Aktualitet, Komente, Kryesore, Te Fundit

Kush e vrau Blertën?!

Nga Dritan Laci
Blerta Pepa, 15 vjeç, nxënëse në shkollën e Mesme “Andon Zako Çajupi” në Tiranë u nda nga jeta ditën e djeshme në lulen e rinisë, për shkak të një gabimi mjekësor. Jo i fundit, as i vetmi në këto vite ku shëndetësia në Shqipëri është kthyer në një biznes të mirëfilltë kriminal, me mjekë që shkelin hapur betimin e Hipokratit, sekserë që rrotullohen rreth spitaleve në kërkim të hallexhiut të radhës, çakej që bëjnë biznes me agjencitë funerale për çdo trup të pajetë, sekserë ilaçesh e gjithë farë turli korbash që e kanë kthyer shëndetësinë në mjet fitimi dhe ku i vetmi i humbur është pacienti ai që ndeshet i pari me arrogancën e këtij sistemi, zhvatjen deri te denigrimi për një kohë të gjatë në koridore të pafund të një sistemi të lidhur në një konflikt të ngushtë interesi ku vetëm interesi publik për kujdes shëndetësor i garantuar edhe në Kushtetutë nuk predominon.

Rasti fatkeq i Blertës është pak a shumë kontribut i këtij sistemi ku mbi të gjitha ajo që predominon është vrasja e besimit te bluzat e bardha në sektorin publik shëndetësor. Shumë vite më parë, aty nga viti 2007, në kohën kur punoja në gazetën “Korrieri” si gazetar i çështjeve sociale, mu desh që të përballesha me një rast të ngjashëm si ai i i Blertës. Martin Turtulli, atë kohë 21 vjeç, u shtrua me urgjencë në repartin e sëmundjeve të Brendshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, i diagnostifikuar me apandesit akut. Martini u fut në sallën e operacionit por ajo që do të pësonte ai dhe familja e tij më pas ishte një eksperiencë traumatike që ju desh vite ta kalonte. Pasi e futën në operacion, mjeku anestezist që me protokoll duhet të jetë gjithë kohës, e lë pacientin në sallën e operacionii dhe shkoi të gjerbë një kafe në një nga kafenetë e shumta që në atë kohë popullonin lulishtet e QSUT-së. Gjatë kësaj kohe Martinit i del narkoza dhe si pasojë e mungesës së mjekut anestezist pëson një tronditje cerebrale që i shkakton probleme me sytë dhe gjymtyrët.

Rasti bëri shumë bujë në media vetëm dy javë më pas, pas insistimit tim si gazetar për të mësuar mbi rastin. Ajo që ishte më e frikshme ishte kundërvënia e një sistemi të tërë për të fshehur rastin. Martinin për shkak të problemeve neurologjike që kishte pësuar e kishin transferuar në Pavionin e Neurologjisë, ndërkohë që prindërit e tij ishin gjithë kohës në presionin e mjekëve për të mos folur. Por vetëm falë insistimit tim ata folën dhe rasti i Martinit u bë publik dhe bëri që të lëvizeshin të gjithë strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë për ta kuruar jashtë vendit. Por a ishte ky rast dhe shumë të tjerë (disa edhe kanë humbur jetën) një shembull për të ndihmuar që shendëtësia shqiptare të jetë sa më shumë humane? Në mendimin tim, jo. Sepse humanizmi në Shqipëri ka vdekur si vlerë.

Rasti i Blertës, apo i Martinit më herët e shumë të tjerëve, nuk duhet parë thjesht si gabim njerëzor i mjekut. Gabimet falen, fajet jo. Nëse dëshmitë e familjarëve të Blertës janë objektive në të thënat e tyre dhe nëse është e vërtetë që interesimit të tyre në Ministrinë e Shendetësisë për kujdes shëndetësor i janë përgjigjur me arrogancë “se ne nuk merremi sa herë vrasin gjurin nxënësit në shkolla”, atëherë këtu kemi një problem të madh me vetë sistemin të ngritur mbi johumanizmin por veshur me brutalitet. Blerta u dëmtua gjatë një orë mësimi. Ç’rëndësi ka fiskulture, fizike, apo vizatimi. U dëmtua në shkollë dhe shteti ka përgjegjësi. Dhe kështu duhet të ishte edhe nëse do ishte dëmtuar në rrethana të tjera. Blerta është shtetase me të drejta të plota e Republikës së Shqipërisë dhe si e tillë gëzon të drejta që në preambulën e Kushtetutës së Republikës.

Përse Blertës nuk ju ofrua shërbim në Spitalin e Traumës që është publik dhe ka ortopedët më të mirë në Shqipëri? Sepse ka mungesë materialesh? Sepse ka mungesë stafi të specializuar? Sepse sistemi që shëndetësinë e ka kthyer në biznes i tha që shko në spital privat sepse aty ke shërbim cilësor? Sepse shërbimi publik është lënë në gjendje mjerane sepse vetëm kështu mund të lulëzoj sistemi privat shëndetësor? Ata që do e lexojnë këtë shkrim dhe u ka rënë rruga në spitalet shtetërore e dinë fare se çfarë vuajtje është të marrësh një shërbim cilësor në këtë sektor. Ndaj Blerta, ty nuk të vrau thjesht gabimi njerëzor i një mjeku të pakujdesshëm. Ty të vrau ky sistem kriminal shëndetësor i ngritur mbi babëzinë në kurriz të jetës dhe shëndetit të njeriut. Uroj që një fat të tillë të mos kenë edhe të tjerë pas teje Blerta, por nuk kam besim sa kohë nuk ka vullnet për të shkërmoqur këtë sistem që po ha jetë njerëzish./ Opinion.al

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko