Editorial

Një kryeministër “bitcoin” për oligarkët dhe barrë fiskale për qytetarët

               Publikuar në : 17:20 - 03/04/18 |
rel d

Nga Dritan Laci

Ju kujtohet ajo monedha model “bitcoin” me emrin dhe firmën e Edi Ramës që mbushi një ditë portalet. Një send metalik oval me dhëmbë të ngrëna dhe ngjyrën e shplarë të nikelit që po të mos kishte të gdhendura brenda gjeneralitetet e kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, dikush do të rrekej ta shiste si një zbulim numizmatik të kohës së një perandori që sja kemi dëgjuar kurrë bëmat historike.

Në fakt edhe pse dikush e quajti monedha misterioze e Edi Ramës, apo dikush hodhi edhe idenë që ta dorëzonte këtë zbulim të pasojshëm monetar në këndin e sendeve të humbura pranë Kryeministrisë, askush nuk i shkoi nga pas: “Ore çfarë është kjo monedhë?

Duke njohur Ramën dhe dellin e tij të delirit dhe arrogancës nuk do të ishte fare çudi që një ditëz të dilte dhe ta shpallte veten si trashgimtar të Perandorit Bizantin Anastasi I, i njohur për reformimin e taksave dhe atë monetare.

Vetëm se në ndryshim nga Anastasi I që i siguroi mirëqenie popullit të tij, Rama punon çdo ditë i hipur në kurriz të qytetarëve të tij, të cilët i trajton si plebenj dhe budallenj që nuk meritojnë as të ngopin zorrën me bukë të thatë e jo më të mendojnë.

Koha dhe veprimet që po bën nuk të lën të hamendësosh asnjë shteg tjetër mendimi.

Rama dhe monedha e tij “bitcoin” që hap dyert e suksesit të rrethit të tij të oligarkëve, mendon se tashmë që ka hyrë në histori (ëndrra e tij në opozitë për tu bërë kryeministër) çdo gjë që duket e realizuar.

Por Rama harron se çfarë damke shënon një ditë historia kur të merret në analizë puna e tij.

Një kryeministër që nuk ka bërë asnjë rrugë në 5 vite qeverisje.

Një kryeministër që mbolli vendin me kanabis dhe la të lirë narkotrafikantët më të kërkuar në Evropë.

Një kryeministër që ushqeu me gjakun e qytetarëve të tij oligarkët që e sollën në pushtet, duke shitur te klani i tij edhe laboratoret publikë shëndetësorë të analizës së gjakut dhe urinës.

Një kryeministër që u vuri traun 5 euro qytetarëve të tij më të varfër, ku 40 për qind e qytetit të Kukësit rrojnë me 40 mijë lekë ndihmë sociale në muaj.

Një kryeministër arrogant që kujdeset për dëmet e pesë sporteleve të konceisionarit dhe që nuk denjon të bisedojë me hallet e popullit të tij.

Një kryeministër të cilit në 5 vite qeverisje i kanë ikur 200 mijë të rinj shqiptarë nga vendi, dhe që paturpësisht tallet duke thënë se kështu ikin edhe gjermanët.

Një kryeministër tinëzar që po kaq paturpësisht tallet me të rinjtë, duke u thënë se “punë ka. por nuk ka profesionistë”, ku e vetmja mundësi punësimi pas përfundimit të studimeve për të rinjtë janë “Call Center”

Një kryeministër që nuk bën dot një vepër të vetme publike, as edhe një teatër kombëtar, pa majmur xhepin e tarafit të tij të PPP-ve, që i ushqen si shushunjëza me taksat e qytetarëve.

Një kryeministër “bitcoin” që ka humbur lidhjet me vendin e tij dhe që rri e fshihet prej disa ditësh në Vlorë, a thua në pritje të ndonjë gomoneje për tu arratisur, ku të vetmit që e mbrojnë janë “patricët” oligarkët e tij, kasta që ka majmur gjithë këto vite, duke e rrjepur deri në palcë, çdo pasuri të mundshme në këtë vend. Një kryeministër që edhe shtepinë e tij thotë se  ja kanë bërë me PPP.

Ky është kryeministri i sotëm i Shqipërisë. Një monedhë e artë në duart e oligarkëve të tij dhe një barrë fiskale që po i shtrëngon lakun në fyt nga dita në ditë popullit të tij, që duhet të marrë me urgjencë fatet e veta në dorë, në mos përfundoftë shumë shpejt me këtë ritëm azilant i gjithi në kampet e refugjatëve nëpër Evropë.

Pas