Komente, Kryesore

Kthim në të Ardhmen e turizmit (kulinar)

Nga Dhurata Thanasi Daneri

A ka rëndësi marketimi i ushqimit dhe gatimeve, qofshin ato vëndase apo dhe të kuzhinës së rafinuar ose gourmet dhe mbitëgjitha, a sjell ushqimi risi dhe impakt në industrinë e turizmit dhe mikpritjes?

Ka hamendësi por mbitë gjitha fakte reale që flasin për impaktin masiv që turizmi kulinar (i ushqimit) ka në industrinë e hotelerisë dhe mikpritjes në Shqipëri.

Interesi i njerëzve mbi ushqimin është shtuar ndjeshëm kohët e fundit,  duke kthyer turizmin e kulinarisë në një nga trendet botërore . Shumëkush nuk ta kishte idenë “ku binte” Blinishti, po të mos kishte qenë Mrizi i Zanave dhe dy vëllezërit Prenga, që me gjenialitetin e tyre transformuan fshatin e tyre në një vend pelegrinazhi kulinar, dhe të mendosh që zona deri shumë kohë më parë quhej e varfēr dhe e braktisur. Kjo vlen edhe për shumë vende si Boboshtica e Korçës e njohur nga petanikët apo byrekët e  Antonetës, apo  fshati Surel i Tiranës, për të cilin askujt nuk do ti binte mendja të ndalej nëse një djalit të ri dibran, të quajtur Ismet Shehu, diplomuar në shkencat e Turizmit dhe Mikpritjes pranë Universitetit të Londrës së Jugut (University of South London), të mos i rreshte dëshira për t’u kthyer në Shqipëri për të vënë në jetë ëndrën e tij. Tashmë janë shumë destinacione që nga e panjohura po identifikohen si vende për t’u vizituar falë biznesit të kulinarisë. E hap pas hapi,  më pas fillon vlerësimi i territorit duke nisur me produktet autoktone të tokës, identifikimin dhe vlerësimin e vendeve historike, arkeologjike, mitologjike dhe fetare të zonave, monumenteve gjeografike, burimeve natyrore, florës, faunës etj. I gjithëky zinxhir vlerash nuk bën tjetërgjë veçse transformon për mirë territorin duke sjellë punësim, mirëqënie, shpresë.

Ndryshe nga turizmi klasik, ai ushqimor përqëndrohet në eksperiencat kulinare që njerëzit përcjellin, përfshirë pijet, psh një vend i njohur për raki të mirë si Drenova për raki mani apo Mirdita për verën Kallmet prodhuar nga Kantina Arbëri, apo fshati Seferaj i Dumresë për rritjen e shafranit më të mirë në Ballkan.

Turizmi kulinar u referohet  përvojave turistike ku njerëzit mësojnë, vlerësojnë dhe konsumojnë ushqimin dhe pijet që kanë të bëjnë me kuzhinën lokale, rajonale ose kombëtare, trashëgiminë, kulturën, traditën dhe teknikat e kuzhinës.

Pa folur për eksperienca si ajo artistike apo historike, apo e aventurës, turistët vënë në vend të parë atë kulinare kur bëhet fjalë për përshtypjet mbi një vend apo qytet të vizituar.  Hashtag-e si #bestfoodever (ushqimi më i mirë ndonjëherë) apo #yum, #Foodporn etj kapin shifrat më të larta të përdorimit në rrjetet sociale duke parakaluar ato si #Politics #sport #Culture etj. Shqipëria, sot që shkruajmë e flasim, nuk po tërheq vëmendje , sado të paktë për  investime efektsjellëse në Ballkan, POR “nami” i saj mbi risitë, surprizat dhe përvojat kulinare të turistëve të brendshëm dhe jashtëm i ka kaluar kufijtë e Ballkanit apo Europës. Aq sa dhe shumë shefa shqiptarë  me emër në Europë si Fundim Gjipali janë kthyer në atdhe dhe kanë gjetur vehten. Eksperienca, rikthimi në traditë dhe hulumtimi në rrënjët e saj, i kanë bërë ata dhe të gjithë ne të shohim më me besim në të ardhme.

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko