2

Kush është juristi i Hipotekës që i dogjën “BMW”-në,ja çfarë tha në polici

               Publikuar në : 13:52 - 08/11/18 |
el ida

Juristit të Hipotekës në Vlorë i djegin makinën, dyshohet për shkak të detyrës.

Automjeti tip “BMW”, në pronësi të Ervin Piero, 31 vjeç, është djegur dje gjatë natës ndërsa ndodhej e parkuar në një zonë afër Rrugës Transballkanike.

Makina me targë AA 990 SE është përfshirë nga flakët në pjesën e përparme të saj, por ndërkohë nga zjarri është dëmtuar dhe një automjet tjetër që ishte parkuar pranë. Nuk dihen ende shkaqet, por dyshimet e para janë për zjarrvënie të qëllimshme.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:35 të së mërkurës, ndërsa është precedenti i dytë i regjistruar në vetëm pak ditë me djegie makinash në qytetin e Vlorës. 31-vjeçari, në pronësi të cilit rezulton makina tip “BMW”, është punonjës në Hipotekën e qytetit bregdetar, me detyrë jurist.

Nisur nga kjo, dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me funksionin e tij. Gjatë marrjes në pyetje, vetë Ervin Piero ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt. Burime nga Policia e Vlorës kanë saktësuar se 31-vjeçari kishte vetëm pak ditë që lëvizte me këtë automjet, pasi prej kohësh ndodhej në servis.

Grupi hetimor që po merret me zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së zonës përreth ku ndodhi ngjarja, me qëllim rënien në gjurmët e autorëve të zjarrvënies. Gjithashtu, po merren në pyetje persona që mund të kenë vërejtur lëvizje të dyshimta gjatë natës, atëherë kur ndodhi ngjarja.

Ndërkohë që automjeti i juristit të Hipotekës ka marrë dëmtime të shumta në pjesën e motorit, automjeti tjetër, “Volkwsvagen” me targë AA 825 LU, ka shpëtuar me dëmtime fare të lehta në pjesën e përparme.

Ky është rasti i dytë në një hark të shkurtër kohor prej tri ditësh ku ndodhin ngjarje të tilla të djegies së makinave.

Gjatë orëve të para të mëngjesit, dy automjete u dogjën në Vlorë, në lagjen “Hajro Cakërri”, një në pronësi të një kompanie transporti, që përdorej nga shtetasja me iniciale J.T., ndërsa automjeti tjetër ishte në pronësi të shtetasit V.M.

Kurse tri ditë më vonë u regjistruan dy automjete të tjera të djegura, ndërsa ngjarjet janë ende pa autorë. Në këtë mënyrë, ka shkuar në 18 numri i rasteve të ndodhura gjatë këtij viti vetëm në Vlorë. Përveç rasteve të ndodhura gjatë muajit nëntor, më 21 tetor u regjistruan dy automjete të tjera të djegura, ngjarje gjithashtu për të cilat Policia nuk ka ende asnjë arrestuar apo të dyshuar./Panorama

Pas