-Shëndeti

Mite dhe fakte rreth sëmundjes së diabetit

               Publikuar në : 23:25 - 01/12/18 |
ri.de.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, vlerëson se numri i njerëzve me diabet në mbarë botën është 422 milionë. Midis viteve 1980- 2014, numri i njerëzve me këtë sëmundje pothuajse u 2-fishua. Pavarësisht prevalencës së lartë të sëmundjes, shpesh ajo keqkuptohet. Ja cilat janë disa nga keqkuptime më të zakonshme rreth diabetit.

Diabeti është thjesht një çrregullim i pankreasit

Diabeti prek pankreasin, por nuk duhet të mendohet vetëm si një sëmundje që ndikon në trupin tonë nga qafa e poshtë. Nëse e shohim kështu, na mungon ndikimi psikologjik i jetesës me këtë sëmundje. Dhe kjo është diçka serioze.

Për shkak të problemeve të përshtatjes ndaj diagnozës së një gjendjeje shëndetësore afatgjatë, njerëzit me diabet kanë më shumë gjasa të preken nga depresioni. Ekziston edhe një formë e veçantë e depresionit, që shoqërohet me diabet të njohur si diabeti i stresit.

Ai ndodh kur një person po përpiqet të përballojë menaxhimin e gjendjes së tij shëndetësore. Diabeti ndikon ndërkohë edhe në aftësitë tuaja mendore. Studimet sugjerojnë, se diabeti mund të ndikojë në aftësinë tuaj për të menduar në mënyrë të kthjellët, për t’u përqëndruar dhe risjellë në mendje kujtimet e së shkuarës.

Diabeti, ndikon gjithashtu në procese të tjera të trurit, si psh. mënyra se si ne peshojmë zgjedhjet se çfarë të hamë. Studiuesit gjithashtu po hetojnë se si hormonet si insulina, duket se rregullojnë zgjedhjet e ushqimit. Këto efekte të veçanta të trurit, brenda një sistemi të quajtur sistemi dopaminë i mesit të trurit, ofrojnë një shpjegim të mundshëm, se pse disa nga diabetikët e kanë të vështirë të ndjekin këshillat shëndetësore, pavarësisht se sa shpesh iu jepen nga mjekët.

Nga diabeti preken vetëm njerëzit mbipeshë

Ekziston një lidhje e fortë midis diabetit të tipit 2 dhe obezitetit, por kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që janë diabetikë, janë mbipeshë ose obezë. Dhe as nuk do të thotë që kushdo që është mbipeshë ose obez, do të preket nga diabeti.

Megjithatë, një raport i Shëndetin Publik në Angli, tha se të rriturit obezë në ishull, kishin 5 herë më shumë gjasa të zhvillonin diabetin e tipit 2, sesa të rriturit me peshë normale. Por ka ende shumë punë për t’u bërë, në drejtim të kuptimit të plotë të lidhjes mes diabetit dhe obezitetit. Kjo përfshin kuptimin e mekanizmave biologjikë, që mund t’i lidhin që të dy.

Diabeti i tipit 1, nuk shoqërohet me obezitetin. Ai cilësohet si një çrregullim autoimun, që do të thotë se sistemi imunitar i trupit, sulmon qelizat që prodhojnë insulinën në pankreas. Është një sulm tejet i suksesshëm; një diabet i tipit 1, nuk është më në gjendje të prodhojë insulinë.

Ka disa dëshmi se diabeti i tipit 1 është gjenetik, apo edhe disa prova të tjera, se ky lloj diabeti mund të shkaktohet nga një virus.

Ju duhet të injektoni rregullisht insulinë në trupin tuaj

Diabetikët e tipit 1, kërkojnë terapi të insulinës, por kjo mund të bëhet duke përdorur pompat e insulinës. Këto pajisje, reduktojnë nevojën për të injektuar rregullisht insulinën. Insulina jepet ende nëpërmjet një injeksioni, që i është bashkangjitur disa tubave dhe pastaj një pompe. Kjo metodë ka disa përparësi.

E para është se është më diskrete, dhe diabetiku shmang stigmën sociale që shoqërohet me injektimin në publik. E dyta është se zvogëlon nevojën për të gjetur vende të ndryshme të injektimit në trup.

Ekzistojnë një sërë mundësish trajtimi për diabetin e tipit 2, dhe për diabetin xhestacional (që zhvillohet gjatë shtatzënisë). Këto lloje të diabetit, mund të trajtohen përmes ndryshimeve në stilin e jetesës, ose mund të menaxhohen me sukses që në fazat e hershme nga pilula si metformina.

Teksa diabetikët plaken, ose kur një shtatzëni avancon, pacienti mund të ketë nevojë për insulinë ose një kombinim të pilulave. Diabetikëve që po përpiqen të menaxhojnë gjendjen e tyre, mund t’u ofrohet një ilaç si bromokriptina, që ndikon në fushat e trurit që ndihmojnë në rregullimin e metabolizmit të trupit.

Diabeti është një sëmundje e lehtë për t’u menaxhuar

Ekzistojnë disa dëshmi, se një dietë me kalori të ulët, mund të rikthejë nivelin e glukozës së gjakut në nivele normale tek diabetikët e tipit 2, gjë që ka çuar në sugjerime se kjo mund të jetë një lloj kure. Por nuk ka asnjë dëshmi se kjo është e përhershme, dhe shumica e mjekëve pajtohen se diabeti (me përjashtim të diabetit të shtatzanisë) është aty gjithë jetën.

Ndërlikimet serioze afatgjata të diabetit, janë prerja e gjymtyrëve, humbja e shikimit, dhe sëmundjet kardiovaskulare. Kjo është arsyeja se pse ekziston një kontroll rutinë për të monitoruar këto aspekte të shëndetit të një diabetiku.

Me pak fjalë, disa komplikime të diabetit mund të të marrin jetën. Diabeti është një sëmundje

e fshehur, dhe për shumë njerëz sigurisht që nuk është i lehtë për t’u menaxhuar. Dhënia e këshillave dhe edukimi i shëndetshëm, nuk është i mjaftueshëm për t’i ndihmuar të gjithë, dhe shumë prej tyre nuk arrijnë të menaxhojnë gjendjen e tyre.

Nivelet e sheqerit në gjak janë të ndikuara nga ushqimi, aktiviteti, sëmundjet e cikleve të gjumit, stresi dhe efektet e tjera të hormoneve. Kështu shenjat dhe simptomat e diabetit, janë rrallë të qëndrueshme. Për shumicën e njerëzve, diabeti është për gjithë jetën.

Është një gjendje shëndetësore serioze, që mund të jetë e paparashikueshme, dhe ndonjëherë shumë e dëmshme. Shumë njerëz me diabet, raportojnë se kanë përjetuar stigma nga shoqëria përreth. Disa diabetikë, kanë edhe keqkuptimet dhe paragjykimet e veta. Prandaj është jetike rritja e ndërgjegjësimit për realitetin e jetesës me diabetin, për të ndihmuar në përmirësimin e përvojës së jetesës më të.

Newsweek – Bota.al

Pas