-Politikë, Editorial, Kryesore, Te Fundit

Mos ja kërkoni policisë…

Nga Blendi Fevziu – 

Një operacion i policisë në Elbasan është vënë në qendër të komenteve e kritikave mediatike në 48 orët e fundit, me një intensitet që pak herë e kemi parë. Pamja e një dyzine oficerësh policie, të veshur me antiplumb, kallashnikov e pistoleta në dorë, që qëndronin të pafuqishëm përpara një makine të blinduar, është padyshim imazhi më i trishtë i një shteti që ka dëshmuar live, përpara kamerave, kapitullimin e tij.

Nuk ka asnjë vlerë debati nëse policia duhej të ndërhynte me forcë, siç mendojnë disa, apo duhej të ndalonte për të shmangur një përplasje të papritur që mund të çonte në viktima nga rradhët e saj, siç mendojnë të tjerë. Këto janë detaje operacionale që oficerët e policisë i dinë më mirë se sa ne. Nuk ka asnjë rëndësi nëse personi që kundërshtoi policinë u kap apo do të kapët më vonë. As pretendimi që ai mund të ngrejë se ishte policia ajo që i zuri rrugën. Edhe këto janë detaje që i zgjidh prokuroria dhe Gjykata. Nëse policia ka tejkaluar detyrën ajo ndëshkohet; nëse personi që drejtonte makinën i goditi qëllimisht ata po ashtu dënohet ai. Edhe kjo s’ka asnjë rëndësi.

Incidenti i Elbasanit dëshmoi se ligji në Shqipëri nuk është njësoj për të gjithë! Dëshmoi se një qytetar përgjigjet para ligjit me gjithë përgjegjësinë e tij, ndërsa një tjetër e sfidon shtetin. sheh se si strukturat e vetë shtetit, me armët e shërbimit në dorë, rrinë si mjeranë përballë një porte që mbyllet me ngadalë. Dua të pyes sot, çdo ndodhte nëse një qytetar i zakonshëm, nga unë i pari, do të përplaste makinën e policisë në sy të 12 policëve të armatosur. Çdo të ndodhte me këtë qytetar dhe cili do të ishte fati i tij? Do të ndodhte ajo që nuk ndodhi atë natë në Elbasan. Dhe pyetja është përse? A ka faj policia? A mund të bëhen përgjegjës ata policë për sjelljen e tyre? Edhe po, por një gjë është e sigurtë, fajin mos e kërkoni kurrë tek policia. Jo vetëm në Elbasan, po kudo në Shqipëri. Jo vetëm tek ajo video që patë, por edhe tek ato raste të tjera që raportohen nën zë, por që nuk dokumentohen dot me kamera si ky!

Ka policë të korruptuar, ka policë të paaftë, ka edhe policë të trembur, por nuk ka policë që s’duan ta bëjnë punën e tyre. Nëse ata ngecin; nëse ata rrinë si mjeranë si atë moment, fajin kërkojeni tek politika. Për fatin tonë të keq policia nuk vepron dot e ndarë nga politika dhe as kundër vullnetit të saj.

Çfarë mund ti kërkosh një oficeri policie sot në Shqipëri, në Tiranë apo Elbasan, Lezhë apo Vlorë, Durrës apo Shkodër, kur personat që ai ka në ndjekje shfaqen në tavolina me politikanë të rëndësishëm dhe njerëz që kanë në dorë fatin dhe karrierën e policit në fjalë?! Çfarë do t’i kërkosh sot një polici, kur personat që ai ka vendosur në ndjekje kanë qenë sponsor kryesore në fushatën elektorale që sapo kaloi. Dhe jo vetëm për një parti, por në disa raste për disa. Çfarë mund ti kërkosh sot një polici kur mafia e hashashit sipas shërbimit sekret italian përfiton në Shqipëri, afro 200 milion euro neto në vit.

Kush është ai polic Don Kishot që ngrihet i vetëm përballë të gjithëve? Kush është ai që tenton ti ngjajë personazheve pozitive të Hollivudit, në një vend, ku fatet e vetë policit i ka në dorë ai që është miku më i afërt i trafikantit lokal.

Mos ja kërkoni policisë. Kapitullimi i shtetit live në kamera nuk është problem i saj, por i politikës. Në sondazhin e së hënës në Opinion, në 45 minuta votuan më shumë qytetarë se kurrë ndonjëherë. Afro 3700 vetë. 83 % e tyre konsideronin si kurajo të krimit mbështetjen e politikës. Dhe kanë të drejtë. Në 27 vjet kemi parë se sa herë politika ka vullnet, krimi ulet në gjunjë, fshihet, alarmohet dhe nuk bën më zë. Kur politika bëhet patericë e tij, ai del në shesh, më arrogant dhe më kriminal se kurrë. Dhe kur ai del përkrahu me politikanin, mos ja kërkoni policit të bëjë punën e tij. Kini kurajo të akuzoni atë apo ata që realisht janë përgjegjës për të.

Blendi Fevziu  

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko