet për raport thotë se janë mijëra shqiptarë që po punojnë në Qatar në ndërtimin e stadiumeve të reja për botërorin 2022. Më tej Al Sadaf flet për raportet e acaruara me Arabinë Saudite duke sqaruar se akuzat e përdorura për bllokadë janë të rreme dhe synojnë të nënshtrojnë Katarin.

 Al Sada ju uroj mirëseardhjen dhe faleminderit për këtë intervistë. Fillimisht do të doja t’ju pyesja sa kohë keni që keni ardhur me punë në Shqipëri?

Faleminderit juve për pritjen në televizionin tuaj të nderuar. Unë kam marrë detyrën diplomatike në cilësinë e të Ngarkuarit me Punë në Ambasadën e Shtetit të Katarit në Tiranë më 1 Korrik 2017.

Si ju duket vendi, a keni një qytet të preferuar?

Para se të vija këtu, kisha dëgjuar se Shqipëria është një vend i bukur nga natyra dhe me pamje magjepsëse. Kur erdha vetë këtu u binda plotësisht, pasi pashë vende dhe peisazhe të bukura, plazhe tërheqëse, zona arkeologjike dhe një trashëgimi kulturore të pasur.

Por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte populli shqiptar, i cili karakterizohet me një mikpritje bujare. Mund të them se populli shqiptar dhe ai katarian ndajnë shumë ngjashmëri.

Si do t´i përkufizonit marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve tona?

Pa dyshim, marrëdhëniet ndërmjet Shtetit të Katarit dhe Republikës së Shqipërisë janë të mira, të konsoliduara dhe të bazuara në respektin e ndërsjellë dhe në bashkëpunim për më të mirën e të dy popujve. Unë mund t’ju siguroj thellësinë e marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe se ka bashkëpunim të gjerë në rrafshin e marrëdhënieve politike, krahas koordinimit dhe bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare dhe nënshkrimit të një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi dypalëshe.

Sa i përket anës ekonomike, ka ende nevojë për përpjekje të mëtejshme për të forcuar dhe zgjeruar bashkëpunimin në këtë drejtim. Por do të doja të theksoja se ka një dëshirë të sigurt nga shteti i Katarit për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat e mundshme.

Katari do të organizojë Botërorin në futboll më 2022, si po shkojnë përgatitjet?

Po. Shteti i Katarit është vendi i parë arab që organizon Kupën e Botës në futboll në vitin 2022. Prandaj Katari mobilizuar të gjitha mjetet për të realizuar të gjitha përgatitjet e nevojshme për organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme botërore në mënyrë të përsosur dhe të denjë për vendin dhe për tërë rajonin arab. Aktualisht Katari po punon me të gjitha energjitë për modernizimin e infrastrukturës, objekteve dhe aseteve sportive, ato të shërbimit dhe hotelerisë në mënyrë që të përfundojnë në kohën e duhur, si dhe për të siguruar kushtet më të mira për ekipet pjesëmarrëse dhe tifozerinë e futbollit.

Puna vazhdon rregullisht dhe normat e punimeve nuk janë cënuar pavarësisht bllokadës së imponuar nga disa vende fqinje. Mund të them se Katari është pothuajse gati, pasi shumë nga këto projekte tashmë janë përfunduar, si psh projekti i metrosë dhe disa stadiume të reja, ndërsa projektet e tjera po ecin me shpejtësi drejt zbatimit të plotë.

Kam dëgjuar që ka shumë krahë pune nga Shqipëria, a kemi shifra konkrete ose përafërsisht?

E vërtetë. Ekziston dhe një Marrëveshje e Përbashkët Bashkëpunimi midis dy vendeve për punësimin e shqiptarëve në shtetin e Katarit. Në fakt, nuk ka statistika zyrtare për numrin e punëtorëve shqiptarë në Katar për shkak se disa hyjnë e të tjerë dalin sipas vëllimit të punimeve, por në total numri i tyre i kalon disa mijëra.

Shqiptarët në Katar punojnë në shumë fusha dhe jo vetëm në ndërtim. Shumë prej tyre janë të punësuar në sektorët e shërbimit, si hoteleri etj.

Cilët janë sektorët që kompanitë nga Katari duan të investojnë në Shqipëri?

Në kuadrin e Strategjisë Kombëtare 2030, Shteti i Katarit kërkon të përdorë burimet dhe të ardhurat nga nafta në mënyrë optimale për të siguruar një jetë sa më të mirë për qytetarët e tij dhe për të ruajtur të ardhmen e brezave që do të vijnë. Për këtë arsye, Shteti i kushton rëndësi të madhe diversifikimit të burimeve të të ardhurave dhe të investojë sufiçitin financiar në sektorë prodhimi e investimi brenda dhe jashtë vendit. Natyrisht që kemi investime të konsiderueshme jashtë vendit.

Sa i përket sektorëve të investimit në Republikën e Shqipërisë, unë mendoj se mund të jenë të gjitha fushat që kanë nevojë për investime dhe që mund ti shërbejnë të dy vendeve dhe popujve, përfshirë këtu sektorët e turizmit, bujqësisë, prodhimit ushqimor dhe industrial, si dhe sektorët e energjisë, minierave, transportit dhe infrastrukturës.

Si është klima e të bërit biznes për kompanitë e huaja dhe ku mendoni se ka më shumë potencial Shqipëria?

Jam i bindur se zbatimi i reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, veçanërisht reforma e sistemit të drejtësisë, do ta ndihmojë vendin në thithjen e investimeve të huaja.

Shqipëria ka shumë potenciale, është e pasur me burime natyrore, mosha mesatare e popullatës është e re dhe ka një vendndodhje gjeografike strategjike për shkak të afërsisë me tregjet europiane, gjë që mundëson që vendi të bëhet një portë për investimet e huaja në rajon.

Ne shpresojmë që pala shqiptare të prezantojë projekte investimi të mirëfillta e të plota që të mund të studiohen.

Sa kompani katariane janë prezente në Shqipëri ose në rajon?

Aktualisht ne në koordinim me autoritetet kompetente shqiptare, po punojmë për të ftuar delegacionet katariane që të vizitojnë Shqipërinë për të eksploruar mundësitë e investimeve këtu.

Shumë kompani katariane kanë treguar interes për mundësinë e operimit në Shqipëri dhe kanë kryer kontakte në vend. Gjithashtu Ambasada nuk kursen dhe nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të mbështetur të gjitha iniciativat që kanë për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet kompanive dhe bizneseve në të dy vendet.

Në nivel Ballkani, ka një kompani katariane po ndërton një kompleks të madh turistik në Malin e Zi. Shto këtu edhe fluturimet direkte që operon Qatar Airëays për dhe nga aeroporti i Shkupit dhe i Sarajevës.

Cilët janë sektorët ku mund të kemi bashkëpunim dhe shtrirje më të madhe të bisnesit nga vendi juaj ose anasjelltas?

Besoj se në të gjitha sektorët mund ketë bashkëpunim për sa kohë që kompanitë e të dy vendeve sigurojnë përfitime dhe shkëmbim të përvojave. Këto sektorë mund të jenë psh bujqësia, infrastruktura, ndërtimi, turizmi, energjia dhe minierat.

Konkretisht, disa kompani shqiptare kanë lidhur kontrata në Katar për produkte ushqimore, mjekësore dhe material të tjera bazë.

Qeveria e Katarit jep një ndihmë të madhe në disa projekte infrastrukturore në shtete të ndryshme, mund të na sqaroni diçka më shumë a ka të tilla në Shqipëri dhe ku janë ato?

Shumë vende anembanë botës kanë përfituar nga ndihmat katariane. Ndihmat e Katarit përfshijnë aspektet zhvillimore dhe humanitare. Shteti i Katarit i kushton vëmendje të veçantë vendeve më pak të zhvilluara që të arrijnë objektivat zhvillimit të mijëvjeçarit të ri.

Për Shqipërinë, shpresojmë që ta shikojmë këtë gjë së shpejti edhe këtu. Unë jam takuar me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjetikës, zyrtarë të tjerë të shtetit dhe përfaqësues të institucioneve relevante, ku kemi diskutuar mënyrat e rritjes së bashkëpunimit dhe për të mbështetur projektet e zhvillimit dhe infrastrukturës.

A do të kemi ndonjë vizitë të nivelit të lartë nga zyrtarët e të dyja vendeve?

Deri më tani kemi patur shkëmbim të shumë vizitave në nivel të lartë mes dy vendeve, ku më e spikatura mund të them se ishte vizita e Lartësisë së Tij Emirit Baba Sheikh Hamad Bin Khalifa Al Thani në Republikën e Shqipërisë në tetor 2011, e ndjekur nga shumë vizita të tjera të rëndësishme në nivel Presidenti dhe Kryeministri. Një vizitë tjetë e lartë pritet të zhvillohet së afërmi.

Sigurisht, shkëmbimi i vizitave të tilla konfirmon vullnetin e fortë të përbashkët mes dy vendeve për të konsoliduar marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin politik, ekonomik, kultural dhe në të gjitha fushat e tjera. Ne si ambasadë punojmë që të rrisim shkëmbimin e vizitave gjatë të gjitha eventeve që i shërbejnë këtij objektivi.

Besoj se marrëdhëniet politike dhe diplomatike midis dy vendeve do të njohin në të ardhmen e afërt zhvillim dhe bashkëpunim të mëtejshëm për të mirën e popujve të të dy vendeve.

Lindja e mesme padyshim që po kalon një moment jo shumë të qetë, a keni një koment për vendimin e Presidentit Amerikan Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit?

 Shteti i Katarit kundërshton çdo masë që çon në njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, sepse këto masa nuk ndihmojnë të shtyjnë përpara procesin e paqes në Lindjen e Mesme, përkundrazi ato pengojnë zhvillimin e negociatave midis palestinezëve dhe izraelitëve.

Qyteti i Jeruzalemit Lindor duhet të mbetet kryeqyteti i Shtetit Palestinez sipas një projekti me dy shtete me krijimin e shtetit të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967 sipas rezolutave ndërkombëtare.

Kemi një situatë të tensionuar mes vendit tuaj dhe disa shteteve të tjera, të cilat ju bashkangjitën vendimit të Arabisë Saudite për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike dhe për një bllokadë ndaj shtetit tuaj. Pse ndodhi kjo?

Do të doja të theksoj që në fillim se kjo krizë nisi me një krim piraterie ndaj Agjencisë së Lajmeve të Katarit “QNA” më 23 Maj, ku u publikuan lajme të fabrikuara që iu mveshën Lartësisë së Tij Emirit të vendit Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani. Rezultatet e hetimeve e kanë provuar krimin e piraterisë sikurse provuan përfshirjen e dy prej vendeve të bllokadës në këtë krim.

Megjithatë, mediat e vendeve të bllokadës (Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti) e injoruan këtë fakt dhe vazhduan fushatën e shpifjeve, nxitjes dhe të përshkallëzimit. Këto vende më 5 Qershor (2017), vendosën një bllokadë të padrejtë mbi shtetin dhe popullin e Katarit dhe madje edhe mbi popujt e vetë këtyre vendeve. Ky dhunim ndaj qytetarëve të zakonshëm është konfirmuar nga raportet ndërkombëtare rreth kësaj çështjeje, përkundër asaj që pretendojnë vendet e bllokadës.

Nga ana e tij, Katari nuk ka ndëmarrë asnjë akt hakmarrjeje, por ka ndjekur politikën e vetëpërmbajtjes dhe ngritjes mbi retorikën dhe politikën degraduese, sepse Katari mbështetet mbi vlera, tradita dhe morale. Kjo qasje pozitive e bëri Katarin të fitojë respektin e tërë botës, e cila dënoi logjikën e dënimit kolektiv ndaj qytetarëve të thjeshtë.

Arsyeja e krizës së Gjirit është përpjekja për ta vënë shtetin e Katarit nën tutelë dhe t’i imponojnë politika në kundërshtim me parimet dhe vlerat e vendit, dhe që cënojnë sovranitetin e tij duke ndërhyrë në punët e brendshme. Këtë gjë shteti dhe populli i Katarit e refuzojnë prerazi. Gjatë kësaj krize, populli i Katarit ka qëndruar pëballë sfidës me krenari për vendin e tyre dhe iu bashkua fuqishëm udhëheqjes së tyre dhe Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.

Ne kemi theksuar gjithmonë gatishmërinë për të gjetur zgjidhje nëpërmjet dialogut konstruktiv dhe racional dhe mbi bazën e respektit reciprok pa diktate e kushte, siç kemi theksuar mbështetjen tonë të palëkundur për nismën e ndërmjetësimit nga Kuvajti për zgjidjen e krizës dhe heqjen e bllokadës së padrejtë dhe të paligjshme ndaj Katarit.

Shteti i Katarit beson në vlerat e fqinjësisë së mirë, promovimin e bashkëjetesës paqësore dhe dhënien fund të të gjitha krizave në rajonin e Gjirit. Kjo për shkak se vendet dhe popujt e rajonit i bashkojnë lidhje vëllazërore dhe një fat i përbashkët. Prandaj, Katari vë gjithmonë theksin në rëndësinë e ruajtjes së unitetit të GCC-së (Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit) dhe krijimin e mekanizmave që parandalojnë përsëritjen e krizave të tilla në të ardhmen.

Flitet për raporte shumë të ngushta me Iranin dhe Turqinë, si janë ato dhe pse sipas jush përbëjnë problem?

Dihet që Turqia është një aleat strategjik për ne dhe Shteti i Katarit nuk do ta harrojë mbështetjen dhe pozicionin turk gjatë krizës së bllokadës. Unë realisht nuk e kuptoj sesi marrëdhëniet e mira me Turqinë mund të konsiderohen “akuzë”.

Në lidhje me Iranin, mendoj se çdo sjellje përshkallëzimi mund të çojë në një krizë të re që rajoni nuk mund ta përballojë. Irani është një shtet fqinj me vendet e Gjirit dhe ne kemi interesa të përbashkëta me të.

Nga ana tjetër, të mos harrojmë se Emiratet e Bashkuara Arabe janë partneri më i madh tregtar i Iranit mes shteteve të Gjirit. Egjipti po ashtu ka lidhur shumë marrëveshje me Iranin, prandaj habitem nga logjika e lëshimit të akuzave ndaj Katarit për gjëra që vendet e bllokadës i bëjnë vetë.

Është e vërtetë që ne nuk pajtohemi me Iranin për disa çështje, si politikat e saj në Siri psh, por mënyra e trajtimit të këtyre problemeve duhet të jetë përmes dialogut për të gjetur zgjidhje realiste.

Ka patur akuza ndaj shtetit tuaj, se po sponsorizoni Hamasin në Palestinë që është vlerësuar si organizatë terroriste, apo fraksionin e Al Qaedës në Siri, apo edhe për ndihmë Hezbollahut në Liban dhe në Jemen. A qëndrojnë këto pretendime?

Është e qartë që vendet e bllokadës kanë ngritur shumë akuza të rreme kundër Katarit pa asnjë bazë dhe provë. Në fillim të krizës u përpoqën t’i ngjishnin Katarit akuzën e mbështetjes dhe financimit të terrorizmit, por këtu dështuan tërësisht sepse komuniteti ndërkombëtar e njeh në detaje këtë çështje dhe e di përgjegjësinë e secilës palë në të. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë përgëzuar në vijimësi hapat e bëra nga Katari në luftën kundër terrorizmit.

Ne sot jemi në muajin e tetë të krizës dhe vendet e bllokadës nuk kanë sjellë ende një provë të vetme për pretendimet e tyre. Vetëm kjo do të mjaftonte për të vërtetuar fabrikimin e këtyre shpifjeve.

Më lejoni këtu t’ju jap një shembull për ta sqaruar më shumë këtë pikë. Duhet ta keni dëgjuar besoj lajmin e publikuar nga mediat e Emirateve të Bashkuara Arabe vetëm disa ditë më parë, ku akuzuan forcat ajrore të Katarit se kanë interceptuar dy avionë civilë emiratas gjatë rrugës së tyre drejt Bahreinit. Ky trillim u zbulua shpejt, pasi lajmin nuk e mohoi vetëm Katari, por edhe baza ushtarake amerikane në Udeid e cila monitoron trafikun ajror që nga Pakistani e deri në Marok. Gjithashtu gazeta prestigjioze “Financial Times”, vuri në dukje se kompanitë ajrore të Emirateve si Al Ettihad, Al Arabiya dhe Fly Dubai mohuan të kenë patur ndonjë interceptim nga avionët luftarakë të Katarit.

Nga ana tjetër, dua të sjell në vëmendje se fluturimet civile të Arabisë Saudite, Emirateve, Bahreinit dhe Egjiptit, ende vazhdojnë mbi qiejt e Katarit pasi Doha nuk ka marrë masa reciproke, edhe pse vendet e bllokadës i kanë ndaluar Qatar Airëays-it kalimin në hapësirën e tyre ajrore që nga java e parë e krizës.

Si e shikoni Lindjen e Mesme, kur mund të ketë paqe dhe pse është kaq e vështirë kjo fjalë për këtë rajon?

Ju e dini që kjo trajtimi i kësaj teme kërkon kohë të gjatë, por përmbledhtazi mund t’ju them që mendoj se problemi kryesor në këtë rajon është mungesa e zërit të arsyeshëm, politikat aventureske, përdorimi i logjikës së forcës dhe jo forcës së logjikës për të imponuar një realitet sipas një këndvështrimi të njëanshëm pa iu referuar fakteve, luajtja me fatet e rajonit dhe shpresat e njerëzve, dhe krijimi i krizave të vazhdueshme pa një një strategji për të dalë nga to.

Rruga për të arritur paqen e shumëdëshiruar është duke i dhënë fund veprimeve dhe sjelljeve që u përmendën më lart. Sipas meje duhet të ketë një qasje gjithëpërfshirëse në kuadër të legjitimitetit ndërkombëtar dhe rezolutave të OKB-së për të garantuar në rajon siguri të qëndrueshme, stabilitet, zhvillim, prosperitet dhe rikthimin e shpresës tek populli.

Një pyetje të fundit, ju keni punuar në gjigandin mediatik Al Jazera, për publikun shqiptar cili është çelësi i suksesit që u arrit në këto nivele? Çfarë mund t’i sugjeroni mediave shqiptare?

Rrjeti i Al Jazeera-s ka ndjekur që në fillimet e tij në 1996, parimin e mendimit të lirë dhe mendimit tjetër, zbatimin e kodit mediatik, dhënien e lajmit dhe paraqitjen e tij me kredibilitet, profesionalizëm dhe objektivitet, larg diktateve e orientimeve politike. Al Jazeera ka mbuluar çështjet e botës arabe duke vënë theksin tek shpresat dhe aspiratat e njerëzve, në vend që të ndjekë modelin e mediave tradicionale që ishin trumpeta të qeverive, një formë kjo ndryshe nga e zakonshmja në një rajon ku mbizotëronin mediat e regjimeve.

Parimet e lirisë në mendim, në shprehje dhe në punë mediatike, refuzimi i politikës së kyçjes së gojës, diskutimi i çështjeve në thellësi pa paragjykuar asnjë palë, dhe vënia në jetë e motos “t’i japim zë të pazëshmëve”, të gjitha këto e sollën rrjetin Al Jazeera në këtë standard dhe audienë globale. Shto këtu edhe investimet inteligjente në kuadrot njerëzore dhe pajisjet Hi-Tec, jo thjesht për tu përballur me sfidat e medias moderne por për t’u bërë lider në këtë fushë.

Medias shqiptare do t’i sugjeroja të mbështetet në profesionalizëm dhe objektivitet dhe të mos përqendrohet gjithmonë në luftën e brendshme politike, sepse çdokush që ndjek mediat lokale këtu krijon një imazh negativ për vendin, për shkak të grindjeve të vazhdueshme dhe shkëmbimit të akuzave pafund ndërmjet partive të ndryshme.

Media shqiptare mund të luajë një rol të madh në shërbim të interesave kombëtare përmes promovimit të potencialit të vendit në fusha të ndryshme, nxjerrjes në pah të zhvillimet pozitive të realizuara nga Shqipëria dhe në këtë mënyrë mund t’i hapë udhë dhe të tërheqë investime të huaja në vend.

 

Pas