Komente

Në kulmin e “epokës së pjeshkave”!

               Publikuar në : 12:43 - 12/07/18 |
Gerta

Nga Gerta Zaimaj

Jemi fiks në kohën kur ato duhet të shfaqin veten! Bëhet fjalë për pjeshkat (siç kanë filluar të quhen së fundmi vajzat seksi) të cilat me ardhjen e ditëve të nxehta dhe pikut të verës shpërthejnë në postime të njëpasnjëshme për të treguar pushimet speciale që po kalojnë.

Pushimet në realitet nuk dihet nëse janë të duhurat, por nga Instagrami, duken disa më speciale se disa të tjetra. Dhe specialitetin e pushimeve të tyre e shton edhe më tepër media kur në menynë e saj servir zhveshjen e tyre, për ju dhe për të gjithë ne.

Kështu pra, e gjitha nis nga një foto bombastike në Instagram, ku janë ekspozuar komplet ‘asetet’, sa më bombastike të jetë, aq më virale do të bëhet më pas nëpër portale. E pasi bëhet virale nëpër portale, personit në fjalë i kushtohet hapësirë në revista e gazeta, i realizohen kronika, e më pas ftohet në studio televizive, po të doni edhe në prime-time në televizione kombëtare.

Rrëmben kështu gjithë vëmendjen, madje për disa orë të mira bëhet edhe temë diskutimesh tek njerëzit sepse media ja rrit ndikimin dhe vihet në patronazh të saj.

Çfarë ndodh?

Vjen një moment që të pasmet e tyre spostojnë gjithë ngjarjet dhe zhvillimet e aktualitetit dhe vëmendja mediatike është aty; ndërtohet kështu e gjithë ngjarja mbi të pasmet bombastike dhe ikën kamera nga punët që bën keq qeveria, kullat, vettingu, teatri, korrupsioni, varferia, rritja e çmimit të bukës e çdo gjë tjetër.

Jo se unë besoj që media në Shqipëri mund të rrëzoj qeverinë, apo që do të zgjidhë problemet themelore të sistemit të kalbur të Drejtësisë, por ndikim i saj është thelbësor në mënyrën se si zhvillohet jeta e vendit dhe disa ngjarje në të; e nëse s’bën dot gjë tjetër, të paktën duhet të pasqyrojë mirë!

Por janë këto vajza që kthehen në fabrikë lajmesh, qarkullojnë në mediat e reja dhe marrin hapësirë në median tradicionale, në spektakle e muzikë, dhe kështu zgjohesh një dite të bukur, e sheh që media është e mbushur vetëm me “të pasme” dhe histori perverse. Enca, Iva, Morena, Luana, Oriola, Françeska e Ilda me photoshop dhe pa photoshop, pa dashur e pa kuptuar bëhen motivi i ditës sonë!

Pasi të pasmet bëjnë gjithë xhiron e mundshme në media; të rinjtë e sidomos adoleshentët, fillojnë të imitojnë modelin. Teksa Beyonce dhe JLO shihen të mos ekspozojnë të pasmet; në Facebook, Instagram hit është stili alla Kim Kardashian, por imituar në versionin më të shëmtuar; profilet e vajzave të njohura, e të pa njohura, nuk marrin dot kuptim, pa publikuar të pasmet e tyre bombastike, e nëse nuk i kanë ashtu, i përpunojnë me photoshop  për të ndjekur tendencën.

Që ta keni të qartë, aktualisht jemi fiks në pikën ku: pjeshkat bombardojë Instagramin, media promovon dhe e qarkullon pa fund ‘të pasme’, rrit klikimet dhe audiencat, audiencat për shkak të mentaliteti të prapambetur ndonjëherë e kritikojnë, por janë sërish ata që ‘nuk ngopen’ dhe klikojnë pa fund.  Të rejat ndjekin modelin, thelbi mbetet bosh, dukja është ose përpiqet të jetë bombastike!

Kjo është ‘epoka e të pasmeve’, pushime të mbara!

Pas