Aktualitet, Sport, Te Fundit

“Le Parisiene”/ Largimi i Ronaldos nga Reali, një blof i madh

Tashmë “çështja” Cristiano Ronaldo-s është në rend të ditës në botën e futbollit. Ndërkohë francezja “Le Parisien” e ka komentuar si një “BLOF TË MADH” të ashtuquajturin vendim të yllit portugez për t’u larguar nga Real Madrid këtë verë.

Ndërsa sulmuesi i “Los Blancos” zhytet në heshtje, shtypi portugez dhe ai spanjoll flasin për të. “Ndonjëherë, heshtja është përgjigjja më e mirë”, shkruante të enjten Cristiano Ronaldo në llogarinë e tij në Instagram, dy ditë pasi u akuzua nga drejtësia spanjolle për evazion fiskal në shifrën e 14,7 milionë eurove.  CR7 është një burim i pashtershëm fantazish. Ja dhe e fundit: Ai dëshiron të largohet nga Real Madrid-i. Pasi fitoi në 3 qershor trofeun e katërt të Ligës së Kampioneve për të, sipas “Le Parisien” portugezi po bën gjithçka për të arritur një rivlerësim të pagës. Ndërhyrja e drejtësisë spanjolle vjen pikërisht në momentin e duhur për një negociatë të afërt….

Sipas të gjitha gjasave, portugezi do ta vahdojë sezonin 2017-2018 te… Real Madrid-i. Por makutëria e tij nuk njeh limite, po ashtu edhe e agjentit të tij, bashkëpatrioti Jorge Mendes.

Pas sezonit të fundit të jashtëzakonshëm – Liga e Kampioneve dhe La Liga – ku ai është shfaqur në një nivel sportiv mahnitës, katër herë fituesi i “Topit të Artë”, shumë shpejt do të bëhen pesë, dëshiron të marrë copën e tij të tortës.  Edhe pse u rivlerësua dhe rinovoi deri më 2021-in në nëntorin e kaluar, sulmuesi kërkon më shumë. Nëse do të kishte vërtetë dëshirë për t’u larguar, agjenti i tij ose vetë ai do t’ia kishte thënë diçka të tillë personalisht presidentit Florentino Perez. Lajmi i organizuar në media shërben për të bërë zhurmë, dhe të vendosë nën presion “Shtëpinë e Bardhë”.

Pikërisht pas finales së Ligës së Kampioneve të fituar më 3 qershor ndaj Juventus-it, madrilenia “AS” lajmëronte për një ofertë misterioze kineze: 200 milionë euro për transferimin e CR7 nga Real-i, për një pagë vjetore prej 120 milionë euro për lojtarin (ai nuk merr veçse 20 milionë euro në vit te Real Madrid). Dhe sipas “Le Parisein” bëhet fjalë për një manovër të orkestruar nga njerëzit e portugezit për të rritur edhe më të ardhurat e tij.

Real Madrid-i të mbulojë detyrimet e tij?

CR7 kerkon jo vetëm një rritje të të ardhurave të tij, por edhe pagesën e 14,7 milionë eurove nga klubi. Duke pretenduar se Real-i e ka keqkëshilluar dhe se nuk është faji i tij, ai e sheh me sy të mirë mbërritjen e një premioje për të mbuluar borxhin e tij tatimor. “Kush nuk kërkon nuk fiton”, është padiskutim motoja kryesore e klanit të Cristiano Ronaldo-s.

Nën mbulesën e anonimatit, e vërteta del më lehtësisht. Një person afër Mendes-it ka thënë për “Le Parisien”: “Është e pamundur që Cristiano të largohet. Ai ndodhet në klubin më të mirë të botës dhe do të vazhdojë të përmirësojë performancën e tij vit pas viti. Tani kemi hyrë në sezonin e Botërorit. Ai dëshiron të ruajë besimin dhe nuk do të ndërmarrë rreziqe për t’u larguar. Nëse ikën, do ta bëjë për shembull në SHBA, por është ende i ri. Është veçse një goditje presioni që drejtuesit e Real-it të marrin çështjen në dorë”.

Një largim i kushtueshëm

Të shkëputesh nga Real Madrid-i do të ishte një operacion juridik shumë i komplikuar dhe i gjatë. Do të duheshin avokatët më të mirë në botë për të realizuar një hap të tillë. Kontrata e Cristiano Ronaldo-s është një dokument ku me dhjetra faqe zihen nga klauzolat, premiot, e drejta e imazhit, çështjet fiskale, një kompleksitet detajesh ku secili ka rëndësinë e tij. Edhe kontratat e Tom Cruise-it  për të xhiruar “Mision i pamundur” duken më të thjeshta për t’u menaxhuar. Në këtë pikë nuk ka se si futbollisti më i madh portugez i historisë të vendosë një të premte të bukur të largohet nga Real për t’u angazhuar të martën tjetër gjetkë. Ky lloj transferimi përgatitet, organizohet.

Pak kandidatë të besueshëm

Sepse, për t’u larguar, duhet një pikë rënieje… I obsesionuar për të fituar “Topin e Artë”, ai nuk do të shkojë të humbasë në Kinë. Kur duhet edhe një vit nga Botërori, vetëm dy klube europiane mund ta presin: PSG dhe Manchester United. Marrëdhëniet e tij të freksëta me Jose Mourinho-n, trajnerin e Djajve të Kuq të cilin e ka njohur në Madrid (2010-2013), e bëjnë destinacionin e dytë shumë hipotetik. Për sa i takon PSG-së, nuk ka asnjë mundësi që yje si CR7, Messi apo Neymar, tre futbollistët absolutë të planetit të transferohen në kryeqytetin francez. Prioriteti më i madh i klubit parisien mbetet Kylian Mbappé.

 

Ende nën kontratë për katër vjet, duhen 125-145 milionë euro për të firmosur me 32-vjeçarin kampionin e Europës, një shifër rekord për PSG ose Manchester United. Për të mos folur për klauzolën e tij të lirimit e cila arrin vlerën faraonike prej 1 miliardë eurosh.

Cristiano Ronaldo tashmë ëndërron të fitojë Kupën e Konfederave në Rusi. Një tjetër trofe do të bënte të bymehej edhe më legjenda e tij. Kjo do t’i jepte një tjetër rast për t’u paraqitur nga pozita të forta në zyrën e presidentit të Real-it për të negociuar për një rritje të vogël të konsiderueshme…

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko