Aktualitet, Komente, Te Fundit

Nga Aurel Plasari/ T’i kujtosh kryeministrit parlamentin e Mussolinit

Aurel-portret-2-229x300

Nga cikli “Me historinë poshtë nënkresës”)

Në vend që këtë t’ia bëja unë, ia bëri këtu e një javë të shkuar z. Carlo Bollino, i cili historinë e Italisë së tij e njeh bukur mirë. Duke e përkapur me intuitë se ku mund ta çojë kryeministrin e Shqipërisë dhe parlamentin e “shumicës” së tij kriza e rëndë politike e daljes së opozitës nga parlamenti dhe e gjasës së refuzimit prej saj të zgjedhjeve të pritshme, gazetari në fjalë nuk e ka fshehur aluzionin politik: “Edi Ramës nuk i mbetet tjetër veçse të festojë. Megjithatë nuk është kështu…” etj. Duke qenë se nuk shkruan për lexues italianë, por për lexues shqiptarë që nuk e kanë nxënë në shkolla historinë e fashizmit, merret vesh që duhet ftilluar paksa se ç’kuptim ka të festuarit e parlamentit mussolinian me “shumicën” fashiste brenda dhe opozitën jashtë. Që të mos ua hedhim kështu, pa të keq, lexuesve.

Mbas “krimit Matteotti’, siç u quajt rrëmbimi dhe zhdukja më 10 qershor 1924 e deputetit opozitar Giacomo Matteotti prej gangsterëve me ndihmën e të cilëve Mussolini ishte ngritur në pushtet, parlamenti italian kishte hyrë në krizë. Qenë vrazhdësuar termat e luftës politike me t’u njoftuar rrëmbimi i deputetit. Opozita nuk kishte ngurruar ta akuzonte drejtpërsëdrejti Duce-n, qysh në moment e para të lajmit, si “vrasës”. Nga ana e vet Mussolini bënte bé e rrufe që jo vetëm nuk kishte dorë në “zhdukjen” e deputetit opozitar dhe kundërshtar vetjak të tij, por që ndihej edhe fort i dhëmbysur. Ndërkohë që premtonte se qeveria e tij do të bënte çmos e çnuk për ta zbardhur të vërtetën dhe për ta fashitur krizën e besimit, si për të provokuar edhe më parlamentin dhe parlamentarizmin më 25 qershor Dhoma dhe Senati ia konfirmonin edhe një herë Mussolinit pikërisht atë: “besimin”.

Dy ditë më vonë deputetët e opozitës vendosnin të mos merrnin më pjesë në punimet e atij parlamenti derisa qeveria e Mussolinit të mos kishte sqaruar pozicionin e saj ndaj rrëmbimit dhe zhdukjes së Matteottit. Vijoi të qëndronte në parlament, përkrah shumicës fashiste, një segment i çuditshëm i kinse-opozitës: komunistët. Opozita u mblodh në një sallë tjetër, që njihet si salla e Aventinit, nga emri simbolik i një kodrine të Romës ku në shek. V (para e. r.) mblidheshin plebenjtë sa herë që kishin konflikte me patricët. Ishte një aksion politik që athua se opozitarët italianë e kishin imituar nga Shqipëria jonë: edhe parlamentarët opozitarë të 1924-s, mbas vrasjes së deputetit Avni Rustemi dhe varrimit të tij, kishin qëndruar në Vlorë dhe i patën vijuar aty mbledhjet opozitare. Shprehja “Me u tërheqë n’Aventin” ka hyrë tanimë me këtë kuptim në politologji.

U rrek Mussolini t’i bënte njëfarë makijazhi qeverisë së vet duke zëvendësuar nja tre-katër copë ministra, të arsimit (Gentile), të punëve publike (Carnazza), të ekonomisë kombëtare (Corbino) dhe ndonjë tjetër. Por, kur në një pyll në rrethinat e Romës u gjet më 16 gusht kufoma e deputetit opozitar të masakruar, kriza parlamentare rezultoi e paprapsueshme. Një Bonomi, një Salandra, një Orlando, një Amendola iu drejtuan mbretit që t’ia hiqte Mussolinit portofolin kryeministror dhe të ushtronte autoritetin e tij për një qeveri që të rivendoste ekuilibrat politikë. Vittorio Emanueli III u përgjigj si filozof anglosakson: “Unë jam qorr dhe shurdh. Sytë e mi dhe veshët e mi janë Senati dhe Dhoma…”. Sikur të kishte vepruar për t’i vënë ledh fashistizimit të parlamentit qysh në atë vit të hershëm 1924, ndryshe do të kishte qenë historia jo vetëm e Italisë, por edhe e Europës, brenda saj edhe e Shqipërisë. Mirëpo historia nuk bëhet me “sikur” dhe populli italian do t’ia shpaguante mbretit filozof anglosakson kur të vinte momenti historik: duke votuar kundër monarkisë dhe pro republikës.

Kështu u mbërrit te “festa” e 3 janarit 1925, që njihet në historinë e Italisë fashiste si “Dita e Mussolinit”, çfarë do të thotë dita e vendosjes së diktaturës së mirëfilltë fashiste që ta bie ndër mend pikërisht përkujtesa e gazetarit në fjalë për kryeministrin e Shqipërisë: “Edi Ramës nuk i mbetet tjetër veçse të festojë. Megjithatë nuk është kështu…”.

Jo vetëm që opozita e kishte braktisur parlamentin e Mussolinit dhe mblidhej veçan, por mbi Partinë fashiste kishte rënë një bombë: zv.sekretari i saj Cesare Rossi qe shtrënguar të jepte dorëheqjen ngase ishte zbuluar përfshirja e tij në “krimin Matteotti”. Atëherë Mussolini lozte kartën e fundit: atë të vendosjes përfundimtare të diktaturës së një partie. Ia kishte mbërritur asaj dite: në parlament nuk kishte më opozitë, i gjithë pushteti ishte vetëm e vetëm i Partisë së tij, që do të thotë i tiji personal.

Ishte ora e tij më patetike me atë fjalim të 3 janarit në parlamentin tanimë pa kundërshtarë. Me fytyrë të irnuar, por me një arrogancë gati epsharake, hodhi poshtë edhe akuzat e vetë Cesare Rossi-t të Partisë së tij, i cili kishte pranuar që Duce-ja kishte krijuar një polici politike, kundër kundërshtarëve politikë, të ngjashme më ÇEKA-n bolshevike. Pa ndërruar çehren, të gjithë përgjegjësinë për sa kishte ndodhur atyre muajve e mori mbi vete: “Io assumo, io solo, la responsabilità politica, morale, storica di tutto quanto è avvenuto”! Të mbledhurit e opozitës në Aventin e shpalli veprimtari “revolucionare” dhe “antikushtetuese”.

Legjitimoi në atë fjalim të 3 janarit 1925 përdorimin e dhunës “kirurgjike”, “inteligjente”, madje “kalorësiake”. I kërceu damari dhe u premtoi italianëve se do ta spastronte Italinë nga “fundërria me shkollë” dhe se pushteti fashist do të delte prej krizës edhe më i fortë, si për ta thënë në shqip: “Qentë le të lehin, karvani fashist çan përpara”! Ka edhe ndonjë ish-funksionar të fashizmit, si Alessandro Lessona, që në kujtimet e veta të sheqerosura shkruar pranë oxhakut e bën bashkëfajtore opozitën: ajo nuk paskësh zbritur nga Aventini që të vente e “të pajtohej” me zotërinë e tij “Kalorësin Mussolini”. Athua se një opozitë duhet t’i kërkojë pushtetit të falur që është opozitë.

Kështu ndodhi që u vendos plotësisht në Itali diktatura fashiste sepse – për dokëdo që shtiret kinse ka mendjen – pa opozitë nuk mund të ketë demokraci. Morën fund edhe ndoca liri demokratike që kishin mbetur pa u shkelur deri më 1924-n dhe u shpallën, nga 1925 më 1926, ligjet që njihen në histori si “fascistissime”. Jo vetëm në parlament nuk do të kishte më opozitë, por edhe zgjedhjet mbaskësaj nuk do të kishin kurrfarë nevoje për opozitë. Votat fashizmi do t’i kishte me miliona, të numëruara e të panumëruara. “Oh, what a lovely story!” mund të thotë me sensualitetin e vet turbullues ndonjë damë ambasadore që e ka Shqipërinë thjesht çështje page, sa s’ia thashë edhe emrin për pak.

Për rendin juridik italian ky qe shndërrimi në një regjim fashist në kuptimin e fjalëpërfjalshëm të termit. Kjo është arsyeja se përse 3 janari ishte për fashizmin, deri në rrokullisjen e tij, një “festim” i vërtetë vit për vit derisa kohë të vështira të vinin edhe për vetë fashistët, festim si ky që ta përkujton aluzioni politik i gazetarit në fjalë për kryeministrin e Shqipërisë: “Edi Ramës nuk i mbetet tjetër veçse të festojë. Megjithatë nuk është kështu…”. Që megjithatë nuk është kështu e di çdo lexues me trutë në kokë që nuk jeton në ndonjë klimë abstrakte. Madje i pari që e di është vetë kryeministri mik i gazetarit në fjalë, – dhe imi në daçi, – i cili, ndonëse mund të mos e njohë festimin e 3 janarit fashist, me siguri që e di një tjetër festimin popullor: atë të 28 prillit 1945, d.m.th. të ditës së  fundit të Duce-s. Dhe, prej asaj date historike, asnjë kryeministër në botë nuk e ka lakmuar pozicionin kokëposhtë.

 

Burimi: Hashtag.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko