-Kronikë, 3, Aktualitet, Kryesore

Ngjarja e rëndë e Elbasanit, shfryhet dosja. Prokuroria nuk gjen prova për goditjen e policisë me Audi të blinduar

Pakkush mund ti harrojë pamjet që u shfaqën në “Opinion” në fund të shtatorit që hodhën dritë mbi sulmin ndaj policisë me makinë të blinduar në dyert e tregut ushqimor të Elbasanit.

Por sot, pas 3 muaj hetimesh dosja është shfryrë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencë për hetimin e katër personave, të cilët u arrestuan mbrëmjen e 18 shtatorit.

Për Enea Bekteshin, (i cili tha se drejtonte Audin e blinduar A8), Kelmend Xhaferrin, Valmir Dedjan dhe Ledio Zabelin nuk u gjeten prova për akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj punonjësit të policisë.

Dosja nga Krimet e Rënda kalon sërish tek Prokuroria e Elbasanit, raporton televizioni Klan. Personat e lartpërmendur akuzohen vetëm për kundërshtim të forcave të policisë dhe largim nga vendi i aksidentit.

Pavarësisht se fillimisht u dyshua se sulmi ndaj policisë ishte i organizuar, nuk u gjet asnjë provë deri tani, thanë burimet e prokurorisë për Klanin.

Në 18 Shtator, në hyrje të tregut agro-ushqimor, ku ishte vendosur një post-bllok policie, një mjet i blinduar hyri me forcë brenda duke mos iu bindur urdhrit të policisë. Audi i blinduar goditi makinën e n/drejtorit Gjergji Oshafi, por reagimi i punonjësve të policisë ishte mjaft i dobët, pasi nuk bënë arrestimin në flagrancë të personave që ndodheshin në Audin e blinduar.

Një muaj pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shkriu Policinë e Elbasanit, duke liruar dhe shkarkuar nga detyra 10 punonjës policie. U lirua nga detyra drejtori i policisë së qarkut Arben Dashi, ndërsa zëvendësi i tij Gjergj Oshafi u shkarkuar nga detyra.

Disa herë opozita ka akuzuar se në drejtimin e mjetit të blinduar nuk ka qenë personi që u arrestua, por Suel Çela, djali i pronarit të tregut ushqimor Petrit Cela. Ky person dyshohet se është larguar nga Shqipëria pas ngjarjes. Po kështu Berisha ka shkruar se në vendin e parë të Audit që goditi policinë ka qenë dhendrri i Kryetarit të bashkisë Elbasan, Sokol Sanxhaktari. /Opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko