Komente

Mirdita, Kryeministri dhe një biletë për Amerikë

               Publikuar në : 13:32 - 09/02/18 |
ri.de.

Nga Gjergj META

Pak ditë më parë Kryeministri Rama ishte në Mirditë. Gjatë vizitës së tij bëri dy akte: Shkarkoi nga puna live drejtorin rajonal të Shëndetësisë, pasi qendra shëndetësore e Domgjonit nuk ishte e lidhur me energjinë elektrike, duke zbuluar njëkohësisht se më shumë se 30 qendra shëndetësore në Mirditë kanë këtë problem. Dhe e dyta, Kryeministri vizitoi minierën e Spaçit ku takoi minatorët, që punojnë aty për një firmë turke. Po në të këto ditë, unë isha për meshë në një fshat të veriut.

Pas meshës, famullitari i Kishës më paraqiti një të ri, i cili kishte shtyrë biletën e tij për në Amerikë, pasi e kishte prerë një herë atë, vetëm sepse kishte marrë vesh që do të vinte për meshë ipeshkvi dhe nuk donte ta humbiste këtë rast. Çfarë lidhje kanë këto dy gjëra me njëra-tjetrën? Po e shpjegoj menjëherë. Sjellje të tilla, sipas meje, janë kryekëput populiste. Në fund të fundit, çfarë nuk ka qenë populiste në Shqipëri në këto vite? Po të mos ishte ashtu, nuk do të ishim këtu ku jemi.

Por këtu kemi të bëjmë me një populizëm cinik. E cinizmi i shfaqur është i dyfishtë. Unë nuk e njoh drejtorin rajonal të Shëndetësisë për Mirditën. Nuk ia kam idenë kush është, çfarë bën e kujt partie i përket. Por ajo që bën përshtypje, është fakti se përsëri faji gjendet jashtë vetes e i lihet të tjerëve (Kryeministri foli për fajin e tepsisë!!!). Deri kur kështu? Si ka mundësi që ministrja aktuale e Shëndetësisë, apo edhe ata të tjerët më parë, nuk e kanë vënë re kurrë këtë problem me qendrat shëndetësore e me krejt sistemin shëndetësor në Mirditë (por jo vetëm)?

Nuk bëhet fjalë për një qendër, por për 30 të tilla. Do të thotë se kanë heshtur, përveç drejtorit, edhe mjekët, edhe infermierët, edhe administratorët lokalë (kryepleq e përfaqësues të administratës), edhe punonjësit e KESH-it, edhe banorët e fshatrave e kështu me radhë. Nuk besoj se të gjithë këta kanë qenë të tepsisë. Jo, zoti Kryeministër! Nuk e ka fajin tepsia, por kuletat e mbushura në këto vite me para të dhëna e kurrë të shfrytëzuara aty ku duhen.

E ka fajin aradha e militantëve që vazhdojnë të mbushin drejtoritë me “konkurs” e nuk hapin gojë, prandaj vështirë se do të ndryshojë diçka. Shkarkimi i një drejtori direkt nga Kryeministri, për shkak të një lajmëtari digjital, konfirmon një mendësi totalitare, që është njësoj si e kundërta e saj, d.m.th. emërimi i të paaftëve dhe militantëve nëpër poste kyçe dhe kësisoj keni plot, zoti Kryeministër, të emëruar prej jush. Nuk është drejtori ai që ka fajin, ose ka vetëm një pjesë të vogël, por sistemi dhe mendësia që ushqen këtë sistem e që të korruptuar të administratës vazhdojnë ta ushqejnë.

Qendra shëndetësore në Domgjon e kudo në Mirditë nuk e ka problemin vetëm të energjia elektrike, por te sistemi që nuk funksionon. Është një sistem i tërë. Domgjoni, meqë ra fjala, është vetëm qendra e një sërë fshatrash përreth që s’kanë as rrugë, e me gjithë vullnetin e mirë të kryebashkiakut, edhe vetë rruga e Domgjonit është problematike, duke qenë se u shemb vetëm pak pasi ishte rregulluar. Para se të kenë një qendër si duhet, duhet të kenë rrugë për të shkuar te qendra. Në të njëjtën ditë, Kryeministri shkoi edhe në minierën e Spaçit.

Por kronikat nuk thanë asgjë, ama asgjë, për qoftë edhe një minutë heshtje të Kryeministrit, majë atij shkrepi të përgjakur nga krimineli Enver Hoxha, një minutë heshtje në atë burg, që është për ne Shqiptarët si Mauzoleu i memories për Izraelin apo si Aushvici e Birkenau për hebrenjtë. Asnjë minutë, asnjë gjysmë fjale, asnjë germë në media. Aty nuk mund të kalosh pa hequr sandalet, si Moisiu përpara kaçubës që digjej, sepse është vend i shenjtë.

Madje, cinizmi arrin deri aty sa pikërisht ajo minierë gjendet mu në kampin e burgut, për të cilin qeveria nuk është kujdesur kurrë dhe që kam frikë se do të shkatërrohet për të thënë që nuk ka ekzistuar kurrë. Por ka akoma më shumë. Kryeministri ka qenë në Mirditën, e cila është ulur në gjunjë nga varfëria. Ka më shumë se 250 familje, që po u bie kulmi i shtëpisë mbi krye e që jetojnë shumë larg minimumit jetik, jetojnë në mjerim total. Ka shumë familje të tjera dhe janë mbi 80 % e familjeve të Mirditës, që janë paksa mbi minimumin jetik.

Në Mirditë, Kryeministri takoi minatorët e veshur me uniforma të pastra. Oh, zoti Kryeministër, ju nuk e dini se çfarë ndodh në shtëpitë e minatorëve dhe me standardin e tyre të jetesës! Ju nuk keni vizituar vende të tjera në Mirditë ku njerëzit jetojnë si mos ma keq. Ka njerëz që shfrytëzohen dhe nënpaguhen dhe ku tatimorët tuaj as nuk kanë guxim të afrohen. Por akoma më keq, minierat dhe hidrocentralet ua kanë prishur ekosistemin Mirditës dhe jo vetëm.

Lumi i Fanit është shpërfytyruar. Mjegulla që vinte vetëm nga Liqeni i Ulzës tani vjen edhe nga Qafëmolla dhe po ia merr frymën dhe shëndetin banorëve të Rrëshenit për shkak të lagështirës. Këto gjëra nuk do t’jua thotë njeri Zoti Kryeministër, pasi në Mirditë, ata që flasin, janë dy llojesh: ose servilë militantë që mendojnë se ju po bëni mrekulli, ose armiq militantë të krahut tjetër politik që u ke marrë pushtetin. Por ka edhe një pjesë tjetër dhe janë shumë… që bashkë me mua nuk u intereson as partia juaj e as partia tjetër, por jetesa dhe standardet e saj.

E tani po vij te ai djali që kishte shtyrë biletën për në Amerikë. Ai kishte fituar lotarinë, ndoshta ndër të fundit, nëse kalon propozimi i Trump-it për heqjen e saj. Ai do të shkojë, do të ikë e nuk do ta kthejë më kokën mbrapa. Unë, pa e ditur, arrita ta ndal vetëm për tre ditë. Ndoshta, ai po të gjejë gjëra apo njerëz qe do t’ia zgjasnin ditët, nuk do të ikte. Famullitari i fshatit më tha se ajo zonë kishte pasur 7500 banorë. Tani janë vetëm 3400 e më tha gjithashtu që po të mundnin, do të iknin të gjithë. Unë po ju them, zoti Kryeministër, se janë më shumë ata që duan të ikin për të ndjekur ëndrrën e tyre amerikane, sesa ata që duan të rrinë këtu. Në Mirditë, në Rrëshen, ka shumë të rinj që do të donin të iknin.

Madje, edhe prej atyre që janë me një punë në administratën tuaj, po të kishin mundësi, do të iknin. Dhe, a e dini pse? Sepse ju nuk ngjallni shpresë. As ju, as kundërshtarët e tu politikë. E fakti është se, as unë nuk kam çfarë t’u them dhe ndjehem i pafuqishëm përballë këtij realiteti. Ju ndoshta nuk keni takat që ta ndaloni këtë hemorragji, duke qenë se nuk ofroni shpresë e as një strategji shpresëdhënëse, përveç retorikës, por të paktën mos u bëni cinikë me pushime nga puna live. Janë aq banale, saqë, me kohën, do të pendoheni edhe ju. Ju ngjajnë ekzekutimeve pa gjyq. Është shumë e lehtë për një Kryeministër të pushojë nga puna një nëpunës të një periferie, sepse jemi në Shqipëri, në fund të fundit. Mund ta bënte edhe vetë ministrja, madje edhe sekretari i partisë së qarkut. Është gjëja më e thjeshtë.

Mjafton të hapësh gojën dhe u krye. Njësoj si të ishit zot, mund ta bëni. Por pikërisht kjo gjë ju bën një zot me “z” të vogël e të pabesueshëm në mënyrë afatgjatë. Mirditës duhet t’i ktheni dinjitetin, që ia nëpërkëmbi komunizmi, ia nëpërkëmbën ata që qeverisën para teje e po vazhdon akoma të nëpërkëmbet, duke mbetur e varfër dhe duke u zbrazur dita-ditës. Duhet të filloni t’ia ktheni dinjitetin nga përulja, qoftë edhe simbolike, përballë burgut të Spaçit. Por duhet ta vazhdoni duke hapur vende pune e duke kontrolluar se sa paguhen gratë e shkreta nëpër fasoneri, duke pyetur se si e përballojnë jetën prindërit, që kanë për të çuar fëmijët në shkollë e kështu me radhë, e për t’i ushqyer me bukën e gojës.

Megjithatë, faleminderit që erdhët në Mirditë, zoti Kryeministër, sepse së paku Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit u kujtua të rregullojë hyrjen nga autostrada deri te ura e Fanit, pikërisht një ditë para se të vinit ju, edhe pse ka filluar sërish të prishet. E, po ashtu, më në fund, me rastin e ardhjes tuaj e njëjta ministri ka shtruar daljen e Repsit, që ju të shkonit rehat në Spaç, e cila deri para ardhjes suaj ishte për faqe të zezë. Ju mirëpresim rishtas në Mirditë, zoti Kryeministër, sepse Mirdita është bujare, edhe pse e varfër dhe vuajtur, e, kushedi, ndoshta na rregullohet ndonjë rrugë tjetër.

*Autori është Ipeshkv i Dioqezës së Rreshenit

 

-Botuar fillimisht në gazeten “Panorama”

 

Pas