Sport, Te Fundit

Lojtarët e Flamurtarit me pagesa të prapambetura/ Bojkotojnë lojën

Në Vlorë nuk ka qetësi. Kur dukej se gjërat po shkonin në drejtimin e duhur, lojtarët e Flamurtarit nuk pranojnë të dalin në stërvitje. Për të disatën herë rikthehet problemi i pagave të prapambetura dhe futbollistët, pasi kanë duruar prej muajsh, kanë shpërthyer para stërvitjes së djeshme.

Ata janë paraqitur në stadium gjatë pasdites, sipas njoftimit të bërë nga trajneri Shpëtim Duro, por nuk kanë pranuar të zhvishen dhe të kryejnë një stërvitje më tepër shkrythëse, duke qenë se ende nuk kishin kaluar 24 orë nga ndeshja me Partizanin.

Në një kohë që administratori Sinan Idrizi gjendet në Amerikë për arsye pune, lojtarët janë takuar para stërvitjes së djeshme me drejtuesit e tjerë të klubit. “Panorama Sport” zbulon të gjithë bisedën e bërë mes titullarëve, drejtorit Ardi Behari, si dhe trajnerit Shpëtim Duro. Ky është muaji i katërt që futbollistët nuk paguhen, ndërsa dje kanë “kërcënuar” klubin, duke kërkuar që të zgjidhet çështja e pagave sa më shpejt, ose në të kundërt do të përshkallëzojnë vendimin e tyre, duke mos dalë as sot në stërvitje.

 

“Mund të na thoni se çfarë po bëhet me pagat? Kur do t’i marrim? Kemi dëgjuar shumë premtime, por asgjë nuk është bërë. Edhe ne kemi familje për të mbajtur, u bënë 4 muaj pa marrë asnjë lek. Ne sot (dje) kemi vendosur që të mos dalim në stërvitje. Por, nëse nuk marrim një lajm as nesër (sot), mos na kërkoni më të dalim në fushë”, i kanë thënë lojtarët drejtorit Behari dhe trajnerit Duro.

 

Ndërkohë, mësohet se Behari ka siguruar lojtarët se problemi do të zgjidhet sapo të vijë administratori Idrizi. “Nuk ka probleme me lekët, por thjesht janë vonesa proceduriale. Sapo të kthehet Sinani do të zgjidhet kjo çështje”, mësohet t’u ketë thënë drejtori futbollistëve. Por, kjo duket se nuk ka qenë aspak bindëse për lojtarët, të cilët kanë bojkotuar stërvitjen.

 

Tashmë mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet, në një kohë që jemi në momentin më delikat të kampionatit, teksa Flamurtari nuk ka siguruar ende matematikisht qëndrimin në Kategorinë Superiore. Vlonjatët luajnë të shtunën ndeshjen më delikate të sezonit, pikërisht ndaj Laçit dhe situata nuk është aspak e mirë./Panorama

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko