-Kulturë, Metro, Te Fundit, Të Gjitha

Ky është libri të cilin duhet ta lexoni patjetër këtë verë

“Ky libër është për të gjithë ata që nuk mjaftohen me jetën që kanë, por duan të bëjnë një kërkim më të thellë tek vetja e tyre, dija dhe tek e vërteta”.

 “Secili prej nesh mund të jetë filozof sa kohë i di dhe i do zgjedhjet që bën dhe ky libër është për të gjithë ata që nuk mjaftohen me jetën që kanë, por duan të bëjnë një kërkim më të thellë tek vetja e tyre, dija dhe tek e vërteta”.

 “Gjithmonë do jetë aktuale nevoja e njeriut për të njohur veten, qenien ose shpirtin e tij. Pra do jetë aktuale nevoja për të njohur të panjohurën, për t’u transformuar”

 “Njëlloj si lulja e lotusit e cila lind në baltë dhe e gjithë rritja e saj synon të dali nga ujërat e turbullta për të synuar dritën. Në të njëjtën mënyrë edhe njeriu është si ai lotusi deri në momentin që nis rrugëtimin e gjatë për tek drita, pra për tek dija”.

“ALKIMISTI”  JORGE ANGEL LIVRAGA

 Intervistë me: Lisian Roseni, Drejtues i Botime Akropoli i Ri

 1.Sa i flet aktualitetit dhe nevojës për refleksion shpirtëror?

 Ngjarjet tek vepra “Alkimisti zhvillohen në periudhën e fundit të mesjetës evropiane. Sa herë ka padituri tek mendjet dhe zemrat e njerëzve, mesjeta është aktive. Simbolikisht edhe ditët e sotme mund të flasim për një mesjetë moderne. Sa të lirë janë njerëzit sot për zgjedhjet që bëjnë? Sa të lumtur jemi me ato që bëjmë? A kuptojmë pse i bëjmë gjërat? A ka ndonjë qëllim dhe kuptim jeta jonë? Sa kohë këto pyetje nuk shtrohen tek jeta e një njeriu, mesjeta ka kapluar jetën e tij. Në këtë kuptim libri Alkimisti është një vepër e cila të ndihmon të mund të ngresh disa pyetje të mira në raport me veten dhe botën, në mënyrë që të fillosh të jetosh si një njeri i i lirë. Gjithmonë do jetë aktuale nevoja e njeriut për të njohur veten, qenien ose shpirtin e tij. Pra do jetë aktuale nevoja për të njohur të panjohurën, për t’u transformuar.

 2.Alkimisti te jep idenë e një  amalgame kimie. Këtu behet fjale për një ndërthurje elementesh për të krijuar një katarsis shpirtëror? Nëse po në ç‘formë ndodh kjo?

 Grekët e lashtë arrinin të mund të bënin një katarsis të të gjithë qytetit nëpërmjet një teatri. Në këtë kuptim edhe libri mund të jetë një teatër fjalësh i cili nxit tek lexuesi të mund të pësoj një katarsis, një pastrim të vetes nëpërmjet fabulës. Katarsisi ndodh tek lexuesi, ndërsa ajo çka i ndodh Alkimistit tonë është shndërrimi. Njëlloj si faza e fundit e Alkimisë. Të mund të shndërrosh një element inferior në një me një natyrë më superiore se i pari. Guri filozofal gjendet brenda nesh. Thjesht ne shfaqim baltën me të cilën është mbuluar ky gur i çmuar. Elementet më të rëndësishme të tonat, ato që nuk mund të kapen nga syri fizik ndodhen brenda nesh, tek qenia jonë. Në fillim i ndryshon pak formën e diçkaje, pastaj njëlloj si një shpat e transformon i jep formën që do dhe hapi përfundimtar është shndërrimi, ta shkrish metalin dhe me elementin e lëngshëm të mund të krijosh një formë të re të përpunuar shumë herë më të fuqishme se e para. Katarsisi ndodh për vëzhguesin e jashtëm, për atë që do lexoj librin, ata të cilët do mund të ndryshojnë qasjen drejt librit për shkak të transformimeve të vazhdueshme të personazhit.

 3.Alkimisti të kujton Coelhon ku kryepersonazhi rend drejt një thesari. Po këtu pas kujt dhe çfarë rend protagonisti?

Alkimisti i J.A. Livragës është shkruar dy dekada përpara librit të Coelhos me të njëjtin titull. Personazhi i Coelhos rend pas një thesari, që në fund rezulton ta ketë pasur gjatë gjithë kohës me vete, pra thesari është brenda tij. Ky është një subjekt shumë i ngushtë në raport me rrugëtimin e personazhit të filozofit J.A. Livraga. Personazhi i Coelhos është shumë i vetmuar dhe arrin tek vetja, vetëm, pa ndihmën e të tjerëve dhe e mira që ai arrin është përsëri për veten e tij. Pablo Simon arrin në konkluzionin se “një njeri i ditur është përgjegjës për transmetimin e dijes që ai ka.” Nuk mund të jetë egoist dhe të mjaftohet me arritjen e dijes, pasi dija, e vërteta, mirësia, drejtësia nuk kanë kuptim nëse nuk transmetohen edhe tek të tjerët, sidomos tek ata të cilët e kanë më shumë nevojë. Për këtë arsye vendoset në subjekt edhe vdekja e Xhordano Brunos si një martir i dijes dhe lirisë. Rrugëtimi i Pablo Simon personazhit të Alkimistit tonë është shumë më e thelluar në procesin e transformimit real që mund të kaloj një njeri në kërkimin e diturisë.

4.Në roman ndër të tjera flitet për një raport mësues-nxënës. Çfarë do të thotë kjo dhe drejt çfarë rruge dije udhëhiqet nxënësi?

 Çdo njeri mund të mësoj fal transmetimit të dikujt tjetër. Ata njerëz të cilët japin nga zjarri i tyre për të ndezur zjarrin tonë të vetëdijes i quajmë mësues. Çdo njeri që na ka mësuar diçka gjatë jetës tonë ka qenë mësues për pak. Prindërit tanë, mësuesit e shkollës, etj, por të gjithë këta të mësojnë mbi aspektet e jashtme të jetës. Pra mbi botën e fenomeneve, të asaj bote e cila është vazhdimisht në ndryshim. Mësuesi i filozofisë ose mësuesi shpirtëror arrin të të mësoj në lidhje me të pandryshueshmen. Rruga ku e drejton mësuesi nxënësin është rruga drejt vetënjohjes. Të njohësh veten është e barasvlershme me rrugën drejt dijes. Në këtë proces kemi nevojë për mësues që të na nxisin dhe të na zgjojnë vetëdijen tonë të fjetur. Këtë gjë nuk mund ta bëjmë vetëm, pasi secili prej nesh ka krijuar një ide të rreme mbi veten, sikur e njeh veten, por vetëm një njeri që njeh më shumë veten, një mësues filozofie ka aftësinë të na bëj të kuptojmë se jemi të paditur në raport me veten. Hap i i parë drejt dijes është vetëdijesimi mbi paditurinë tonë dhe këtë hap mund ta hedhim me ndihmën e një mësuesi. Të njëjtën gjë bën edhe Pablo Simon tek romani Alkimisti. Shumë mësues e udhëzuan drejt dijes, por Xhordano Bruno ishte mësuesi i tij shpirtëror ose filozofik.

5.Këtu bëhet fjalë për një roman që është ndërtuar mbi thelbin e filozofisë, kujt i drejtohet dhe sa gjithëpërfshirës është dhe mund të lexohet nga persona që nuk kanë njohuri të thelluara filozofike?

Për autorin filozofia nuk është një ballafaqim termash dhe konceptesh të cilat janë të papërjetuara dhe të pazbatueshme. Filozofia duhet të ketë një vlerë në jetën e njeriut, të mund të bëhet një mënyrë jetese. Të jetosh si filozof nuk do të thotë të thuash terma të ngarkuar intelektualisht ku shumica e njerëzve nuk i kupton, por do të thotë të mund të bashkëjetosh me njerëz të natyrave të ndryshme nga e jotja dhe të gjitha këto nevoja të ndryshme t’i kuptosh dhe të mundohesh t’i ndryshosh për mirë. Një filozofi që nuk është gjithëpërfshirëse nuk është filozofi. Filozofia është dashuri për dijen. Pra është të duash atë që di, të dish atë që do dhe të bësh atë që do dhe di, në mënyrë që të mund të duash edhe dijen në vetvete, pra të duash atë që nuk di. Të dish të futesh në vendin e tjetrit, madje edhe të atij që mendon se e urren. Të dish të duash atë që është e sikletshme për ty, të mund të përballesh me të. Të përballesh me frikën tënde. Libri e vendos filozofinë në një rrafsh praktik të vlefshme për grupmosha të ndryshme dhe me arsimime të niveleve të ndryshme. Pasi filozofia nuk paragjykon, pa vërtetuar. Dhe kur vërteton diçka asnjëherë nuk e merr si absolute, pasi çdo gjë mund të ndryshoj edhe njeriu mund të ndryshoj. Njëlloj si lulja e lotuesit e cila lind në baltë dhe e gjithë rritja e saj synon të dali nga ujërat e turbullta për të synuar dritën. Në të njëjtën mënyrë edhe njeriu është si ai lotusi deri në momentin që nis rrugëtimin e gjatë për tek drita, pra për tek dija. Secili prej nesh mund të jetë filozof sa kohë i di dhe i do zgjedhjet që bën dhe ky libër është për të gjithë ata që nuk mjaftohen me jetën që kanë, por duan të bëjnë një kërkim më të thellë tek vetja e tyre, dija dhe tek e vërteta./Tabloid

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko