-Politikë, Aktualitet, Komente, Te Fundit

Luli është më i gjati, Luli është më i bukuri

Nga Reldar Dedaj

Nuk ka asnjë dyshim se Lulzim Basha është më i gjati, më i bukuri dhe më i denji për t’u përball më Edi Ramën në çdo vend, qoftë ky dhe aq sa shtrëngimi i duarve pas marrëveshjes së 18 majit para portës së Kuvendit. Mjafton të shohësh me vëmendje siluetën e tij, mjafton të shohësh kundërshtarin e PD-së dhe në fund fare, pasi të lodhësh, shiko kundërshtarët e Bashës: barkderrë, xhuxhmaxhuxhë, të rrudhur dhe të padobishëm.

Mjafton të dëgjosh me vëmendje atë që po thonë në media, tribuna dhe kudo që u vihet një mikrofon para. Dhe shqiptari i shkretë e ka të pamundur mos të bindet se çfarë klase politike ka krijuar e djathta në Shqipëri. Një klasë politike krejtësisht të paaftë, të prapambetur, e paditur, e korruptuar dhe e çoroditur. Sado të lodhen, do ta kenë të vështirë të ndërtojnë një realitet politik brenda Partisë Demokratike, i cili do të kërkonte nja klasë politike më cilësore.

Ata po kërkojnë një votë të lirë, për të krijuar një parti të lirë, shkaka e madhe kjo, por vota shpesh mbetet në dorë, nuk dinë ku t’a vendosin. Edhe nëse ia gjejnë një vend, ajo tashmë ka humbur çdo vlerë, sepse nuk do lexohet kurrë si votë e drejtë, por një votë e manipuluar, votë e mungesës së vetëdijes politike.

Prandaj, kundërshtarët, në këtë garë kanë arritur gjithçka, aq mund të arrinin. Pasi janë plotësisht të vetëdijshëm se fitoren nuk mund t’a preknin dot me dorë, por kontestimin e fitores po. Në anën tjetër, të gjithë e dimë se kjo klasë politike që ka dalë kundër kreut të “ngrirë” të PD-së, është e paaftë të ndërtojë institucione të lira, pasi gjithmonë gjeneron krizë, riciklon korrupsion dhe mbi të gjitha nuk ofron besim.

Duke parë këtë gjëndje, mendja të shkon domosdo te grupi anti Basha. Nuk ke si të mos marrësh një qëndrim rreth kësaj çështjeje, në mbështetje apo kundër tyre; në mbështetje të PD-së apo kundër saj. Mund të bësh manovra politike, por në mbështetje të demokracisë do të pozicionohesh gjithsesi. Në radhë janë sloganet e njohura: e drejta e garës është e drejtë demokratike; sharjet, dhuna dhe denigrimi i zërave kundër është i papranueshëm. Punë e madhe se qenka e papranueshme! Sa gjëra të papranueshme kemi bërë në këtë vend, dhe prapë këtu jemi. Çështja është se kush me kë manipulon, kush është në avantazh dhe kush arriti të përfitojë politikisht nga kjo gjëndje.

Dhe është e sigurtë, në çdo vend gjenden një mijë njerëz të pakënaqur që t’iu bashkohen grupeve të tilla. Duke qenë se gjakrat janë akoma të ndezur, grupi anti-Basha afeksionon, të gjithë ata që ishin jashtë derës, gjejnë shpresë për t’u futur brenda, me një fjalë, periferia tenton të futet drejt qendrës, me shumë gjasa, që qendra të shtyhet drejt periferisë. Këtë ka dëshmuar gjithmonë kjo frymë dhe këtë po dëshmon dhe sot në PD. Partia Demokratike nuk ka qenë më keq, as në kohën kur e rrëzuan nën kërcënimin e kallashnikovëve.

Ta merr mendja se PD, ndryshe nga të gjitha herët, ka mbetur pa asnjë idealist. Të gjithë kërkojnë t’a shkyejnë. Me ndihmën e shanseve të fillimit, studentëve të Dhjetorit, intelektualëve, të përndjekurve politik, krijoi institucione besueshmërie, por i bënë të tilla, që të të marrë vaji. Pasi nëpër to instaluan grupe interesi, klane, banda, herë me emra të figurave politike, herë pa to. Dhe sot, shtrohet pyetja, se kush mund t’i edukojë këtë delikuentë ordinerë, sepse PD nuk ka institucione kredibël për këtë. Pastaj, askush nuk e di se ku duhet filluar ky proces emancipues.

Nëse nuk merret me urgjencë një ndërmarrje shpëtimi, PD do jetë zhytur në barbari, injorancë dhe primitivizëm. Të gjithë ata që kërkojnë rrëzimin e Lulzim Bashës, dashje pa dashje, po vendosin PD-në me kokë përballë murit. Pa rrugë dhe mbi të gjitha po rrisin shanset për një aksident fatal pa kthim pas. Andaj sot, si asnjëherë tjetër, është detyrë e demokratëve dhe intelektualëve t’a shpëtojnë këtë aset kombëtar nga mbytja. Kaq. Asgjë tjetër.  

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko