-Jetë dhe Stil, Metro, Sport, Te Fundit, Të Gjitha

Më thuaj skuadrën e preferuar të të them çfarë mashkulli je

Nga Ema Shazivari:Në Shqipëri futbolli është sporti më i ndjekur nga të gjithë, veçanërisht nga meshkujt. Pjesa më e madhe e tyre janë tifoz të skuadrave italiane, pasuar nga ato gjermane dhe pjesa më e vogël tifozë të skuadrave spanjolle.

Mund të duket absurde, por përveç skuadrës së preferuar, këto tipe meshkujsh kanë edhe disa karakteristika të tjera të ngjashme. Ky NUK është një studim i bazuar në fakte shkencore, dhe as një artikull për tu marrë personalisht, por një  vëzhgim i përgjithshëm mbi tifozerinë shqiptare…shoqëruar me doza të vogla humori.

1 – Tifozët e Juventusit: Këta janë edhe pjesa më e madhe e tifozëve në Shqipëri. Nëse luan Juventusi mos guxo ti biesh telefonit, dhe aq më pak ti kërkosh ndonjë favor të tipit “O mua o Juventusin!” Zgjedhja është e qartë. Ata urrejnë me shpirt Interin dhe Milanin dhe në Kampionatin Botëror ose Europian janë tifozë të çmendur të Italisë, më shumë se vetë italianët. Loti i fundit që kanë derdhur ka qenë ditën kur Del Piero u largua nga futbolli. 

 

 

2 – Tifozët e Interit: Kjo kategori vjen pas tifozëve juventin. Në përgjithësi tifozët e Interit janë të çmendur pas “Tironës”. Po i thirre për kalçeto janë gati të lënë çdo gjë, dhe me juventinët kanë një luftë të ftohtë, ama kohët e fundit nuk para ndihen shumë duke qenë se Interi u ka ulur kokën.

Në fakt sa herë luan Interi këta meshkuj zbrazin edhe kuletën pasi gjithmonë vendosin lloto për Interin edhe pse thellë brenda vetes e dinë që janë të humbur. Në Botëror janë tifozë të çmendur të Brazilit, ndërsa në Evropian e kanë me dy mendje, por kryeson Holanda. Janë më pak radikalë se tifozët e Juventusit, pasi bën vaki edhe ta hapin telefonin kur luan Interi.

 

3 – Tifozët e Milanit: Këta edhe pse të pakët në numër janë besnikë të Milanit. Shohin me emocion çdo ndeshje, dhe në fund kujtojnë kohët e arta të skuadrës së tyre të zemrës. Janë disi më të distancuar nga futbolli dhe i shohin ndeshjet për kënaqësi. Shumica e milanistëve e kanë tradhtuar me kohë skuadrën e tyre për skuadrat gjermane. Në Botëror ose Europian këta janë edhe më të çmendurit pas Gjermanisë. Në përgjithësi u duket vetja sikur vlerësojnë futbollin e vërtetë dhe e shprehin me krenari këtë gjë. Janë pak delirant kur vjen puna te gjërat e veta, po nuk janë çuna të këqinj.

 

4 – Tifozët e Romës: Zakonisht i përkasin një brezit të viteve 80-90. Janë meshkuj që e shohin futbollin për qejf, por nuk janë radikalë dhe lehtësisht mund ti shkëpusësh kur ka ndeshje. Shumica e tyre janë adhurues të Francesco Totti-t dhe në fakt këta marrin vesh më shumë nga futbolli se sa pjesa tjetër. Në logjikë kanë notën më të lartë se të tjerët.

5 – Tifozët e Barcelonës: Këta janë të rrallë në Shqipëri dhe pëlqejnë futbollin e bukur dhe me klas. Asnjëherë nuk i gjen të lënë pas dore gjërat e rëndësishme për një ndeshje futbolli, sepse dinë ti ndajnë gjërat. Shumica e tyre janë intelektualë të cilët e pëlqejnë futbollin aq sa duhet, pa e tepruar. Me këta meresh vesh më mirë.

6 – Tifozët e Realit – Shumica e tyre janë adhurues të Christiano Ronaldos jo të vetë Realit. Po nuk fituan hajde dëgjoi më vonë se si gjejnë 100 justifikime. Janë të pakët në numër dhe Reali nuk është skuadra e tyre e zemrës, po thjesht një skuadër për ta pasur. Nuk janë të fiksuar pas futbollit, nuk para e kuptojnë shumë, dhe si të dashur nuk të lënë kurrë pas dore për futboll. 

7 – Tifozët e Bayern Munich: Këta janë meshkuj snob, pëlqejnë gjithmonë të fitojnë dhe nuk para i gjen duke parë ndeshjet nëpër lloto. Janë tifozë të flaktë të Gjermanisë, dhe nuk mund t’i thuash dot lehtë që e kanë gabim sepse nuk e pranojnë kurrë. Po luajti Bayern, mos i shqetëso dhe aq më keq nëse humb sepse të gjithë nervat që kanë mund të ti shprehin ty.

8 – Tifozët e skudrave angleze:Pa dallim skuadre këta meshkuj kanë një gjë të përbashkët, nuk janë të çmendur pas futbollit, mund ta shohin kur kanë kohë dhe në shumicën e rasteve janë të ftohtë dhe shumë të heshtur. Pjesa dërrmuese e tyre nuk ndihen fare në tavolinë dhe e ke të vështirë ta dallosh nëse janë ose jo tifoz. Mos prisni të shprehin emocione dhe nëse dyshoni se kanë ndjenja robotike, nuk jeni të vetmit.

/Opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko