Editorial, Te Fundit, Të Gjitha

Në sytë e këtij fëmije shteti yt ka dështuar zoti Rama!

Nga Manjola Bregasi-

Një nënë që përpiqej të ushqente fëmijën e saj 1 vjeç me një biberon të zbrazur. Është kjo skena që më bëri të përlotem mbrëmë, teksa ndiqja emisionin “Opinion”. Dhe besoj që nuk kam qenë e vetmja mes gjithë atyre shqiptarëve që e panë dhe u përpoqën të ndihmojnë.

Me siguri ju zoti Rama nuk e keni parë. Ndoshta keni qenë i impenjuar me postimet tuaja në rrjetet sociale, apo me zgjedhjen e modelit të potureve që do të vishni në takimin e radhës.

Po ua them me pak fjalë, ndonëse fjalët nuk thonë dot atë që sytë shohin.

Dritan Bicaku i papunë, Behije Bicaku e papunë dhe me probleme të shëndetit mendor. Kanë katër fëmijë. Më i madhi tetë vjeç. Më i vogli sapo ka mbushur 1. Me ta jeton edhe nëna e Dritanit.

Pardje njëra nga vajzat kishte ditëlindjen, por ajo kurrë nuk e di si është një festë ditëlindjeje. Nuk e kishte parë as në televizor, sepse nuk kanë. Nuk kanë as kolltukë, frigorifer, sobë për t’u ngrohur , sepse në fakt nuk kanë as shtëpi. Fjala varfëri është e vogël për të treguar skamjen që kishte pushtuar.
Fëmijët shkojnë në shkollë. Pëpiqen të mësojnë. Përpiqen të blejnë libra. Përpiqen të jetojnë me 23 mijë lekë të reja që shteti i jep familjes së tyre me 7 anëtarë.

Më i vogli është i sëmurë. Qan gjithmonë nga dhimbjet e barkut. Por nuk është vizituar kurrë. Nuk kanë para për ta çuar në spital. Po përse u dashkan këto para? Ku është shëndetësia falas zoti Rama? Ku janë shërbimet e konsultoreve që kanë për detyrë të vizitojnë bebet e vogla duke ju shkuar edhe në shtëpi nëse është nevoja? Ku është trofeu juaj zoti Rama që po e tundni kaq fort për katër vitet e suksesshme në shëndetësi?

Në fakt nje spital privat mbrëmë mori përsipër të trajtojë vogëlushin dhe gjithë familjen e tij për çdo problem shëndetësor që ata kanë e qe jane shume, sepse në sytë e tyre shteti ka dështuar.
Mbrëmë në emision Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës ofroi një vend pune për Dritanin, sepse Rrogozhina është afër Lushnjës.

Po ku është Bashkia e Lushnjës zoti Rama, reforma juja territoriale për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve. Ku janë shërbimet sociale? A nuk është detyrë e tyre të identifikojnë shtresat në nevojë dhe familjet me më shumë probleme në zonë?

Nuk ka problem zoti Rama. “Fundjavë Ndryshe” bëri punën e institucioneve tuaja, sepse edhe ato me sa duket kanë dështuar.

Keni folur edhe për banesa sociale, por familja Bicaku nuk kishte as kasolle.

Mos u shqetësoni, sepse emisioni “Opinion” thirri mbrëmë për ndihmë dhe disa shqiptarë të mirë u përgjigjën e do t’ja ndërtojnë shtëpinë familjes Bicaku.

Ama pranojeni që shteti juaj ka dështuar edhe në këtë pikë. Jam e sigurt që nesër, ky fëmija me biberon të zbrazur nuk do t’ja dijë më për shtetin tënd, që kurrë nuk i ofroi as minimimin e asaj që meriton, sepse ishte i zënë me histori plamash, poturresh apo kazanësh.

Teksa ju shqetësoheni për çorbën e kazanit, shqiptarët vazhdojne te ngrenë sytë dhe duart nga Zoti!

*Me poshte mund te shihni njeren nga videot e realizuar ne familjen e Dritan Bicakutm, ne Tahanasaj te Lushnjes

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko