Komente

Kosovë-Serbi, marrëdhënie e vështirë apo e pamundur?

               Publikuar në : 20:47 - 11/09/18 |
Gerta

Bisedimet për të ardhmen e Kosovës dhe ideja për të arritur një zgjidhje përfundimtare përmes shkëmbimit të territoreve me Serbinë, ka zënë javët e fundit vend qendror në mediat shqipfolëse  dhe ato ndërkombëtare. Takimet zyrtare dhe ashpërsimi i gjuhës mes faktorëve politike serb dhe kosovarë, por edhe debatet e nxehta mes vetë shqiptarëve kanë risjellë në vëmendje kufijtë e brishtë që ndajnë shtetet ballkanike e që jo rrallë herë kanë shkaktuar luftëra me përmasa të mëdha.

Takimet e kryetarëve  të shteteve të Serbisë dhe Kosovës, që kanë përçuar dhe idenë e shkëmbimit të territoreve në këmbim të një pavarësie ndërkombëtarisht më të madhe për Kosovën, kundërshtimet e një pjese të politikës dhe opinionit publik në Kosovë dhe Shqipëri, deklaratat e qarta të Gjermanisë dhe ato me dy apo më shumë kuptime të ndërkombëtarëve për këtë çështje apo dhe vizita e presidentit serb Vuçiç në Kosovë nuk duket se e kanë qartësuar situatën e krijuar.

Kjo e fundit madje, shoqëruar dhe nga deklaratat me nota të forta nacionaliste të presidentit serb, pasoi një tjetër mospajtim, atë të takimit Thaçi Vuçiç në Bruksel të premten e kaluar. Presidenti Vuçiç tha se  kishte pasur shumë trysni posaçërisht mbi Listën Serbe, që të votojë për shef të delegacionit negociues të Kosovës me Serbinë, Fatmir Limajn, të cilin Serbia e akuzon për krime lufte. Ndërsa presidenti i Kosovës përcaktoi si një nga arsyet e dështimit te takimit   Konfliktin më shumë se një shekullor që  nuk mund të zgjidhet brenda ditëve javëve dhe muajve ndërkohë që njerëzit meritojnë paqe dhe gjeneratat e ardhshme meritojnë që të kenë të ardhme më të sigurt”.

Por ky dështim nuk e pengoi presidentin serb të kalonte fundjavën e parashikuar në Kosovë. Ai u zotua të shtunën për vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por tërhoqi vërejtjen për, rrugën e gjatë drejt një marrëveshjeje ndërmjet palëve.

Këto komente Vuçiç i bëri teksa vizitoi liqenin e Gazivodës. Liqeni është një nga pikat më të nxehta të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Një pjesë e liqenit artificial që është ndërtuar në vitet 80, shtrihet në Serbi dhe ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës.

Por një ditë më pas, në Mitrovicë, presidenti serb Vuçiç deklaroi se Serbia nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, por kërkon kompromis, që sipas tij nënkupton se askush nuk mund të fitojë gjithçka.

“Për ata që me ditë, javë e muaj përdorin gënjeshtrën se dikush është bërë gati dhe do të detyrohet të njohë pavarësinë e Kosovës deri në vitin e ri, është gënjeshtër e plotë dhe askujt nuk i bie ndërmend një gjë e tillë”.

Ai u tha të tubuarve në takim se Serbia duhet të vlerësojë situatën në botë, duke përkujtuar si një udhëheqës të madh ish-presidentin serb Sllobodan Millosheviç. Vuçiç shtoi se dëshirat e pararendësit të tij ishin joreale dhe Serbia nuk e kishte kuptuar se nuk ishte e vetme në botë dhe pa botën nuk mundet dhe prandaj ka paguar çmim të lartë.

Deklaratat e presidentit serb dhe evokimi i figurës se Milosheviçit nuk janë pritur mirë nga disa zyrtare të BE, ndërkohë që vizita e tij në Kosovë nuk kaloi pa incidente.

Grupe qytetarësh nga komuna e Skenderajt, bllokuan të dielën në mëngjes rrugën që çon për në fshatin Banjë, që banohet nga qytetarë të komunitetit serb, për të mos lejuar vizitën e Presidentit të Serbisë në këtë fshat.

Në protestë u tha se presidenti serb nuk mund të kalojë përmes rajonit të Drenicës, pa kërkuar falje për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë. Por nga ana e tij presidenti serb kërkoi një rrugë tjetër për të mbërritur në destinacionin e paracaktuar. Nga ana tjetër vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj për të zhvlerësuar lejen e dhënë nga Ministri i Jashtëm që Vuçiç të vizitonte Drenicen duket se deri diku ja arriti të ule tensionet e shkaktuara nga prezenca e presidentit serb në Drenice.

I ndodhur në Shqipëri gjatë vizitës së homologut të tij serb në Kosovë, Hashim Thaçi u përpoq që me anë të një postimit në facebook të ulte tensionin e shkaktuar nga vizita e Vuçiç, duke theksuar sensibilitetet e banorëve të Drenicës, por dhe përpjekjet që Kosova të japë një përshtypje të mirë tek ndërkombetarët. Në të njëjtën dite ai u shfaq në një foto në Durrës me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, me te cilin, siç tregoi dhe foto pati nj2 takim joformal. Ndërkohë që kundërshtari politik me i fortë i tij, Albin Kurti u takua ne Tirane me ish kryeministrin Berisha me te cilin ndanë opinionet kundër idesë se Thaçit për shkëmbimin e territoreve. Ky i fundit, duke i meshuar idesë se zgjidhjes përfundimtare të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet korrigjimit te kufijve pak dite me pare deklaroi ne emisionin Opinion së për të arritur këtë ishte gati të organizonte dhe një referendum.

Për herë të parë publikisht ai hodhi tezën se para finalizimit të marrëveshjes me Serbinë do t’u drejtohet qytetarëve në një referendum, ndërsa parashtroi edhe pyetjen që do t’u drejtohet qytetarëve. Duke e pranuar se negociatat me Serbinë janë tepër të vështira, Presidenti kosovar garantoi se marrëveshja përfundimtare do të jetë e dakordësuar 100% edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Sipas tij, përveçse njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ajo do të heqë edhe veton ruse nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe për këtë ka marrë edhe garancinë e kryeministrit rus, Dmitri Medvedev.

Por që kjo të realizohet se pari duhet të funksionojnë bisedimet mes palëve. Ndërkohë  deklaratat dhe qëndrimet mospërputhëse mes dy Presidenteve, dështimi i takimit të së premtes në Bruksel apo dhe kundërshtitë e Gjermanisë apo ndonjë faktori tjetër ndërkombëtar apo shqiptar duket  se ende nuk e kanë zbehur vullnetin Thaçi- Vuçiç për të realizuar një marrëveshje për shkëmbimin e territoreve, gjë që sipas tyre do te sillte zgjidhjen përfundimtare të konfliktit, ndërsa për disa të tjerë do të ishte “hapja e kutisë së pandorës” për kufijtë në Ballkan./OPINION.AL

Pas