-Sociale

Nënkryetari i bashkisë kapet duke punuar si avokat, reagimi i tij përballë gazetarit

               Publikuar në : 21:28 - 13/03/18 |
rel d

Përparim Çaça është aktualisht nënkryetar i Bashkisë së Kavajës, ndërsa më parë ka ushtruar profesionin e avokatit. Ligji e detyron që në momentin e marrjes së detyrës së lartë, të bëjë joaktive licencën e avokatit, gjë që Çaça nuk e ka bërë.

Emisioni ”Stop” ka mësuar se ai ka paguar taksat për vitin 2018 pranë Dhomës së Avokatisë, ndërsa zyra e tij private punon me kapacitet të plotë, madje duke shfrytëzuar edhe postin e nënkryetarit të bashkisë.

Në kamerën e fshehtë, Përparim Çaça shfaqet duke i marrë përsipër një qytetari çështjen e pronës, ndërsa përballë gazetarit përgjigjet se nuk punon si avokat.

Emisioni “Stop” ka investiguar rreth nënkryetarit të Bashkisë së Kavajës, i cili rezulton se kryen dy shkelje. Përparim Çaça vijon ushtrimin e profesionit si avokat, ndërkohë që është punonjës i administratës publike, duke shkelur në këtë mënyrë nenin 4 dhe nenin 6 në ligjin për avokatin në Republikën e Shqipërisë, si dhe qëndron në zyrë e tij të avokatisë gjatë orarit zyrtar, ndërkohë që duhet të jetë në Bashkinë e Kavajës.

Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” iu drejtua zyrës së tij ligjore, ku sekretarja u shpreh se nuk gjendej aty.

Qytetari – Si kalove? Si jeni? Mirë?

Sekretarja e avokatit Çaça – Nuk është këtu për momentin. Kishit gjë?

Qytetari – Jo, s’ka gjë! Vetëm njoftoje se e takoj te Bashkia…

Sekretarja e avokatit Çaça – Në rregull!

Qytetari – Faleminderit!

Më pas shkoi në bashki …

Qytetari – Si kalove?

Punonjësja e bashkisë – Mirë! Si jeni?

Qytetari – Desha të takoj pak nënkryetarin!

Punonjësja e bashkisë – Përparimin?

Qytetari – Bëja një telefon!

Punonjësja e bashkisë  Nuk e kap te zyra. Po te zyra ligjore që ka këtu?

Qytetari – Po pra, më thanë që është këtu, prandaj.

Punonjësja e bashkisë – Jo, nuk është këtu.

Ndaj u rikthye në zyrën e tij ligjore …

Qytetari – Erdha prapë. Nuk ishte atje. Bëjani një telefon edhe…

Sekretarja e avokatit Çaça – Ça t’i them?

Qytetari – Ka një problem.

Sekretarja e avokatit Çaça – Me ça?

Qytetari – Me një pronë.

Sekretarja e avokatit Çaça – Ku e ke pronën?

Qytetari – Vorrozen.

Sekretarja e avokatit Çaça – Alo! Po, foli në telefon!

Qytetari – Zoti Përparim, si kalove? Kemi një pronë në Vorrozen, në fakt xhaxhi xxxx më ka thënë që shko interesohu te zotëria! Kur mund të kaloj këtu që t’i sjell edhe letrat që t’i shikosh, a nuk e di? Po, ok! Nesër paradite.

Takimi me avokatin dhe njëkohësisht nënkryetarin e Bashkisë Kavajë, Përparim Çaça…

Qytetari – Kemi hartën e vjetër të komunës dhe atë letrën që na ka dhënë komuna atëherë. Kaq metra me kaq, kjo është prona e gjyshit filan fistekut, tani këta dalin me një pretendim, me një hartë tjetër pak më të re.

Përparim Çaça – Kush janë të tjerët?

Qytetari – Janë të lagjes.

Përparim Çaça – S’është puna e lagjes, sa janë 1, 2, 3? Sa janë? Sa veta janë?

Qytetari – 3… 3!

Përparim Çaça – Nuk e di! Ne jemi në ajër se unë nuk kam as letra, as shkresa, asgjë! Po nuk pashë letrat, po nuk pashë shkresat, kupton? M’i sill këtu dhe unë kam diçka që duhet ta vlerësoj edhe të them të takon, s’të takon sipas gjykimit tim, ë?  Unë punoj: Më sill letrat, më sill shkresat t’i shikojmë edhe të them: Zotëri i nderuar, këtë e fitojmë, i hyjmë! Edhe kur i hyj, e di se i hyj se do fitoj, nuk kam kohë për të humbur.

Qytetari – Unë doja të dija a ma merr përsipër si çështje?

Përparim Çaça – Unë do ta marr vetëm kur të shoh letrat! Edhe hartat… hartat nuk është problem se zgjidhen, shikohen.

Qytetari – Po pra, po!

Përparim Çaça – Se unë jam edhe nënkryetar bashkie këtu edhe ato të Luzit atje i marr origjinale ça duhet dhe shohim realisht si janë gjërat.

Qytetari – Fiks pra!

Përparim Çaça – Nuk na ngordh këtu puna, problemi është që të shikojmë mirë gjërat. Në rregull?

Qytetari – Në rregull!

Përparim Çaça – Mirupafshim!

Pas kësaj kamere të fshehtë, ku shfaqej qartë me zë dhe figurë Përparim Çaça duke vijuar aktivitetin e avokatisë, nuk mbeti gjë tjetër veçse të përballej gazetari i emisionit “Stop” me të.

Gazetari – Nënkryetar bashkie me zyrë avokatie, ditë e martë, ora 02:00. Duhet të jesh në orarin zyrtar të punës.

Përparim Çaça – Po, tani po iki atje se isha vetëm thjesht këtu. Këtu nuk jam unë se është një zyrë tjetër, ka ardhur një avokat tjetër.

 

Gazetari – Ju s’merreni fare me çështje?

Përparim Çaça – Fare, fare! S’kam të drejtë! Absolutisht, është absolutisht është ligji. Absolutisht, nuk ka shanse, as në gjykatë, askund, nuk mundem dot, është me ligj. Absolutisht!

Unë që në momentin që kam qenë nënkryetar bashkie, licenca është e pa mundur! Thjesht kanë ngel ato… se do t’i heq. Absolutisht, mund të shkoni në gjykatë, të shikoni!

Gazetari i emisionit “Stop” u shpreh se sipas burimeve pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, nënkryetari i bashkisë ka kryer pagesën e taksave për vitin 2018, pavarësisht mohimit nga ana e tij për vijimin e aktivitetit si avokat pas marrjes së detyrës si nënkryetar i Bashkisë Kavajë./tvklan.al

 

Pas