-Politikë, Aktualitet, Komente, Te Fundit

Mallkimi i firmëtarëve të Pavarësisë së Shqipërisë!

Nga Dritan Laci

Të helmuar; të vrarë në pritë; shumë prej tyre të shuar në burgjet komuniste, disa me plumb në kokë dhe të tjerë në tortura; anti-Zogistë dhe fanolistë më pas të falur nga Zogu; të tjerë që vdiqën në ekzil që kuptuan në kohë se çfarë i priste gjatë regjimit komunist; dhe në fund një deklaratë origjinale pavarësie që kemi 72 vite që nuk e gjejmë dot se ku ka përfunduar. Në këtë ditë të shënuar për Atdheun është momenti për të kujtuar edhe njëherë 40 firmëtarët e Deklaratës së Pamvarësisë dhe fundin tragjik të shumë prej tyre, ku një pjesë e mirë përfunduan të shkuar në plumb po nga vetë shqiptarët të cilëve u kishin firmosur aktin më të rëndësishëm të mbijetesës. Nga jetëshkrimi i 40 firmëtarëve sot na rezulton se shumë pak prej tyre kanë pasur një vdekje natyrale; të tjerët ose kanë vdekur nga marazi në mërgim; ose janë helmuar; ose janë përndjekur dhe burgosur si nga të huajt ashtu edhe regjimet e kohës; ose janë vrarë pas shpine. Mallkim që fillon me vetë kryetarin e Kuvendit të Pavarësisë, Ismail bej Qemalin, i cili vdiq në moshën 75 vjeçare në rrethana misterioze në një hotel në Peruxhia të Italisë. Thuhet i helmuar por askush ende edhe sot nuk mund ti japë dritë kësaj teorie.

Për të vazhduar më tej me Dom Nikollë Kaçorrin, numrin 2 të Deklaratës së Pavarësisë, edhe ky i shuar në mërgim dhe i harruar për dekada të tëra, aq sa regjimi komunist shkoi deri aty sa ti fshinte edhe firmën nga akti i Pavarësisë. Histori përndjekjesh dhe eleminimesh fizike që do të vazhdonin edhe me firmëtarë të tjerë të rëndësishëm të Pavarësisë që fare mirë mund ti ndash në tre kategori; ata që u përndoqën dhe u eleminuan gjatë regjimit të Mbretit Zog i Parë; ata që u kalbën në burgjet fashiste por që sikur të mos mjaftonte kjo vuajtën edhe dënimet në burgjet e regjimit komunist dhe të tretët ata që u shkuan në plumb nga vetë regjimi komunist. Ku ndër personazhet më me zë mund të përmendim Ministrin e parë të Arsimit, Luigj Gurakuqi, i cili u vra në Bari nga një farë Balto Stambolla që u tha se ishte kushëriri i tij por që edhe sot historia ja faturon eleminimin Mbretit Zog i Parë. Që vazhdon më tej me një tjetër figurë madhore si Lef Nosi. Ministër I Postë Telegrafit në Qeverinë e Ismail Qemalit, edhe ky firmëtar në Deklaratën e Pavarësisë, që u pushkatua nga komunistët në vitin 1946, diku aty ku sot ndodhet Kodra e Priftit në Tiranë.

Një histori e gjatë përndjekjesh, burgimesh dhe ekzekutimeshm ku duket se dorën e fundit firmëtarëve të mbetur të Pavarësisë ua dha regjimi komunist, nga ku të vetmit që shpëtuan pa provuar togat e pushkatimit, ishin ata që ikën nga Shqipëria pa u instaluar i plotë regjimi komunist. Personazhe të cilat për fatin e keq të tyre vazhdojnë të jenë edhe sot të shoqëruar me damkën e një historie që nuk u ka dhënë dritën e plotë që përmban figura e tyre.

 

 

 

 

 

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko