-Sociale

Ndryshime ekstreme të motit në planet, ja çfarë pritet të ndodhë

               Publikuar në : 23:50 - 07/07/18 |
d.l

Javët e para të verës janë shoqëruar me ndryshime ekstreme të motit në të gjithë planetin. Temperatura më të larta se zakonisht  janë regjistruar në Lindjen e Mesme, por edhe në vende si Skocia, Kanadaja e Irlanda ku klima është zakonisht e butë.

Vala e të nxehtit të padurueshëm është ndjerë më shumë nga irlandezët dhe britanikët, që panë me sytë e tyre shkrirjen e çative nga temperaturat që arritën në 31.9 gradë në Glasgow dhe 29.5 gradë në Belfast. Në Tbilisi të Gjeorgjisë u shënua i nxehti rekord prej 40.5 gradë Celsius, ndërsa në Jerevan të Armenisë termometri tregoi 42 gradë në ditët e para të Korrikut.

Kombinim i motit të ngrohtë dhe reshjeve në Amerikën e Veriut. Në Montreal u regjistrua temperatura më e lartë e 147 viteve të fundit, 36.6 gradë. Tjetër panoramë në jugun e Europës dhe vendet e Ballkanit, ku Qershori rezultoi me reshje shiu dhe ulje të temperaturave. Greqia u godit së fundmi nga përmbytje të mëdha në zonën e Atikës. Lumenj uji përmbytën shtëpi e banesa.

Të gjitha këto të dhëna janë përfshirë në listën e ngjarjeve më ekstreme të motit që kanë ndodhur gjatë 15 muajve të fundit, ku veçohet temperatura 50.2 gradë në Pakistan dhe 53.7 gradë në Iran. Këto ndryshime konfirmojnë parashikimet e ekspertëve se ngjarjet ekstreme të motit do të shtohen me kalimin e viteve.

Tv Klan

Pas