Aktualitet

“Kosova është padyshim pjesë e Serbisë”, zëdhënësi i zv.kancelarit austriak përgënjeshtron gazetën serbe

               Publikuar në : 10:17 - 12/02/18 |
ri.de.

Zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache ndezi debat me deklaratën e cituar se “Kosova është pa dyshim pjesë e Serbisë”. Por zëdhënësi i tij e hodhi poshtë citimin.

Sot zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache pritet në Beograd për bisedime. Por një citim në fundjavë për Kosovën i ka paraprirë vizitës së tij. Një gazetë beogradase proqeveritare, “Politika” ka cituar në fundjavë zëvendëskancelarin austriak Heinz-Christian Strache (FPÖ).”Kosova është padyshim pjesë e Serbisë”, ka thene ai. Një deklaratë kjo që bie ndesh me politikën e deritanishme të Austrisë, e cila ka qenë ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën.

Zëdhënësi i Straches, Martin Glier e hodhi poshtë citimin në bisedë me agjencinë austriake të lajmeve, APA. Sipas tij Strache nuk e ka thënë këtë në intervistë. Austria “e ka njohur Kosovën si një nga vendet e para dhe është që atëherë përkrahëse e fuqishme e Kosovës”, u shpreh ai.

Eurodeputeti austriak i partisë konservatore austriake, ÖVP, Othmar Karas reagoi me zemërim pas intervistës. “Ky sulm i ri kundër rendit të paqes në Ballkan” e bën atë “të tronditur dhe e lë pa fjalë”. Edhe Claudia Gamon nga liberalët e rinj ka shprehur kritikë, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa. “Zëvendëskancelari dhe partia e tij nuk heqin dorë nga fitilat në Ballkan”.

Ndërsa Lëvizja Paneuropiane e Austrisë thekson se e ka ndjekur “me tundje të fortë koke” thëniet e Straches që “dukshëm i kanë shpëtuar zhvillimet e kohëve të fundit në Ballkan”. Deri më tani nuk është folur për një regjistrim audio të intervistës.

Pas