Editorial

Kur bamirësia shitet si shfaqje televizive!

“Njëra dorë të mos shohë atë që jep tjetra”. Këto vargje në librin e shenjtë të besimtarëve të krishterë m’u kujtuan mbrëmjen e djeshme teksa shihja kronikat televizve të e tejmbushura me akte bamirësie pikërisht në ditën e Krishtlindjes.

Njerëz të varfër e të vuajtur, jetimë apo të sëmurë të cilët teksa jetojnë çdo ditë dhimbjen që u ka rënë në pjesë, kuptojnë se të paktën në një ditë të vitit sytë kthehen drejt tyre. Në fakt, vetëm një herë në vit, drejt tyre nuk kthehen vetëm sytë, por edhe vëmendja e telekamerave, statuset e rrjeteve sociale ku “bamirësit flasin për veprat e tyre të mëdha” duke përdorur dhimbjen dhe vuajtjen, që nuk ka gojë të flasë.

Dhe duket se gjithë kjo, më shumë se sa qëllimin për të ndihmuar ata që janë në nevojë, kanë si synim protagonizmin e pafre të politkanëve dhe biznesmenëve, të cilët me sa duket bamirësinë e shohin si aktin më të thjeshtë të larjes së mëkateve të 364 ditëve të vitit.

Sepse në fakt Krishtlindja është dita e veprave të mira dhe nata e mrekullive që Zoti zbret në tokë. Ndaj ai thërret për ndihmë ndaj atyre që kanë nevojë, por duke na kujtuar që njëra dorë të mos shohë çfarë jep tjetra, në përulësi para Zotit dhe në heshtje para atyre që e pranojnë këtë ndihmë.

Fatkeqësisht, në këto ditë festash tek shumë nga ata që dhuruan diçka nga vetja nuk pashë as heshtje dhe as përulësi. Pashë bamirësi të organizuar mirë me kamera dhe kronika lajmesh, që në vend të heshtjes kishte zgjedhur trumbetën për t’i folur botës e për t’i treguar zemërgjerësinë e atij që kujtohet të dhurojë në ditën e 365-të të vitit, me shpresën se ky gjest aq më tepër i bërë publik do t’ja shpëtoj shpirtin nga mëkati i 364 ditëve të shkuara.

Të mos harrojmë, që Jezusi u lind në një grazhd, sepse dashuria dhe besimi nuk duan as luks dhe as fjale.

Bamirësia është një gjest i madh, që më shumë se sa atë që merr duhet të gëzojë atë që jep, në heshtje dhe pa fjalë. Por teksa njerëzit në nevojë kthejnë sytë dhe buzëqeshin drejt bamirësve të tyre, druaj se në këtë panoramë, më shumë se i varfri që pret në dhimbje mirësinë e radhës, ai që ka vërtet nevojë për vëmendje dhe shpëtim është bamirësi.

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko