-Kulturë, Metro, Te Fundit, Të Gjitha

Kur inaugurohej Ura e Kamzës, reportazhi i vitit 1936 (foto)

Ndërtimi i urës së Kamzës që lidhte Tiranën me veriun e vendit do të konsiderohej si një ndër investimet më madhore në vitin 1936. Ceremonia do të zhvillohej në mars të këtij viti e shtypi i kohës do t’i kushtonte rëndësi kësaj ngjarje. Një nga revistat më të njohura të kohës, “Minerva” e drejtuar nga Nebil Cika, do t’i kushtonte një fotoreportazh ceremonisë duke dhënë detaje interesante nga ngjarja.

Punimet për ndërtimin e urës do të kalonin disa probleme e punimet do të pezulloheshin. Kompania “Brida-Vincenzi” që kishte marrë përsipër ndërtimin e saj do të përballej me probleme financiare e do të ndërpriste punimet. Vepra do të përfundohej nga sipërmarrja e dy inxhinierëve shqiptarë

E nisur si një investim nga një kompani e huaj, vepra do të përfundohej nga dy sipërmarrës shqiptarë inxhinier Anastas Pilika dhe Xhemal Kadesha ndërsa punimet do të drejtoheshin nga inxhinieri Antonio Canobbio.

Ura-e-Kamzes-765x383

Në ceremoninë e inaugurimit të veprës krahas ministrit të Punëve Publike Ndoc Naraçi që shoqërohej nga bashkëshortja, I pranishëm ishte edhe kryeministri i kohës Mehdi Frashëri.
Ndryshe nga sa ndodh në ceremonitë e inaugurimit, në këtë rast shiritin nuk do të priste as kryeministri e as ministri I Punëve Publike, por bashkëshortja e këtij të fundit.

Artikulli i plotë i publikuar në maj të vitit 1936

Më 26 mars të këtij viti paraditeje, n’orën 10, u inaugurua ura e Kamzës mbi lumin e Tiranës. Në ceremonin’ e inaugurimit muarën pjesë Kryeministri z.Mehdi Frashëri, ministr’ i P.Botore dhe zonja Naraçi, kryetar’ i Bashkisë së kryeqytetit Qemal Butka, Konsulli i Italisë në Tiranë, ingjinierët Zancecoli, Belaviti, Noçka, Canobio dhe Haki Korça.
Veç këtyrëve muarën pjesë përfaqësuesit e shtypit dhe një numur i madh katundarësh të katundeve të rrethit.

Fjala e ministrit të Punëve Botore.

Zonja Naraçi preu kordonin midis duartrokitjeve të gjëndjes dhye ministri i P. Botore z.Ingj.Ndoc Naraçi mbajti një fjalim të bukur. Midis të tjerave tha: “Rrjeti i rrugave të Mbretërisë me hapa të sigurtë po vazhdon të plotësohet dhe të shpeshtohet. Me Inaugurimin e kësaj vepre sigurohet kalimi ndërmjet dy brigjeve të lumit të Tiranës, që deri më sot lidheshin vetëm me një va të vështirë dhe të rrezikëshëm”.
Pastaj zotërija e tij analizoi konstruktimin dhe pjesët teknike të urës duke theksuar se kjo urë është në gjendje me i ba ballë çdo situate idraulike të disfavorshme të lumit dhe u përgjegjet nevojave të një trafiku të randë dhe intensive.

mehdi-frasheri-2-kamze

Dhe pasi zoti ministër falenderoi ingjinierat që kanë drejtuar punimet, duke përfunduar, tha “Me këtë rastë mendimi i jonë i përvujtun dhe mirënjoftës sjellet nga N.M e Tij Zog I Mbret i Shqiptarëvet, i Cili prej së nalti dhe me një interesim të nxehtë drejton dhe rregullon fatin e Atdheut tue sigurue vendit një përparim më të naltë në lamën e civilizimit dhe të begatisë. Rroftë Mbreti”.

Fjalët e fundit të zotit Ministër i mbuluan duartrokitjet frenetike të gjendjes. Pas fjalimit të Z-it Naraçit, kryeministri Z.Mehdi Frashëri u mbajti një fjalë katundarve që ndodheshin n’inaugurim duke u treguar mirësit e shkollës dhe të qytetërimit, të cilët e bëjnë patriot njerinë dhe i japin fuqi që të shkojë një jetë indipendente dhe të begatshme.

Si është Ura e inauguruar

Ura e Kamzës ka një rëndësi të posaçme që formon hapën e parë për çeljen e një rruge të re, e cila do të lidhë kryeqytetin, Urën e Zezë, Krujën dhe Shkodrën, duke shkurtuar rrugën e sotme 10 kilometra.
Kjo urë është projektuar prej zyrës teknike të Ministrisë së P.Botore. përbëhet prej një travate me beton arme typ Gerber me 5 çelje. Gjatësija e saj është 104 m dhe gjerësia 5m, veç trotuarëve. Është llogaritur për kalimin e njëherëshëm të një cilindri prej 18 tonelatash dhe një sasie kompakte njerëzish.

Punimet ishin zhvilluar prej firmës Brida-Vincenzi, e cila kishte bërë krahët, këmbët dhe një çelje Gerber. Për një kohë, për arsyena financjare, punimet u pezulluan dhe pastaj rifilluan me sipërmarrjen e firmës Ing.A.Pilika e Xh.Kadesha me drejtor punimesh Ingj.Antonio Canobbio. Ura e Inauguruar do të vihet nënë përkujdesjen direkte të Minsitrisë së Punëve Botore.

Revista “Minerva”, Maj 1936

*Risolli Scan-tv.com

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko