Komente

Mielli s’është dhunë, por njolla e turpit që i shkon kësaj qeverie

               Publikuar në : 21:27 - 12/04/18 |
m.b

Edi Rama dhe ministrat e tij duan edhe ta hanë gjithë byrekun e tepsisë për vete, por edhe të mos njollosen nga mielli i tij. Deri më tani, falë edhe gafave të rënda të opozitës, ia kanë dalë të mbllaçiten të qetë duke mos e prishur oreksin as nga akuzat dhe as nga skandalet që u shpërthejnë çdo ditë. Ndonëse Shqipëria klasifikohet si një vend me demokraci hibride, me një qeverisje autoritariste, me korrupsion politik të lartë, me ministra të përfshirë në trafik droge e afera korruptive, me liri shtypi të kufizuar dhe shoqëri civile të kompromentuar, kryeministri i ka qëndruar besnik shprehjes së tij të preferuar “qentë le të lehin karvani shkon përpara”.

Me një pushtet gjithnjë në rritje, të akumuluar në duart e tij, Edi Rama mendon se është i plotfuqishëm jo vetëm të abuzojë me të si të dojë, por edhe të mos e shqetësojnë ndërsa ndan copat e byrekut të “bashkëqeverisjes me qytetarët”. Prandaj ai dhe ata që mbledhin thërrimet pas tij, u tubuan në kor kundër miellit që u zbardhi kostumet sot në Kuvend. Ata nuk i durojnë dot ato njolla, sepse janë të vetëdijshëm që në sytë e shqiptarëve ato janë lakmuesi i korruptimit politik e moral që ata u kanë bërë besimit të tyre.

Ministrat dhe klonet e tjerë të Ramës, e etiketuan miellin e opozitës si dhunë, agresion i ulët, pushtim i Kuvendit, madje duke i shtuar edhe refrenin e njohur populist që ka tre vite që përsëritet, se kjo bëhet për të penguar reformën në drejtësi. I pyetur njëherë për përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, si një mjet i dhunshëm, Albin Kurti dha këtë përgjigje: “I dhunshëm?! Po a ka diçka më paqësore se sa t’i bësh hajnat për të qarë, pa i prekur me dorë?”.

Kundrejt një qeverie arrogante, abuzive, që tenton të mbysë çdo zë kritik dhe të neutralizojë çdo qelizë të reagimit publik, që vendos për jetën e atyre që qeveris pa i përfillur ata, që e konsideron pasurinë publike si pronë të saj, një grusht miell e ca kokrra vezë nuk janë dhunë. Eshtë më e pakta që mund të bëhet e që duhej të ishte bërë me kohë.

Ndaj një qeverie që i pret rrugën drejtësisë kur bëhet fjalë për ministrat e saj, që i lidh duart prokurorisë të hetojë për vrasjen në Sharrë, për oficerët e policisë të lidhur me trafikantët apo për  koncensionet në shëndetësi, që përdor kriminelë për të fituar zgjedhjet dhe më pas i shpërblen me karrike në parlament dhe nëpër bashki, që kapet në flagrancë duke ndarë pa tender e pa garë pasurinë e përbashkët dhe që vazhdon të mos ndryshojë kurs, a ka kuptim të quhet dhunë dhe agresion njollosja e saj me dangën e turpit?

Gramoz Ruçi mund të përjashtojë dy apo të gjithë deputetët e opozitës, por nuk mund të ndalë dot procesin e njollosjes së qeverisë përpara qytetarëve. Ajo nuk është pasojë e veprimeve të opozitës, është rrjedhojë e një qeverisje që nuk i mbulon dot më njollat e veta. Opozita duhet ta tregojë atë jo vetëm në sallën e Kuvendit apo me deklarata në foltoren e PD, por çdo ditë dhe kudo. Ajo që për qeverinë është dhunë, për opozitën duhet të jetë detyrim.

Një pushtet abuziv duhet të marrë të paktën vulën e turpit, sa herë të përballet me publikun. Para kamerave, në takimet që bëhen me dyer të mbyllura, para ministrive, në Kuvend dhe në rrugë. Një grusht miell dhe ca kokrra vezë mund të shndërrohen në simbol të mosbindjes qytetare. Në reagim ndaj padrejtësive që bëhen çdo ditë. Ato mund të bëhen shenja për të dalluar ata që duan të hanë tepsinë e byrekut dhe të mos lenë gjurmë. Të paktën të mos jenë të qetë në hajninë e tyre. Dhe kjo nuk është dhunë. /lapsi.al

Pas