Aktualitet

Në vendin dhe momentin e gabuar, të burgosur pa prova me 11 dhe 9 vite burg

               Publikuar në : 21:54 - 13/02/18 |
rel d

Dy qytetarë, Artur Velo dhe Besmir Jeshilaj tregojnë nga burgu i Fierit, se mbahen në qeli pa faj dhe pa prova. Ata janë akuzuar dhe dënuar për trafik të lëndëve narkotike dhe tentativë vrasjeje të forcave policore. Por ata dhe familjarët dëshmojnë me prova, se nuk kanë të bëjnë me ngjarjen në fjalë, të ndodhur në Zervat të Gjirokastrës në Shtator 2014.

“Stop” bën provën e distancës nga vendi i ngjarjes e po kështu gjen vendndodhjen e personave në momentin e incidentit, me anë të antenave telefonike. Velaj dhe Jeshilaj kërkojnë vetëm drejtësi.

“Jam akuzuar në 2014-ën, 7 Shtator, për vrasje të mbetur në tentativë të punonjësit të policisë dhe trafik ndërkombëtar droge. Apeli vendosi 11 vite burg. Dikush që nuk është bërë baba nuk e ndjen atë që ndjen unë sot për fëmijën tim. Është shumë e dhimbshme që të jesh larg fëmijës, larg familjes, larg vëllait, nënës, bashkëshortes… është shumë e dhimbshme. Dhe në rastin që jemi ne, pa kryer asnjë vepër penale”, shprehet Artur Velo.

“Prokurori i çështjes, ta zbardhë çështjen. I kam vajtur dy herë në zyrë, i kam thënë zoti prokuror zbardhe çështjen e çunit, të lutem dua vetëm drejtësi. Dy herë i kam vajtur dhe e kam kapur stilin e tij të punës. Më linte sa vinte te dera dhe më thoshte: Zotëri ke ndonjë gjë tjetër. Kthehesha e shikoja dhe ishte e pamundur, ç’mund t’i thoja gjë tjetër unë atij”, thotë babai i Velos.

“Në fillim ne jemi akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë ndaj forcave të policisë. Tani prokuroria për mua kërkon vetëm për trafik të lëndëve narkotike të mbetur në tentativë, i dënuar me 9 vjet burgim. Kam familje, kam motra vëllezër, kam fëmijë, kam dy fëmijë të vegjël. Nuk di, vetëm këtu në Shqipëri, kjo është drejtësia”, rrëfen i dënuari tjetër Besmir Jeshilaj.

Ndërsa nëna e këtij të fundit shprehet: “Djali im është nisur për në Greqi, nuk është nisur për ato punë që thotë shteti. Djali s’ka bukë të hajë, ka vajtur të nxjerrë koren e bukës për fëmijët. Sa herë ka vajtur e kthenin, ça do t’i kërkoj më unë shtetit. Këtu s’kishte për t’u ushqyer, ka vajtur për koren e bukës. Në familjen tonë nuk punon asnjë, jemi 7 veta.”

 

Pas