-Kulturë

Letrat e rralla të Dritëro Agollit për gruan e jetës: Tani s’ka më tërc mërc

               Publikuar në : 11:16 - 11/01/18 |
E SH

Vajza e shkrimtarit të ndjerë Dritëro Agolli në facebook-un e saj e ka kujtuar shpesh të atin me veprat që ai la pas. Së fundmi ajo ka publikuar 3 letra të shkurtra dashurie të cilat ai ja kishte dërguar Sadijes, gruas së tij të shtrenjtë ndër vite.

Janë tre copëza letrash të bukura sa s’ka…

“E dashur Sadije,
U ktheve në shtëpi e lodhur, po me fitore. U bëre zyrtarisht gruaja ime. S’ka tani tërc mërc. Emrin tim e ke edhe në pashaportë. Bëjmë shaka, se s’ka ndonjë rëndësi një vulë e thatë. Ne edhe sikur mos e kishim atë vulë prap bashkë do të ishim .

Dje, pas celebrimit tonë të famshëm, unë kam qirasur gjithë ata njerëz. Të trashëgohesh, thosh njeri; të trashëgohesh, thosh tjetri. Sikur ne u fejuam dje! Siç duket ajo e djeshmja paska rëndësi dhe u quajtka si martesë.
Lutjen a e bëre? Mos e lër pas dore dhe mos i nënvleftëso formalitetet, si unë, se ngatërron punën siç e ngatërrova unë në zyrën e gjendjes civile në Shkodër. Po më mirë që e bëmë celebrimin në Tiranë, u bë më natyrshëm e më njerzishëm. Edhe Qakua me Vaskën ishin simpatikë.
Eja papritur ndonjëherë.
Të puth shumë
Dritëro
7.1.1965

” Ngrive ti sot tek autobuzi, moj e dashur ; dimri është stinë e vështirë për dashnorët ! Sa marr udhën për në shtëpi, mendoj për të ardhur prap tek ti. Mua gjithnjë kur nisem më vjen keq që ndahem, dhe pa marrë biletën them me vehte:sikur mos ketë bileta e të ik pasdite !( megjithëse duhet ikur në mëngjez).

Sonte binte dëborë. Dolla në rrugë me republikën e plakut, megjithëse është e vjetër, po ç’t’i bënja se më ngrinte koka. Ti ke të ftohtë? Atëherë po të puth fort që mos kesh të ftohtë.

Yti Dritëro
8 janar 65

“E dashur Sadije , si je , moj gruaja ime e shtrenjtë? Je bërë fare dembele , as shkruan letra , as na vjen nga Tirana . Unë rri këtu vetëm e mërzitem për ty . Kur vij ndonjëherë vonë, në dhomë s’ka dritë, në dhomë është ftohtë. Atëherë them me vehte se po të ishte Sadija ime e dashur nuk do të mbretëronte kjo gjëndje !

Prushi në mangall po më shuhet . Në dhomë po bën ftohtë. Më duket sikur jam brenda në ujë, si peshqit e mij në akuarium .Dua të mbulohem me jorgan, pra, që t’i shpëtoj këtij të ftohti. Prandaj natën e mirë.
Të puth shumë
Dritëro
10.1.1965

 

Pas