Aktualitet

Në shërbim të Ramës? Ja si i përgjigjet PD-së, Shkolla e Magjistraturës

               Publikuar në : 20:35 - 13/05/18 |
m.b

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, denoncoi nga selia blu testimin e aftësive profesionale që shkolla e Magjistraturës po i bën sipas tij magjistratëve të rinj.

Strazimiri tha se mungesa e transparencës tregon që procesi është i korruptuar dhe i deformuar dhe për këtë Partia Demokratike nuk do i njohë këto vendime. “Partia Demokratike nuk do të njohë asnjë proces të rekrutimeve të reja në sistemin e drejtësisë që është i korruptuar, jo transparent dhe i ndikuar politikisht”, tha ai.

Por në reagimin e dhënë për mediat, Shkolla e Magjistraturës thekson se nisja e testimit është bërë publike që në datën 22 nëntor dhe nuk lidhet me
gjyqtarët dhe prokurorët e rinj.

Në deklaratë shtohet gjithashtu se testimi është një detyrë e përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Testimi i këshilltarëve dhe ndihmësve ligjorë, është një ndër elementet që bashkë me relacionet dhe mendimet ligjore të tyre, do të vlerësohen në mënyrë përfundimtare nga organet e rivlerësimit kalimtar.

“Nuk është Shkolla e Magjistraturës, organi që bën rivlerësimin kalimtar të këshilltarëve dhe ndihmësve ligjorë. Gjithashtu, është një tjetër proces ai, që lidhet me rekrutimin e kandidatëve për magjistratë, por që për shkak të mosngritjes ende të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nuk mund të realizohet, pa një ndryshim në ligj”.

Shkolla e Magjitraturës shton se procesi është nën monitorimin direkt të Këshillit të Europës, EURALIUS-it, OSBE-së dhe GIZ-it, ndërsa rezultatet përfundimtare do të shpallen në datën 14 maj.

Deklarata e plotë e deputetit Gent Strazimiri:

Shkolla e Magjistraturës është vënë në shërbimin politik të Edi Ramës për të ndikuar vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke rrëzuar një nga shtyllat kryesore të reformës në drejtësi.

Në kundërshtim me ligjin e vettingut, Shkolla e Magjistraturës ka zhvilluar testimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit në fshehtësi të plotë, pa transparencë dhe pa asnjë njoftim publik.

Ky proces i drejtuar nga kamikazi i Edi Ramës në Shkollën e Magjistraturës është jetik për të ardhmen e sistemit dhe mungesa e transparencës është shenjë e qartë se po zbatohet projekti i Edi Ramës për kapjen e drejtësisë përmes emërimeve të reja.

Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e transparencës në këtë proces jetik për garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe eficencën e tij.

Shkolla e Magjistraturës ka detyrimin të informojë publikisht për datën e zhvillimit të këtij procesi. Testimi i aftësive profesionale për gjyqtarët dhe prokurorët e rinj në shkelje të ligjit të vettingut dhe në mungesë të plotë transparence është treguesi që procesi është i korruptuar dhe i deformuar dhe që po zhvillohet nën ndikimin e plotë të Qeverisë.

Partia Demokratike nuk do të njohë asnjë proces të rekrutimeve të reja në sistemin e drejtësisë që është i korruptuar, jo transparent dhe i ndikuar politikisht.

Shmangia e ndikimit politik mbi sistemin e drejtësisë dhe eleminimi i kulturës së pandëshkueshmërisë, si qëllime madhore të Reformës në Drejtësi, janë e vetmja mënyrë për të siguruar një sistem drejtësie për qytetarët dhe që mbron të drejtat dhe liritë themelore të tyre.

Pas