Editorial, Kryesore

Një pjatë supë edhe për naftëtarët në natën e ndërrimit të viteve!

Nga Manjola Bregasi

Ka një shpirt çdo qytet. Një shpirt që merr frymë, që klith apo që rënkon. Dhe shpirti i atij qyteti ka qenë uzina. Kështu e quanin qytetarët e Ballshit rafinerinë e sotme. Uzina ishte kryefjala. Ajo që i punësonte dhe ushqente fëmijët e tyre. Thuajse çdo familje kishte një punonjës në uzinë, në rafinerinë e famshme që deri vonë me sa kujtoj sillte të ardhura të mira, jo vetëm në arkën e shtetit, por edhe për ata që punonin aty.

Para se të largohesha nga qyteti kujtoj që punëtorët e uzinës paguheshin mirë, merrnin rroga shpërblim dhe rafineria ishte një “minierë ari”.

Këtu unë i ndërpreva lidhjet e mia indirekte me uzinën dhe qytetin ku u rrita, ndërsa ai mbeti atje, bashkë më qindra punëtorë, që vazhdojnë ta mbështesin jetën tek shpirti i atij qyteti, tek uzina.

Por tashmë, rafineria e amortizuar nuk mundet të mbajë as veten dhe jo më familjet e naftëtarëve, që në këtë prag të ndërrimit të viteve presin të paktën të shtrojnë tryezën festive.

Gjeli i detit ka qenë traditë në zonën tonë, por kam dëgjuar se tashmë kjo traditë po zhduket. Jo për shkak të dëshirës, por për shkak të pamundësisë.

I pashë 200 naftëtarët teksa ecnin në këmbë drejt Tiranës, në shi. Janë më shumë se 100 km dhe jam e sigurt që nuk ka qenë e lehtë për ata burra, prindër dhe familjarë që peshën e viteve ua shton edhe pesha e halleve.

Duhet të jetë e rëndë të mendosh që në kto ditë festash, kur qytetet shkëlqejnë së jashtmi nga dritat dhe fishekzjarret,brenda familjeve të mungojë një pjatë supë e ngrohtë në një tryeze modeste festive.

Në një vend ku varfëria nuk është më risi, ndoshta një tryezë bosh nuk ëhstë më lajm, por në një vend që pret në integrohet në BE, një punë e papaguar sigurisht që është lajm.

Ministri premtoi se nesër naftëtarët do të marrinn rrogën e nëntorit, ndërkohë që ata vazhdojnë të jenë mosbesues ndaj tij, mosbesues ndaj shtetit dhe ndaj drejtuesve të kompanisë, që duket se më shumë se sa emra dhe njerëz konkretë po kthehen në një thashethemnajë së cilës nuk po i gjendet as fillimi dhe as fundi.

Janë 12 muaj të papaguar në një institucion që tashmë prej vitesh ka nisur të rënkojë teksa kalon nga një aksioner tek një tjetër, ndërkohë që 200 punëtorët e tij kërkojnë vetëm një pjatë supë në mbrëmjen e ndërrimit të viteve. Gjelin e detit dhe traditën e kanë harruar tashmë.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko