Aktualitet, Komente, Te Fundit

Ndjesa false e Lulzim Bashës

Nga Astrit Patozi

Lulzim, bën mirë që kërkon falje edhe për gabimet e Sali Berishës në të shkuarën. Por, bëj zahmet, e prano më parë ndonjë përgjegjësi tënden për të tashmen! Sepse është fare e lehtë ndjesa për tjetrin, Lulzim, edhe sikur të mos e kesh mirëkuptimin e tij.

Kush është më e rëndë, Lulzim, fakti që Partia Socialiste propozon dhe zgjedh Gramoz Ruçin për kryetar parlamenti, apo që, për shkakun tënd, Edi Rama e ka rrëmbyer i vetëm timonin e Shqipërisë dhe mund ta rrokullisë atë me lehtësi në greminë?

Debati për të shkuarën komuniste do të ketë vlerë edhe për ca kohë në këtë vend, por ai nuk na i zgjidh dot problemet e ditës. Ndaj mos u përpëlit kot, se nuk mallëngjen njeri, Lulzim, duke bërë sikur vajton sot për krimet e hershme të diktaturës.

Politikanët gjykohen për vendimet dhe bilancet e veta, Lulzim, jo për ato të të tjerëve. Qofshin këta edhe paraardhës apo pararendës të tyre. Me arritjet dhe gabimet e veta Sali Berisha i ka mbyllur llogaritë me trofetë dhe me faturat. Dhe nuk i kanë dalë keq. Po ti, Lulzim, e di si e ke bilancin?

Edhe, në u hapshin ndonjë ditë, dosjet e vjetra të diktaturës nuk i mbyllin dot ato të sotmet, Lulzim. Nuk të ndalon kush të kërkosh dekomunistizim të mëtejshëm, në çdo cep të jetës publike në Shqipëri. Nise po të duash me kontrollin e të shkuarës së çdo deputeti dhe zyrtari të lartë të Partisë Demokratike, që nga viti 2013, kur u bëre për herë të parë kryetar. Unë e kërkova një vit më parë, por nuk ma pranoi Ilir Meta.

Por i sigurt të jesh, që sado të bësh sikur përgjërohesh sot për viktimat e krimeve të djeshme, nuk mund të shpëtosh dot asnjëherë nga përgjegjësia për dosjet e 18 majit, 25 qershorit dhe të 22 korrikut…etj…etj.

Ato nuk mund të mbyllen kurrë, Lulzim, ndaj edhe ti je i pashpresë.

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko