-Politikë, Aktualitet, Kryesore, Te Fundit, Të Gjitha

Lista e deputetëve të rinj me njerëz të dënuar? Të djathtët në KQZ akuza të forta Kryetarit për manipulime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi listat shumë-emërore të Partive Politike të regjistruara në zgjedhjet e 18 qershorit. 27 kandidatë rezultuan se kishin marrë dënime nga gjykatat por që nuk ndaloheshin për të kandiduar në bazë të ligjit të dekriminalizimit.

Anëtarët e opozitës kërkuan më shumë kohë për të verifikuar kandidatët, por kjo u konsiderua si tentativë për shtyrje artificiale të kohës nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Eridian Salianji, i cili tha se këto verifikime i kishte bërë njëherë administrata e KQZ.

Pas hedhjes në votim të propozimit, anëtarët e shumicës votuan kundër dhe kjo u bë shkak që përfaqësuesit e opozitës të braktisnin mbledhjen e KQZ-së.

Mbledhja vazhdoi me miratimin e të gjithë listave të partive politike, ku 27 kandidatë kanë pasur dënime të mëparshme por që nuk ndaloheshin nga nenet përkatëse të ligjit të dekriminalizimit për të kandiduar.

Mes këtyre kandidatëve ishin edhe Spartak Braho në listën e Partisë Socialiste të Tiranës dhe Andan Ramohitaj në listën e socialistëve të Durrësit.

Tre anëtarët e zgjedhur nga e djathta në KQZ, Hysen Osmanaj (Zv/Kryetar i KQZ-se), Vera Shtjefni dhe Klement Zguri përmes një deklarate për mediat thanë se lista shumëemërore e kandidatëve është e kontestuar.

“Ne konstatuam se për disa subjekte zgjedhore kishte parregullsi mes nënshkrimeve mbështetëse në lista dhe atyre të vendosura në kopjet e kartave të identitetit. Ne kërkuam verifikimin e këtij dokumentacioni. Kërkesa ishte në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor dhe eshte detyrim i KQZ për të verifikuar nënshkrimet mbështetëse të zgjedhësve për kandidatët dhe për të përjashtuar nënshkrimet e parregullta, sikurse e percakton neni 71 i Kodit Zgjedhor”, thuhet në deklaratë.

Por, Kryetari i KQZ Denar Biba refuzoi të kryejë këtë procedurë dhe e rrëzoi kërkesën e të djathtëve.

“Vendimmarrja e kryetarit të KQZ për të penguar ligjshmërinë dhe transparencën e dokumentacionit të kandidatëve për deputet dhe për të na penguar të ushtrojmë detyrën është një sjellje e përsëritur në dëm të misionit dhe detyrave të KQZ dhe në favor të interesave të subjekteve të caktuara zgjedhore.

Fatkeqësisht kjo vendimmarrje e re abuzive, është ne vazhdën e vendimmarrjeve të paligjshme të KQZ, si për shembull regjistrimi i listave të kandidateve të subjekteve zgjedhore tej afatit ligjor. Ne si anëtarë të KQZ-se, shprehim shqetësimin se kjo sjellje e KQZ-se po cenon rëndë procesin zgjedhor dhe po inkurajon dhe hap rrugën manipulimeve zgjedhore”, thonë anëtarët e djathtë të KQZ-së.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko