Aktualitet, Sport, Te Fundit

Milan/ Donaruma nuk firmosi, kinezët spastrojnë “yjet” e Raiolës

I nati ndaj Mino Raiolës në radhët e popullit milanist duket se nuk ka rënë me kalimin e ditëve, përkundrazi sa vjen e shtohet. Së bashku me drejtuesit, edhe tifozët u ndjenë të tradhtuar nga Xhixho Donaruma.

Pas shpalljes së agjentit italoholandez person i padëshiruar në Milanon kuqezi, te “Djalli” ka nisur puna për të shitur të gjithë lojtarët nën kontratë me klubin që kanë lidhje menaxhimi me Raiolën.

Drejtori sportiv, Maks Mirabeli, është i një mendimi me presidentin Jonghong Li dhe duket se nuk e ka problem ta mbajë Xhixhon në tribunë deri në përfundim të kontratës, ndryshe nga kolegu i tij, që e sheh portierin si një “mall” me vlerë në kuadër të merkatos që po zhvillon “Djalli”.

STRATEGJIA

Sipas mediave italiane, administratori Fasone dhe kolegu i tij Mirabeli do të përpiqen të shkëputen nga menaxheri me të cilin nuk mundën të ndërtojnë dot një marrëdhënie respekti reciprok në këta dy muaj të parë të karrierës së tyre te Milani. Ky plan nuk duket i vështirë për t’u përmbushur pasi në radhët e skuadrës së Montelës janë vetëm dy elementë me “njollë”.

SPASTRIMET

Bëhet fjalë për kapitenin Injacio Abate dhe mesfushorin Xhakomo Bonaventura. Për të parin nuk duket e vështirë procedura e largimit, duhet thjesht të vijë oferta e duhur, pasi kuqezinjtë e kanë bërë të ditur me kohë se kontrata e tij, që skadon pas dy vitesh, nuk do të zgjatet më tej.

Mbrojtësi i djathtë është 31 vjeç dhe sigurisht projekti i ri mund të vazhdojë zhvillimin edhe pa ndihmën e tij. Për sa i përket “Xhekut”, problemi është disi më kompleks.

Ai ishte një nga futbollistët kyç të skemave të Montelës deri në momentin që u dëmtua. Lëndimi i tij solli jo pak pasoja në lojën kuqezi, e cila pësoi një rënie të dukshme, sidomos në ide dhe zhvillim të aksioneve sulmuese. Për Bonaventurën shtrohet edhe çështja e rikuperimit të tij nga dëmtimi.

Tërheqja në kofshë, që e detyroi të operohej dhe që e mbajti katër muaj larg fushave, mund të shfaqë probleme në arritjen e formës maksimale nga ana e lojtarit, i cili mund të sakrifikohet nëse vjen oferta e duhur.

TË TJERËT

Më pak shqetësime mund të sjellin largimet e Rodrigo Elit, i cili, pavarësisht se ka disa vite te kuqezinjtë, shumicën e kohës e ka kaluar i huazuar në Serinë B e së fundmi në Spanjë dhe Kozimo La Ferrarës, i riu premtues që nuk ka debutuar ende me ekipin e parë. I fundit në listën e të asistuarve të Raiolas është Hoashim Mastur.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko