Bota

“Njerëz të nxirë me rroba të ngjitura pas trupit”, dëshmitë e tmerrit që lanë pas zjarret në Greqi

               Publikuar në : 21:38 - 27/07/18 |
m.b

Dëshmitë e të mbijetuarve nga zjarret në Greqi janë tronditëse, me përshkrime të skenave apokaliptike, ku trupat e djegur të njerëzve u krijonin përshtypjen sikur kalonin në një zonë me zombi.

Të mbijetuarit e traumatizuar kanë zbuluar se si flakët deri në 15 metra të larta shkrumbuan një vendpushim grek dhe se si bohçet e pishës nga nxehtësia e madhe shpërthenin si të ishin granata. Njerëzit thonë se edhe minjtë hidheshin nga shkëmbinjtë në ujë për t’i shpëtuar atij ferri.

Disa që mbetën në shtëpitë e tyre dhe arritën të mbijetonin, kur u gjetën dukeshin si zombi pa jetë që ecnin, me djegie të tmerrshme. Të tjerët qëndruan me orë të tëra në ujë, duke notuar në errësirë, pasi u zhytën në det kur flakët përfshinë gjithë zonën e bregdetit, duke gllabëruar shtëpi dhe makina në një shpejtësi të pabesueshme.

Ka raportime se fshati Mati u dogj brenda dhjetë minutave. Përhapja e panikut midis vendasve dhe pushuesve nuk ka ndihmuar aspak situatën. Në tragjedinë që tashmë raportohet se ka marrë 85 jetë, mbeten ende shumë të zhdukur. Në zonën e goditur nga zjarret, ku tashmë pjesa më madhe janë vënën nën kontroll, kanë nisur të dërgohen arkivole për viktimat e shumta.

Familjarët e dhjetëra të zhdukurve kanë dhënë gjak për të testuar ADN-në e tyre, duke shpresuar që të gjejnë të afërmit. Një njeri, Stelios Nikolaou, shtëpia e të cilit ishte lënë në gërmadha, e krahasoi zjarrin me “Ferrin” e Dantes. Ai tha se mezi kishte arritur të nxirrte nga shtëpia, gruan, djalin dhe qenin e tij Fidel dhe janë drejtuar me vrap për në det ku kanë qëndruar për orë të tëra, ndërkohë që e gjitha zona ishte një konfuzion i pakrahasueshëm.

“Flakët 15 metra të larta u përhapën në kodër me një ritëm të pabesueshëm”, tha ai për korrespondentin e “The Times”.

“Njerëzit po bërtitnin, makinat po shpërthenin, bohçet e pishave plasnin si granata. Njëra prej tyre madje goditi Fidelin, duke i vënë flakën dhe u detyrova ta hidhja në det për ta shpëtuar. Ishte aq nxehtë dhe shkatërrimi ishte aq i madh, sa edhe minjtë po kërcenin nga shkëmbinjtë, duke u zhytur në det”, tha ai.

Familja e tij kishte qëndruar duke notuar në det për orë të tëra me qindra të tjerë, para se ekipet e shpëtimit të mbërrinin. Por, teksa prisnin, ata dëshmonin imazhin e njerëzve të moshuar që dilnin nga shtëpitë e tyre me djegie të tmerrshme. Ata me sa duket kishin mbetur në shtëpi ose nuk ishin në gjendje të iknin në kohë.

Gruaja e Nikolaou i krahasoi ata me zombi pa jetë, pasi fytyrat e tyre ishin të djegura dhe rrobat u ishin ngjitur me lëkurën. Ajo tha se të moshuarit u rrëzuan një nga një, ndërsa njerëzit nxituan për t’i ndihmuar. Dhjetëra njerëz ende janë të pagjetur, por ekipet e kërkim-shpëtimit besojnë se shumë prej atyre që janë të shënuar si të zhdukur janë të vdekur, me mbetjet e trupave në morgun e qytetit të Athinës. Të afërmve të të zhdukurve u është thënë të sigurojnë kampionë të ADN-së në mënyrë që të mund të kryhet identifikimi.

 

Pas