Aktualitet, Editorial, Kryesore, Te Fundit

Lotët e Gertës dhe mallëngjimi kolektiv i shqiptarëve

Nga Desada Metaj

Ka mjaftuar recitimi i një fjalimi në kufijtë mizorë të patetikes që sot në lajmet dhe rrjetet sociale të vërshojnë komentet mbështetëse për një zonjë të panjohur që përloti një sallë parlamenti. Madje aq prekës ishte fjalimi i saj, sa zyrtarë të lartë të qeverisë përfshirë dhe kreun e ri të kuvendit u përlotën duke dëgjuar sa e rëndë ishte situata në fshatin shqiptar.

Po si ka mundësi që një hallexhie nga fshati, nga ato që me zor takojnë njëherë në 4 vjet deputetin e zonës, ka gjetur hapur derën e parlamentit. Madje ka folur në mikrofonin ku njëherë në javë flasin dhe debatojnë ata që mbajnë përgjegjësi për situatën jo vetëm në fshat, por dhe në qytet. Si mundet që një shoqëri dhe media hesht kur shteti falimenton përpara krimit siç ndodhi në Elbasan, qurravitet pas një fjalimi që është po aq i thjeshtë sa hallet që të qajnë dhe fshatarët tek tregu i çdo lagjeje. Përgjigja për mua është shumë e thjeshtë. Në kohën dhe vendin e duhur, një show i tillë është mjeti më i mirë për të larguar vëmendjen nga ajo çka vërtet është problem në Shqipëri. Është mënyra që dikur Enver Hoxha zgjidhte për të kritikuar burokratët ndërsa vriste dhe burgoste intelektualët, është show i zgjedhur me kujdes nga skenaristët dhe regjisorët e shfaqjes : “Shqipëria ka vend për përmirësime”.

Jo! Shqipëria nuk ka nevojë për ato që zonjës Gerta i kishin shkruar në fjalim. Shqipërisë nuk i duhen rrugë por  më parë i nevojitet që  politika t’i shkëpusë lidhjet me krimin. Rrugë dhe ujësjellës mund të ndërtojë çdo kriminel që ka pushtet apo fije të forta me të. Por shteti dhe qytetaria vdesin kur krimi bashkëjeton me to. Jo zonjë! Ata që të kanë shkruar fjalimin dhe të kanë mësuar aktrimin e dinë më mirë se ty se nuk është rilindja e fshatit halli që përlot Gramoz Ruçin. Është show dhe roli që pushtetit duhet të të mësojnë për ta bërë këtë popull të besojë se problemi më i madh i fshatit qenka bujqësia. Jo Gerta! Të kanë gënjyer ty dhe ndoshta ti veten kur thua se nuk dinë si votojnë në fshatin tënd. Që atje nuk e njohin se kush është në opozitë dhe në pushtet. Unë jam nga qyteti por kam qenë në fshat në fushatë dhe ditën e zgjedhjeve. Dhe e di shumë mirë që votat në fshat janë kryesisht kolektive dhe për shkak të varfërisë ekstreme ato blihen, në shumë raste dhe lirë. Dhe a e di kush i blejnë? Këta “të fortët” e lidhur me pushtetin. Që më pas fitojnë tenderin e rrugës dhe ujësjellësit të fshatit tënd. Dhe e vjedhin. Po, po. E vjedhin dhe uji e rruga nuk vijnë kurrë tek ty, as tek fshati jot.

Se ti ke një Kristinë në fshat që qenka e mërzitur se nuk di të ardhmen e atyre që ka mbjellë. Por a ka mbjellë dikush hashash në fshatin tënd Gerta? Sepse dukeshe vërtet e informuar dhe ndoshta nuk e di që fshati jot dhe qyteti im janë prodhues dhe eksportues të frikshëm të hashashit. Që po formojmë një brez që ëndërron të jetë shpërndarës droge, dhe kjo e dashur Gerta është më e frikshme se mungesa e rrugëve në fshat. Ndaj sot, më shumë se ty që ndoshta ke ajrin e pastër, ushqim bio dhe hapësirë për të qarë hallet edhe në parlament, që ke shansin dhe të përlotësh Gramoz Ruçin që nuk i dridhet qerpiku dhe kur i thonë kriminel, mua më vjen keq për shqiptarët. Për këtë popull në kufijtë e mjerimit njerëzor dhe qytetar, që po humb çdo vlerë.  Të rinisë që ka aspiratë pasurimin  e shpejtë dhe me punë të “pista”. Ndjej më shumë keqardhje për një brez të tërë që po rriten dhe edukohen pa personalitet,marioneta në duar të politikës dhe krimit.

Më vjen më shumë keq për fëmijët që do vazhdojnë të rriten këtu, me sistem të paqartë dhe nivel të ulët arsimor. Më dhimbsen më shumë ata që përpiqen dhe punojnë për të ndryshuar diçka, që paguhen shumë mirë dhe i japin këtij shteti taksa për shërbime që nuk i marrin kurrë. Më dhimbsen prindërit e mi dhe pensionistët e tjerë që gënjehen me rritje qesharake pensionesh dhe nuk shkojnë dot kurrë në një spital privat edhe pse kanë punuar me ndershmëri gjithë jetën. Por më shumë se të gjithë këta Gerta, më dhimbsesh ti. Lotët e tu dhe aktrimi i tepruar që të mësuan të bësh. Sepse vetëm kur shoh shfaqje të tilla kuptoj që ndryshe nga sa the ti, Shqipëria nuk bëhet. Sepse kemi ende mungesë të theksuar dinjiteti trashëgim i hidhur i shtypjes 50 vjeçare të komunizmit. Sepse kemi ende njerëz të rinj në moshë si ty Gerta, që pranojnë të bëjnë show në emër të një pushtetit që s’ka rëndësi nëse siç thua ti i rreh zemra majtas apo djathtas. Ndaj për të gjitha këto unë mendoj se ky vend vështirë të bëhet derisa dinjiteti të rikthehet si vlerë e një shoqërie që ende përlotet me skenarët e telenovelave të shkruara nga ata që mbajnë përgjegjësi për llumin ku jemi zhytur./ Opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko