-Sociale, Aktualitet, Te Fundit

Mblidhet Komuniteti Musliman, masa për Imamin Ahmed Kalaja

Komiteti Shtetëror për Kultet, ditën e djeshme, me anë të një letre i ka kërkuar zyrtarisht Komunitetit Musliman Shqiptar, shkarkimin e Ahmed Kalasë nga detyra e imamit të xhamisë tek “Rruga e Kavajës” në kryeqytet, pas shfaqjes së videos tallëse në rrjetet sociale me përfaqësues të klerit ortodoks.

Komuniteti Musliman Shqiptar ka reaguar menjëherë, duke e dënuar rastin në fjalë me synimin që ngjarje të tilla mos të përsëriten më. Burime konfidenciale nga KMSH-ja, mësohet se ditën e nesërme, pritet të merret masa ndaj imamit të xhamisë së “Rrugës së Kavajës”, Ahmed Kalaja por pa saktësuar nëse ai do të shkarkohet apo jo nga kjo detyrë e lartë fetare.

Me anë të një deklarate për mediat, KMSH thekson se ka ndjekur me shqetësim publikimin e ndodhur disa ditë më parë, ku gjatë një bashkëbisedimi jo të kujdesshëm të shfaqur në mediat sociale midis dy futbollistëve të Kombëtares dhe një imami, u la vend për keqkuptim dhe lëndim të ndjenjave dhe besimeve të tjera fetare.

“Duke vlerësuar bashkëpunimin e frytshëm dhe korrekt me Komitetin Shtetëror të Kulteve, sqarojmë opinionin publik se bashkëndajmë shqetësimin e këtij institucioni, shprehur edhe me shkresën e fundit, në lidhje me ruajtjen dhe moscënimin e traditës së shquar të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, vlerë e vyer kjo e trashëguar ndër vite”, citohet nga deklarata e KMSH-së.

Kujtojmë se pas publikimit të videos dhe debatit që ajo shkaktoi në opinionin publik, imami Ahmed Kalaja me anë të një postimi në “Facebook” kërkoi ndjesë për gjithçka ka ndodhur. Ai theksoi se nuk do t’i lejonte kurrë vetes që mendimet dhe bindjet e tij për klerikët apo pjesëtarë të komuniteteve te tjera fetare, të ishin në kundërshtim me mësimet e Islamit.

Në prag të ndeshjes me Italinë, dy lojtarë të Kombëtares, Andi Lila dhe Armando Sadiku u përfshirë në një videoskandal, bashkë me hoxhën Ahmed Kalaja, ku tallen me besimin fetar të krishterë. Biseda u zhvillua në një dhomë hoteli, kur imami Ahmed Kalaja kishte shkuar për t’i vizituar.

Ndonëse ka qenë imami Kalaja ai që e nxit Lilën të tregojë historitë me priftërinj në skuadrën greke ku luan (PAS Giannina), ky i fundit nuk hezitoi t’i tregojë një episod, kur prifti hyn në dhomat e zhveshjes dhe të gjithë i puthin dorën.

Duke u tallur me vizitat e shpeshta të priftërinjve tek skuadra ku luan, Lila shtonte se ai nuk e ka bërë një veprim të tillë, pra që t’i puthte dorën. Tregimi i tij shoqërohej me të qeshura si nga Sadiku ashtu edhe nga imami Ahmed Kalaja.

 

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko