Komente, Kryesore

Mbi kanionet e Osumit do të ndërtohen tre HEC-e! “Syri qorr e veshi shurdh”

Çfarë po ndodh me monumentet e natyrës në vendin tonë? Pas Valbonës dhe Vjosës, një tjetër skandal po ndodh në një ndër zonat më të frekuentuara për 2017 nga turistët.

Nga ZAMO SPATHARI

Masakra që po i bëhet mjedisit në Shqipëri ka marrë shtrirje në të gjithë territorin. Nëse deri më tani kishit dëgjuar për Valbonën që po tjetërsohet për shkak të ndërtimit në HEC-ve… Sot do ju tregojmë se më në jug të vendit po ndodh e njëjta katastrofë natyrore që nëse lejohet, ajo bukuri natyrore nuk do te jetë më si më parë dhe do e humbasë përgjithmonë, atë që natyrës i është dashur miliona vite ta krijojë.

Ndërkohë që zhurma po bëhet për Valbonën dhe Vjosën, në një situatë dramatike janë dhe kanionet e bukur të Osumit të cilët rrezikojnë zhdukjen për shkak të lejes që është dhënë për ndërtimin e tre HEC-eve në Bigas dhe Veleshnje.

Kanionet e Osumit janë “Monument Natyre” dhe çdo gozhdë që mund të ngulet aty ka nevojë për leje nga institucionet përkatëse.

Por kjo nuk i ka penguar autoritetet që të japin lejen ndaj një subjekti privat i cili do ta shfrytëzoj këtë pasuri publike dhe jetike për vendin për 35 vite.

Ky skandal mjedisor që po ndodh në zonën e Skraparit ka shkuar deri në instancat më të larta të shtetit. Fillimisht ka qenë ish-Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i cili pasi është njohur me shqetësimin e shoqatave mjedisore, banorëve të zonës dhe Federatës së Rafting i ka dërguar një letër ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka që ta rishikonte këtë leje.

Në letrën që mban datën 9 mars 2017 Meta thekson se ndërtimi tre hidrocentraleve në kanione do të dëmtojë shumë ndjeshëm mjedisin.

“Ndërtimi i tre hidrocentraleve do të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme ujëvarat e kanionit “Kaskada e Bigasit”, do të ndikojë negativisht në ekosistemin e kanioneve të Skraparit, do të shkatërroj florën dhe faunën përreth dhe do të cenojë aktivitetin turistik të kësaj zone të mbrojtur, do të ndot mjedisin e do të dëmtojë tokën duke nxitur degradimin e saj mjedisor, do të pengojë zhvillimin e natyrshëm të biodiversitetit dhe do të shkaktojë një impakt negativ social për komunitetin që jeton në atë zonë të rëndësishme”, shkruhet në letrën e Ilir Metës, që i drejtohet, ish-ministrit Lefter Koka, ministrit Damian Gjiknuri dhe kryeministrit Edi Rama.

Letër kjo që ka mbetur pa një përgjigje nga personat që u është adresuar (!)

Një vit me vonë pikërisht në fillim të janarit 2018 Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i dërgon një kërkesë ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri për të rishikuar lejet e koncesioneve të dhëna për t’u ndërtuar afër kanioneve të lumit Osum.

“Në kuadër të rishikimit të disa lejeve të dhëna për aktivitete që kanë ndikim të madh në mjedis dhe bien ndesh me legjislacionin mjedisor, ju bëj me dije se kemi evidentuar rastin e kompanisë “HP Bigas & Veleshnja Energy” me vendndodhje në derdhjen e përrenjve Bigas dhe Veleshnje që përfundojnë në Kanionet e lumit Osum.

Nga shqyrtimi i vendimeve të marra më parë sipas koordinatave të vendosura rezulton se ujërat nuk shkarkohen në Përroin Bigasit për HEC-in Bigas, por në fshatin Dhorës ku kalon një përrua tjetër ai i Dhorasit, dhe kuota është mbi 500 metra. Kjo shkel pikën e kushteve të lejes nga Këshilli Kombëtar i Ujit që duhet të shkarkojë ujin në të njëjtin përrua, dhe nga ana tjetër duke mos respektuar kuotat e dhëna bën absurd funksionin e tij hidrik.

Gjithashtu vendimi i ish Ministrisë së Mjedisit për VNM-në paraprake, thotë se “subjekti të kryej aktivitetin vetëm brenda koordinatave të dhëna në kontratën koncesionare dhe kontratat shtese”, gjë që e bën të pavlefshme lejet e tjera që kontradiktojnë ng këto koordinata thuhet në letrën që ministri Klosi i dërgon kolegut të tij Gjiknuri për rastin në fjalë.

Më tej shpjegohet se këto HEC-e do të ndërtohen në përrenjtë që janë tributar të lumit që formon kanionet e Osumit, me statusin me të lartë të mbrojtjes mjedisore si Monumente Natyre të shpallur me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2002, dhe do të kenë impakt të drejtpërdrejtë në jetesën e këtij fenomeni unikal natyror të vendit tone, tashmë edhe një nga atraksioni turistik më të frekuentuar, duke dëmtuar ndër të tjera edhe ujvarën më të bukur të Kanionit, Ujvarën e Bigasit.

Në të njëjtën linjë edhe drejtori i Përgjithshme i Agjencisë kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej i ka dërguar një memo sqaruese ministrit të Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi ku u shpjegon se AKZM ka identifikuar disa parregullsi që lidhen me mospërputhjen e vendndodhjes sipas koordinatave me lejet e mara, të cilat janë në kundërshtim me miratimin e dhënë dhe i bëjnë të pavlefshme vendimi i ish Ministrisë së Mjedisit për VNM-në paraprake.

Siç shihet situata alarmante ka shkuar deri të shkresat ndërsa nuk është nisur asnjë veprim konkret.

Si ka mundësi që nuk ndërmerret asnjë veprim për ta ndaluar këtë masakër mjedisore!

Pse heshtin ata që janë informuar për këtë situatë? Kush fshihet pas këtyre ndërtimeve? Me ç’kritere e kanë marrë një leje të tillë? Dhe si ka mundësi që askush nuk ka mëshirë për natyrën e këtij vendi?

Mbi Kanionet

Kanionet e Osumit janë kthyer në trendin turistik vitet e fundit në Shqipëri. Për të huajët rafting, kanotazhi, zbritja e ujvares së Bigasit me litarë, eksplorimi dhe vëzhgimi i natyrës së egër që bëhet në atë zonë janë disa nga aktivitetet më të preferuara. Ndërkohë vitin 2017 ka qenë një sukses i padiskutueshëm për turizmin e aventurës në Shqipëri. Mbi 7 mijë vizitorë të huaj kanë vizituar kanionet shqiptare vitit 2017, një numër ndjeshëm në rritje krahasuar me vitet e kaluara për aktivitete sportive dhe 2 herë më shumë turistë vendas dhe të huaj për të parë kanionin dhe shijuar ushqimin e shijshëm dhe traditat autentike të Skraparit mikpritës.

Në shumë shkrime dhe raporte që janë bërë në mediat e huaja turistët e huaj janë të magjepsur pas Shqipërisë, veçanërisht kanioneve të Osumit e luginës së Vjosës.

Për herë të parë pas shumë vitesh kjo zonë është kthyer në qendër të vëmendjes nga turistët, pikërisht për shkak të një punë shumë të mirë që kanë bërë organizatat e rafting dhe tur operatorët turistikë duke joshur turistët drejt kanioneve të Osumit. Në një moment të tillë ku potenciali turistik është i madh…. tre HEC-e ngrenë krye mbi Kanione. A ka masakër më të madhe?!

 

*Autori është drejtues i Federatës Shqiptare të Rafting

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko