Aktualitet, Komente, Te Fundit

Një muaj në çadrën e ëndrrave

Nga Edi Lesi

Shqipëria sapo mbushi 31 ditë aspak të ngjashme me të tjerat. Protesta në bulevard ia ka dalë të ndajë kohën në dy pjesë. Para dhe pas 18 shkurtit, dhe po ashtu në dy botë ndarë me një palë kangjella të pahijshme.

Në njërën anë kemi godinën hermetike, grilëulur, të paqeshur të qeverisë, ku ai që e mban veten si lider global po reduktohet cdo ditë në një shef të zakonshëm ekzekutivi që kalkulon orët, ditët, kartonat, aleancat, për të mbajtur frerët e pushtetit.

Mu përballë në shesh, në një çadër me stil spartan dhe një kaos të gëzueshëm, kemi një botë tjetër të çliruar nga ankthi, të lirë, që ka bojën e njeriut, ku secili që shkon e vjen ndihet i barabartë, sepse nuk ka kasta, hirearki, shefa të mëdhenj apo të vegjël.

Ajo është një çadër ëndrrash ku flitet për republikën e re, ashti i të cilës do të jetë qytetari.
Aty nuk ka hesape ku ndahen zonat, ku caktohen postet, vendosen doganierët, taksidarët e drejtorët.
Në ato stola që cijasin gozhdash të ndryshkura a prej peshës për të cilën nuk ishin prodhuar, ka dëshmitarë nga çdo anë e vendit që dëgjojnë herë Kim Mehmetin herë Mark Markun, Cupin e Gjekmarkajn, Lelën, Agim Hushin, Ardian Isufin, Shkullakun a Sonila Mecon, gazetarë, aktorë, tenorë, aktivistë, ka dëshmitarë që kalojnë një huti jo të vogël kur shfaqet i majti Dritan Hila, sakaq e marrin veten se e dinë pse janë aty dhe dëgjojnë me respekt, ngulen me nderim të posaçëm për Edmond Tupen, hovin në këmbë kur merr mikrofonin Lulzim Basha, të gjithë një metër larg, pa foltore, pa frone, pa platforma, ashtu në shesh grumbulluar ditë-natë.

Pakkush kërkon të bjerë në sy, e të bëjë poza, apo të tregojë që është aty.
Çadra është zakon i njerëzve sot dhe çdo ditë takon dikë që se ke parë prej vitesh, çdo ditë njihesh me dikë për herë të parë.

Eshtë një gjë e re, ngjitëse që i ka robtuar të gjithë.
I ngjan një mrekullie, por siç thotë Borges, mrekullitë kanë tagrin të vendosin rregullat e tyre.
Dhe ka një rregull aty, rregulli është se çadra vazhdon, nuk epet, derisa të garantohen zgjedhje të lira e të ndershme.

Po çfarë e bëri këtë protestë kaq të pazakontë që çdo ditë mbushet me energji e nuk sos, teksa vjetëron gjithcka tjetër përreth saj, e bën të duket e dalë kohe.
Për herë të parë, kemi një manifestim, një qendresë që nuk bëhet për rezultatin e zgjedhjeve, por për standardin, për procesin.

Shpesh opozitat kanë protestuar pasi KQZ ka shpallur numrat, kanë protestuar pse nuk erdhën në pushtet.
Kanë protestuar për të ruajtur karrigen e shefit.
Kjo e cadrës, nuk ngjan asnjë hije me to.

Zgjedhjet që po vijnë, sipas të gjithë rrethanave dhe përvojës së 4 viteve, nëse bëhen me kushtet e sotme, janë hiç më pak se një thërtore. Ka një kujdestari kriminale për cdo qendër votimi, gjithë shteti në gjurmimin e votës, miliarda euro nga paratë e drogës që sigurisht do të hidhen për ata që i lejuan të mbjellin, korrin e transportojnë. Dhjetra abuzime skandaloze me fondet, në cdo nivel të qeverisjes, një korrupsion që kërkon me cdo kusht mbrojtje, më e pakta, duke mbajtur pushtetin, korrupsion që mëton vijim po ashtu.

A mund të ketë një garë më të pabarabartë se kjo, kur ata që duhej të ishin garantët e qytetarit janë bërë kumbarë, miq kryekreje, me kriminelë me damkë, të fortë e trafikantë që sundojnë lagje e qytete.
A mund të ketë garë më të pabarabartë se kjo, kur opozita nuk ushtron plotësisht as të vetmin instrument që ka, fjalën.

Zgjedhjet në kushtet aktuale do të ishin vetëm një noterizimin i një katërvjecari të ri me Ramën, pa dëgjuar zërin e qytetarit, pa e lënë atë të shprehet me votë.

Frenimi i këtij projekti është jo vetëm përgjegjësi e opozitës, po bash detyrë e saj. Opozita nuk e konkuron dot qeverinë me para, me krim, me mujsharë, me forca speciale, me media. Po sigurisht, e konkuron duke prodhuar politikë, ide, duke krijuar një bërthamë lirie e sovraniteti në atë shesh, që nëse nuk mbërrin në gjithë Shqipërinë, gjithë Shqipëria po mbërrin aty.

Dhe këtë garë mendimi e vizionesh, opozita e fitoi. Prej një muaji ajo i prin opinionit në vend dhe ka bërë për vete njerëzit, intelektualët, të rinj, burra e gra. E për shkak se kërkon standard europian, standard amerikan, në zgjedhje, çdo ditë e më shumë, europianë e amerikanë e mbështesin kauzën për zgjedhje të lira e të ndershme.

Ndaj dhe, nga 18 Shkurti, çadra ngjan me një kështjellë të lirë, ndërsa godina përballë me një çadër tinzare dhe pushtuese.

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko