Aktualitet, Editorial, Te Fundit

Opozitë brenda Opozitës, apo Opozitë me Ramën?!!

Nga Dritan Laci

Shqipëria është futur në muajt e fundit në një spirale të rrezikshme, ku do të mjaftonin lajmet e fundit apo deklarata me emra të përveçëm kriminelësh të thëna troç nga ambasadori amerikan, për të kuptuar se sa e rëndësishme është në këtë moment një front i gjerë për të shpëtuar shtetin e kapur nga kthetrat e krimit.

Por ndërsa qeveria Rama është në pikun e hallit për shkak të kësaj situate, opozita; dhe këtu flasim për partinë kryesore atë Demokratike, vazhdon të mbetet e përçarë si pasojë e përplasjeve të brendshme që datojnë që nga zgjedhjet e 23 Qershorit. Përplasje që janë kaq evidente sa të lënë përshtypjen se më shumë kemi një luftë opozitë brenda opozitës se sa një luftë dhe që kështu duhet të ishte midis Opozitës dhe arrogancës në rritje të Ramës në pushtet që përpos numrave në parlament po shijon i qetë edhe këtë përplasje brenda llojit që i shkon për shtat në këto momente aspak të rehatshme për pushtetin e tij.

Dhe këtë lloj relaksimi të Ramës duket se po e bën grupi anti-Basha në parti dhe jashtë saj. A kanë të drejtë në kërkesat e tyre? Sigurisht që mund të kenë. Por a është kjo forma për të dobësuar Bashën dhe njëkohësisht Partinë Demokratike pikërisht në këto momente. Dhe për më tepër duke e luftuar së jashtëmi dhe jo brenda Partisë? Kjo duket marrëzi. Aq sa nuk mund ti heqësh paralele as me debatet anti-Rama në Partinë Socialiste, që paçka censurës, në një farë mënyre bëheshin brenda Partisë. Por të zësh në këto momente, në kulmin e shpërthimit të bandave kriminale të paktën 3 ekrane televizive në një fasho orar duke luftuar Bashën dhe moskryqëzuar Ramën në momentin e tij më të dobët, kjo nuk tregon asgjë tjetër vetëm miopi.

A ka gabime Basha? Po sigurisht që mund të ketë. Por a e ndihmon Partinë Demokratike në këto momente, largimi i Bashës nga drejtimi, sikundër kërkon grupimi kundërshtar? Nëse kishin pakënaqësi kaq të mëdha ndaj Bashës, a do kishte qenë më mirë që këto pakënaqësi ti kishin drejtuar më herët, pse jo që në mandatin e parë opozitar, kur do kishte sens edhe një lloj rivitalizimi i brendshëm i PD-së, se sa në këto momente kur pritet që opozita ti bëjë ballë pushtetit gjithmonë e në rritje të socialistëve. E bërë sot dhe në këtë mënyrë, kjo opozitë brenda opozitës bie më shumë era ligësi se sa sipërmarrje për të shpëtuar Partinë Demokratike.

Sepse sipërmarrja e vërtetë e këtyre që sulmojnë Bashën duhet të fillonte nga opozitarizmi në mandatin e parë, ku përjashto disa syresh, të tjerët që sot kanë mbirë ekraneve kundra Bashës, pothuaj humbën fare nga diskursi opozitar. Ku një pjesë e fajit për humbjen e Partisë Demokratike u shkon edhe atyre, sepse e shikojnë opozitarizmin si një fjalim recitativ që përfundon me zbritjen nga foltorja.

Ndaj përpara se të bëjnë opozitën e opozitës, duhet të pyesin veten, ose të dalin të bëjnë vox-pope se sa të besueshëm te vetë demokratët janë në qëllimin e tyre për të rimëkëmbur Partinë Demokratike? Ose të gjejnë mënyrë tjetër për të shpëtuar Partinë Demokratike pa ja thyer këmbët e karriges për të shpëtuar karrigen e Ramës.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko