Editorial, Te Fundit, Të Gjitha

Një grua, një video dhe një shoqëri në kërkim të moralit

 

– Manjola Bregasi 

Mediat nxituan ta shpërndajnë nën tundimin e titujve bombastikë. Kuriozët nxituan të shohin, që më pas të kenë mundësinë të analizojnë, të filozofojnë e ca më tej akoma të bëjnë moral. Një grua u regjistrua me një kamera në dhomën e saj të gjumit, në shtrat me një mashkull që nuk ishte burri i saj dhe në prani të fëmijëve të mitur.  Ndërkohë që i shoqi ishte prej 4 vitesh emigrant ne Amerikë, gruaja nga Kopliku jetonte në shtëpi me prindërit e burrit, motrën e tij dhe bashkëshortin e saj. Janë pikërisht familjarët e tij, të cilët pasi e regjistruan vendosën ta denoncojnë publikisht,  në një ekran televiziv, tradhtinë që nusja po i bënte të birit emigrant dhe dramën që luhej dhimbshëm brenda një familjeje, në dukje tradicionale dhe me moral të fortë, ku disa kurora jetojnë së bashku nën të njëjtën cati, ashtu si dikur.

Por, pasi kjo familje vendosi të nxjerrë në ekran gjithë hallet e skandalet që vlonin brenda saj, një tjetër hall nisi të vlojë në shoqërinë shqiptare, që si qëmoti pëlqen të bëjë “sehir” e thashetheme ulur nëpër baret e zhurmshme buzë rruge, në kërkim të gjetjes së fajtorit. A ishte faji i mediave dhe portaleve që shpërndanë lajmin bashkë me video për disa lexues me tepër? A ishte faji i vjehrrit që denoncoi nusen e djalit duke nxjerr në tellall hallet e shtëpisë? A ishte faji i gruas së përdalë që tradhtoi burrin pas 4 vitesh emigrim apo faji i burrit që iku në Amerikë duke e lënë gruan të vetme për 4 vite? A i justifikon e gjithë kjo panoramë të qarat e fëmijëve që dëgjohen qartë në video duke përjetuar një skenë që zor se do të shlyhet nga kujtesa e tyre. E në rast se ata do të përpiqen ta harrojnë, është e sigurt se titujt e gazetave dhe portaleve do t’ua kujtojnë gjithë jetën.

Një grua, një video dhe familja e burrit të saj janë vetëm pjesa e dukshme e ajsbergut, ndërkohë që shoqëria në kërkim të moralit është e padukshmja, që përplas dhe thërrmon këdo që guxon ti dalë përpara. E këtë radhë pas këtij ajsbergu janë përplasur dy fëmijë të pafajshëm, që vështirë se do ta gjejnë ekuilibrin e jetës, teksa ne si shoqëri vazhdojmë të bëjmë moral në kërkim të moralit, për të qetësuar ndërgjegjen e për të gjetur fajtorin, për të kryqëzuar nusen tradhtare a për të fajësuar familjen që regjistroi dhe shpërndau videon, ndërsa në media do të vazhdojnë sërish të qarkullojnë të tjera lajme pa vlerë e pa moral, ne perpjekje per te moralizuar.  

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko