Editorial

Negociatorë dhe histori me spiunazh

               Publikuar në : 21:47 - 01/03/18 |
m.b

Negociatat për kufirin detar me Greqinë, më shumë se sa tek detajet e ndarjes dhe metodës që do të përdoret për to, duket se po dominohen nga historia e Kolonel Artur Meçollarit. Një ushtarak i lartë i marinës, anëtar i grupit negociator aktual, por i etiketuar nga media si një person në shkelje të rregullave ushtarake dhe atyre të sigurisë kombëtare.

Emisioni Opinion ka zhvilluar një investigim dy ditor, për të hedhur dritë mbi atë që ka ndodhur në vitet 2003 dhe 2012 me Kolonel Meçollarin.

Sipas të dhenave të Opinion, në vitin 2003, Shërbimi Informativ i Ushtrisë, tërhoqi vëmendjen se Artur Meçollari, në atë kohë Oficer Shtabi pranë zyrës së NATO-s në Shtabin e Përgjithshëm dhe specialist i programit të partneritetit J5 shkelte një nga detyrimet e rëndësishme të ushtarakëve të rangut të lartë. Ai takohej me oficerë dhe atashe të huaj, pa njoftuar më parë eprorët. Sipas rregullores shumë strikte, oficerët e lartë ndalohen të largohen jashtë vendit pa vënë në dijeni dhe pa marrë leje nga Ministria e Mbrojtjes dhe e dyta, ndalohen të takohen me të huaj, kushdoqofshin ata, pa njoftuar më parë eprorët për takimin, vendin, orën dhe temat e bisedës. Sipas të dhënave të SHIU, Meçollari bënte shpesh biseda që lidheshin më punën e tij dhe që sipas shërbimit sekret të ushtrisë mund të kërcënonin sigurinë kombëtare.

Dosja u la mënjanë në vitin 2003, por ajo u rihap në vitin 2012, kur sërish erdhën të dhëna se Artur Meçollari, tashmë Zëvendëskomandant i Forcës detare, vijonte të shkelte këtë rregull strikt e madje kishte folur për probleme të Flotës me ushtarakë të huaj dhe jo vetëm të NATO -s. Informacioni i vitit 2012 dukej shumë më serioz sepse SHIU i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme nisjen e një hetimi të përbashkët dhe autorizimin për vënien në përgjim të numrave të Meçollarit dhe përgjimin ambiental të tij.

Prokurorja e Përgjithshme e firmosi kërkesën dhe koloneli shqiptar filloi të hetohej nga SHIU dhe Prokuroria. Hetimi zgjati disa kohë dhe mbi bazën e tij u përgatit një dosje e plotë, ende prezente në Ministrinë e Mbrojtjes. Mbi bazën e saj, Meçollari kishte thyer rregullin dhe kishte bërë biseda me ushtarakë dhe zyrtarë të huaj, për çështje që mund të konsideroheshin “të sigurisë kombëtare”. Transkriptet e bisedave qenë të gjitha prezente, por askush nuk mund të thoshte nëse keto informacione qenë dhënë me qëllim, apo si pasojë e pakujdesisë dhe shpërfilljes së rregullave.

Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes vendosi shkarkimin e tij, por pa dhënë shumë detaje. Edhe pse, partnerë të rëndësishëm u informuan për këtë vendim. Vendimi për largimin e Meçollarit u konsiderua si një masë administrative dhe jo penale. Për këtë arsye, Prokuroria nuk vijoi më tej dhe as e mori atë të pandehur. Vetë Meçollari nuk bëri në atë kohë asnjë përçapje administrative, por kohë më vonë, kur mazhoranca politike ndryshoi, ai e hodhi çështjen në gjykatë dhe shkarkimi i tij u konsiderua i paligjshëm. Sipas deklarimeve në shtyp të Ish Ministrit Imami, Ministria e Mbrojtjes nuk ka paraqitur në Gjykatë provat për shkarkimin, duke bërë kështu një shkelje. Edhe pse dosja konsiderohej në vetvete një sekret shtetëror.

Meçollari u kthye sërish në detyrë, për të vijuar karrierën e tij, nisur pas mbarimit të Shkollës së Marinës në vitin 1989. Ai u emërua anëtar i grupit negociator, duke ngjallur edhe debatin më të madh, për legjitimitetin e tij. / Opinion.al

 Video:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Pas