-Shëndeti

Ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit, ja masat e marra nga spitalet

               Publikuar në : 14:00 - 05/10/18 |
Gerta

Gjatë muajit Tetor, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, mamografitë në të gjithë shërbimin publik do të jenë falas, shërbimi për qytetarët do të ofrohet edhe pasdite, si dhe ditën e shtunë. Këto masa janë marrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet e kujdesit shëndetësor, për t’ju dhënë mundësi sa më shumë grave, të kryejnë ekzaminimin e gjirit.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka çelur fushatën e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë, ajo ju bërë thirrje të gjitha grave të mos e neglizhojnë kontrollin, pasi diagnostikimi i hershëm të shpëton jetën!

“Vetëm gjatë vitit të fundit, ne kemi dyfishuar shërbimin e mamografisë, duke ofruar për herë të parë këtë shërbim në Dibër, Kukës dhe Gjirokastër si dhe nëpërmjet mamografëve të lëvizshëm, shërbimi ofrohet falas në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë te gratë në Shqipëri dhe rastet e reja të raportuara vijojnë të rriten çdo vit. Vetëm gjatë 9-muajve të këtij viti, janë shënuar 513 raste të reja me kancer gjiri.

Gjatë muajit Tetor, shërbimi i mamografisë do të jetë falas, nga ora 08:00- 18:00 nga e hëna në të premte dhe 08:00-14:00 të shtunave në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë, në Maternitetin “Mbretëresha Gerladinë”, në QSUT si dhe në 9 spitale rajonale ku ofrohet ky shërbim. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka shpallur edhe kalendarin e mamografëve të lëvizshëm, të cilët do të jenë përgjatë muajit Tetor në Skrapar, Fier, Ersekë, Sarandë, Lezhë, Fier, Burrel, Bajram Curri, Fierzë dhe Bulqizë. Vetëm nëpërmjet mamografëve të lëvizshëm, kryhet ekzaminimi i gjirit falas për rreth 5500 gra në vit./Opinion.al

Pas