Editorial

Kush e vrau Florencin?

               Publikuar në : 15:10 - 24/12/17 |
m.b

Manjola Bregasi

“E vrau politika”. Kështu thërrisnin sot paradite miqtë e Florenc Beqirit dhe shumë qytetarë të tjerë të praninshëm në protestën- homazh zhvilluar në kryeqytet, në kujtim të të riut që gjeti vdekjen në Francë.

I masakruar në paraburgimin e Marsejës ku ndodhej në pritje të deportimit në Shqipëri pas refuzimit të azilit, Florenci 23-vjeçar ra në gjendje kome. Zemra e tij vazhdonte të rrihte, ndërsa truri nuk i përgjigjej asaj.

Mjekët francezë kërkuan një firmë nga familja që t’i shkëpusnin oksigjenin dhe aparaturat që e mbanin në jetë, por i ati nuk pranoi të firmosë. Sepse në fakt asnjë prind nuk do mundej të firmoste vdekjen e të birit edhe nëse do të ishte i bindur që rruga drejt saj nuk kishte kthim. Por mjekët nuk e pyetën. I ati mundi ta shihte për herë të fundit teksa merrete frymë dhe djersitej në shtratin, nga i cili nuk u ngrit kurrë. Edhe zemra i rrihte. Por sapo ai ktheu krahët, gjithcka mbaroi.

Teksa kishte refuzuar përfundimisht kërkesën për azil duke mos e përsëritur, 23-vjeçari shkodran kishte vendosur të kthehej në shtëpi për festa. Por nuk ja doli. Të paktën nuk ja doli të kthehej i gjallë, ndonëse tashmë prindërit thonë se edhe trupin e tij e kanë të pamundur ta sjellin. Shpenzimet janë të papërballueshme për familjen e varfër.

Dhimbja në fytyrën e babait , teksa sheh foton ku i qëndron të birit tek koka, nuk do fjalë. Eshte nga ato pamje qe te marrin frymen. Të tmerrshme i kishin konsideruar fotot edhe mediat franceze, të cilat gjithashtu hidhin dyshime për vdekjen e Florenc Beqirit.

Florenci nuk njihej si djalë problematik. As si kontigjent krimi dhe as si i lidhur me organizata terroriste. Kontigjente të tilla Franca mban shumë. Florenci njihej si një djalë që punonte. Të paktën kështu shkruajnë edhe mediat vendase.

E megjithatë atij ju refuzua azili. Ndoshta me të drejtë. Sepse Shqipëria nuk është më vend në tranzicion. Të paktën jo në syrin e Kryeministrit shqiptar që lëvdon arritjet e sukseset e tij  dhe as në syrin e Europës, që në fakt ka shumë për të mbajtur. Shqipëria nuk është as vend lufte, kështu që shanset e Florencit për azil ishin të vogla. Por kush ia preu atij në mes edhe shansin për të jetuar?

Gazeta e Provences shkruan se në qendrën e pritjes ku ndodhej Florenci, ka patur së fundi 7 tentativa vetëvrasjeje dhe tre janë shënuar vetëm brenda një jave.

Po kush e vrau Florencin? A vdiq ai nga dhuna në paraburgim, apo vdiq nga aparaturat që mjekët vendosën t’ja heqin? Janë pyetje që druaj se do të mbeten pa përgjigje. E megjithatë një gjë është e sigurt: Florenci vdiq 2 herë.

E ëma ka deklaruar se i shoqi ka parë shenja dhune në trupin e të birit dhe një tel që i kishte prerë fytin. Kush e donte të vdekur Florencin dhe a ka forcë shteti shqiptar ta zbulojë të vërtetën e tij? A do të ishte ai ende në oksigjen, nëse dikush do të mundej të paguante kostot spitalore të trajtimit?

Pyes veten si do të kishte reaguar një vend i BE-së nëse kjo do të ndodhte me një qytetar të tij, apo sërish të qenit i vogël me dëshirën e madhe të integrimit do të thotë që të duhet të heshtësh?

Pa dashur të prek dhimbjen e familjes që në këtë vigjilje Krishtlindjesh jeton një humbje të madhe, kujtoj se historitë e shqiptarëve që vriten e masakrohen nëpër dyert e botës nuk janë të panjohura.

U masakrua dhe torturua Ilia Kareli në burgjet greke, nuk doli i gjallë Pëllumb Marnikolaj edhe pse kishte shkuar të kryente masën e detyrimit me paraqitje. Autoritet thanë se kishte rënë nga kati i katërt i godinës së rajonit. Ndërkohë  Aldo Laçi vdiq në aeroportin e Malpensës pas goditjeve që mori nga 5 policë italianë.

Shpresoj që Florenci të jetë i fundit i pambrojtur,  që me vdekjen e tij të dytë tregoi se kur nuk të do vendi yt, është e vështirë të të duan të tjerët!

 

Pas