Komente

Negociata nuk ka! A po hyn politika në një proces vetëpastrimi?

Mentor Kikia

Tashmë është bërë e qartë, se në Qershor nuk do të ketë mbështetje për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së. Flamurin e kontestimit e mori Holanda, e cila thuajse e ka zyrtarizuar votën kundër. Por edhe Gjermania, e së fundmi Franca, janë të një mendjeje. Nuk janë kundër Shqipërisë, por mendojnë se ky hap “është i parakohshëm”. Gjasat janë që të mos hidhet fare në votim rekomandimi, por të shtyhet, të paktën me 6 muaj.

Por çfarë kontestojnë vendet më të rëndësishme të BE-së?

Kryefjala është “Korrupsioni” dhe “Kriminaliteti”. Dy aktivitete të lidhura drejtëpërdrejtë me politikën dhe pushtetin. Shqipëria pret të hapë negociatat kur ka në sofër dy çëshjte të mëdha, “Tahiri” dhe “Xhafaj”. Njëri, me një thes fakte që tregojnë se kishte qenë garant i një skuadre trafikantësh droge. Dhe tjeri, me dëshmi që tregojnë se vëllai i tij është dënuar për trafik droge në Itali, dhe, sipas një përgjimi jo ligjor, ende shërbente si dispeçer për ata që kërkonin mall firmato “Made in Vlora”. Këto çështje do të bënin të lebetitej çdo shtetas të thjeshtë, e jo më zyrtar, në Gjermani, ku një ministër u dorëhoq pse kishte kopjuar nja 3 paragrafë në temen e doktoraturës.

Sajmir Tahiri është në arrest shtëpie. Vëllai i Fatmir Xhafajt, pas presioneve, do të udhëtojë vetë drejt Italisë, për tu dorëzuar tek drejtësia e këtij vendi. Ndërsa Edi Rama nuk e shkarkoi Fatmir Xhafajn, duke mos e konsideruar përgjegjës për çka bërë i vëllai.

Të dyja çështjet nuk dolën në skenë nga drejtësia jonë. E para nga një hetim i drejtësisë italiane dhe e dyta nga opozita dhe një përgjim që nuk dihet nga e ka origjinën. Mazhoranca, gjithësesi, është e trazuar nga sa ka ndodhur dhe fajtorin e shikon tek opozita që ka denoncuar.

A mund të shpresojmë se po futemi në një proces vetëpastrimi të politikës? A mund të zbulojnë politikanët tanë njëri-tjetrin, në një proces zinxhir, si pasojë e luftës së brendshme, apo nevojës për tu mbrojtur? Kjo në fakt është ajo që duhet të bëhet, pasi kjo është edhe barriera më e madhe për integrimin e vendit. Por në kushtet e mungesës së drejtësisë, na duhet të shpresojmë që politika ti nënshtrohet një vetë-pastrimi të pavullnetshëm. Opozita duket se ka marrë flamurin e luftës ndaj korrupsionit. Por aferat e ish zyrtarëve të saj janë po aq ulëritëse. Çështja “ÇEZ” është një vullkan korrupsioni që implikon drejtëpërdrejtë ish kryeministrin Berisha.

Por ka pak shanse që drejtësia ti shkundë nga pema e politikës të inkriminuarit, por vetëm nëse ata shkundin njëri-tjetrin, në luftën për mbijetesë në xhunglën e krimit.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko