-Kulturë

“Nuk ka kurva në këtë botë”! Mustafa Nano: Duhet ta sfidojmë shoqërinë shqiptare, është ‘prapa dynjasë’

               Publikuar në : 13:49 - 25/05/18 |
Gerta

“Nuk ka kurva në këtë botë”, një stand-up komedi nga Mustafa Nano, ngjitet në skenë në datat 24-27 Maj në Teatrin Eksperimental.

Një monolog që tërheq dhe provokon që në titull, zgjat rreth 90 minuta, dhe i dedikohet gruas, burrit, marrëdhënieve që ata kanë mes tyre. Një monolog që për nga mesazhi i fortë që përcjellë është ndër të rrallët që ngjitet në një skenë në teatrot shqiptare vitet e fundit.

Në një intervistë për Opinion.al lidhur me këtë shfaqje, Nano, shprehet se seksi, kurvat, orgazma, etj, janë aksesorë në këtë shfaqje, sepse në thelb ajo përcjell mesazhe të tjera filozofike, politike.

Sa i përket titullit gazetari dhe publicisti Mustafa Nano,  shprehet se është pakëz gënjeshtar. Nano nuk nguron të thotë se shoqëria shqiptare është e prapambetur, ose siç e përcakton ai “prapa dynjasë”, e për këtë ai shprehet se të gjithë duhet ta sfidojmë.

 

Lexoni më poshtë intervistën e plotë të Mustafa Nanos

 

Titulli duket sikur provokon, të paktën në shoqërinë shqiptare. Cili është nënkuptimi i vërtetë i tij?

Titulli është pakëz gënjeshtar. Ok, është e vërtetë, unë flas për seksin, për kurvat (duke e denoncuar përdorimin e këtij nocioni), për gratë në përgjithësi, por flas edhe për tema të tjera, siç janë barazia gjinore që është e lidhur me gruan e seksin, për shoqërinë shqiptare, për patriarkalizmin, për forcën e  zakoneve, për provincën, etj, etj. Kështu që titulli aq sa është një përgjigje ndaj përmbajtjes, po aq është edhe një gjetje promocionale. Që duket se ka ngjitur.

Kjo do të thotë se spektatorët mbrëmë nuk kanë ndjekur një show mbi kurvat?

Ata ndoshta kanë pritur që unë të ndalesha vetëm në këtë argument. Por vura re se u surprizuan për mirë, kur panë se show ishte në një pjesë të madhe i fokusuar edhe në argumente të tjera.  Por të gjitha argumentet ishin të lidhura prej mesazhit kryesor: Hej njerëz, hapni dritaret e trurit dhe jini vetvetja.

Duket sikur keni qejf ta sfidoni shoqërinë.

Po, është e vërtetë. Dhe unë mendoj që kjo është një gjë që duhet ta bëjmë të gjithë. Shoqëria shqiptare është e prapambetur, patriarkale, mendje mbyllur, apo thënë me një gjuhë fare të kuptueshme, është “prapa dynjasë”. Një shoqëri e tillë duhet sfiduar. Për ta ndryshuar.

Mund të na thoni diçka më shumë mbi përmbajtjen? Në terma konkretë?

Shikoni, nuk dua të heq elementin befasues të show-t e prandaj nuk dua t’ju them shumë gjëra lidhur me këtë pikë. Por dua të saktësoj se seksi, kurvat, orgazma, etj, janë aksesorë në këtë shfaqje, e cila në thelb përcjell mesazhe të tjera filozofike, politike, etj. Ky show është një nga gjërat më serioze që unë kam bërë ndonjëherë. S’ka gjë se spektatori ftohet gjatë gjithë kohës që të qeshë.

Një arsye konkrete pse duhet të vinë t’ju shohin.

Duhet të vinë, pasi them ca gjëra që nuk para i thonë të tjerët. Dhe i them me një gjuhë skenike. Sigurisht, nuk duhet të vinë për të parë aktorin Mustafa Nano, pasi unë nuk jam aktor. Nuk jam fare aktor. Pastaj, duhet të vijnë sepse ka gallatë. Unë vetë nuk e mbaj veten si gallataxhi, jam krejt e kundërta në fakt, por në këtë show vura re mbrëmë që mund të qeshet. Salla ka qeshur të shumtën e kohës.

Cilat janë komentet që morët mbrëmë?

Komenti që më pëlqeu më shumë e që m’u tha nga shumë njerëz ishte: Teksti ishte fantastik. Më vjen mirë që ma thanë këtë gjë. Sepse e prisja të ma thoshin. Të gjithë pastaj më thanë se “u argëtuan për 90 minuta”.

Intervistoi- Gerta Zaimaj

Pas