-Kulturë

Pas protestave aktorët dorëzojnë 780 firma kundër prishjes së godinës së teatrit

Pas 10 takimesh, çdo të hënë në oborrin e Teatrit Kombëtar, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar e mbylli këtë fazë.

Ishte dorëzimi pranë Ministrisë së Kulturës i kërkesës për shpalljen e dy godinave të TK dhe të Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në një “korpus monument kulture”, që i dha fund kësaj faze të parë rezistence ndaj idesë për shkatërrimin e godinave të mësipërme dhe ndërtimit në vend të tyre të një tjetër teatri, shoqëruar me një seri kullash, si produkt i partneritetit publik-privat.

Kërkesa në fjalë është shoqëruar me firmat e 780 artistëve, politikanëve dhe qytetarëve të Tiranës, që kërkon ruajtjen e godinave të teatrit si pjesë e memories së qytetit, por edhe historisë së një sërë institucionesh kulturore që kanë hedhur hapat e para, pikërisht në këtë kompleks godinash.

I pari që hodhi firmën në këtë kërkesë ishte aktori Robert Ndrenika, i pasuar nga shumë të tjerë. Regjisori Kastriot Çipi, një prej artistëve më aktivë në mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe një ndër drejtuesit e SASE-s (Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit”, thotë se tashmë ka përfunduar faza e grumbullimeve dhe fjalimeve në oborrin e teatrit dhe po mendohet, po diskutohet një formë e re rezistence, jo detyrimisht përmes radikalizmit të saj me greva urie, por pse jo përmes vet artit, teatrit, muzikës, video-projeksioneve… por gjithçka do të bëhet me dije në ditët në vijim. Ndërkaq, ideja për ngritjen e një fondacioni që do të mundësojë mbledhjen e fondeve për të rikonstruktuar godinën aktuale të TK-së, pritet të marrë formë ligjore./Panorama

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko