-Politikë, Aktualitet, Te Fundit, Të Gjitha

Meta: Nëse u japim shtetësinë kosovarëve rrezikojmë të na vendosin vizat

Kreu i shtetit Ilir Meta nga Kosova ka deklaruar se dhënia e shtetësisë shqiptare për gjithë kosovarët është një rrezik për Shqipërinë. Në një intervistë për RTK, ai tha se kjo mund të sillte pezullim të vizave dhe për shqiptarët nga Bashkimi Europian.

“Marrja e nënshtetësisë shqiptare për t’iu gëzuar liberalizimit të vizave s’e zgjidh problemin e zhbllokimit të proceseve integruese të Kosovës. Shqipëria është nën monitorim nga vendet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian mbi plotësimin e detyrimeve për liberalizimin e lëvizjes së lirë. Një lëvizje e pakonsultuar në këtë drejtim mund të sillte pezullimin e vizave edhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Mund të mos ishte tepër produktive pavarësisht nga qëllimi i mirë pozitiv dhe ndihmues që ka një propozim i tillë”, është shprehur Meta për televizionin shtetëror në Kosovë. 

Kushtëzimin e liberalizimit të vizave të Kosovës me demarkacionin kreu i shtetit shqiptar e quan një kushtëzim jo të drejtë, pasi Kosova i ka plotësuar të gjitha detyrimet që burojnë nga udhërrëfyesi.

“S’është e drejtë që pas kaq vitesh qytetarët e Kosovës të jenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që të mos i gëzohen liberalizimit të vizave. Po të varej prej meje dhe për dëshirën e institucioneve të tjera të Shqipërisë kjo gjë do të ishte bërë që dje e jo që sot. Kjo nuk është një zgjidhje, as afatshkurtër dhe as afatgjatë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Presidenti. 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko